Mbledhja e Jashtëzakonshme e Konferencës së Samitit Islam të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI), e cila mblidhet sot në Stamboll me kërkesë të Turqisë, për të diskutuar çështjen e Jerusalemit, parashikohet të mirëpresë përfaqësuesit e mbi 40 vendeve islame të botës.
Në Mbledhjen e Jashtëzakonshme e Konferencës së Samitit Islam të OBI-t, që zhvillohet në Stamboll pas thirrjes së Presidentit Recep Tayyip Erdogan në lidhje me zhvillimet e fundit në Palestinë, planifikohet të marrin pjesë 13 kryetarë shtetet dhe qeverish, 2 zëvendëspresidentë, 3 zëvendëskryeministra, 12 ministra të Punëve të Jashtme dhe diplomatë të lartë e shefa misionesh nga 11 shtete.
Pjesëmarrës të këtij samiti në nivelin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive pritet të jenë Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, ai i Afganistanit, Ashraf Ghani, Mbreti Abdullah II i Jordanisë, Presidenti i Sudanit, Omar al-Bashir, ai i Guineja-Bisaut, Jose Mario Vaz, Presidenti i Guinesë, Alpha Conde, Emiri i Katarit, Sheik Tamim bin Hama dal-Thani, ai i Kuvajtit, Sheik Sabah al-Ahmad al-Jaber al-Sabah, Presidenti i Mauritanisë, Mohamed Ould Abdel Aziz, ai i Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV), Mustafa Akinci, Kryeministri i Pakistanit, Shahid Khaqan Abbasi dhe Kryeministri i Kirgizisë, Mukhammedkalyi Abylgaziev.
Të pranishëm në këtë samit të jashtëzakonshëm parashikohet të jenë gjithashtu zëvendëspresidenti i Indonezisë, Jusuf Kalla, zëvendëspresidentja e Gambias, Aja Fatoumatta Tambajang, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të RTQV-së, Kudret Ozersay, zëvendëskryeministri i Somalisë, Mahdi Mohammed Gulaid, si dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Jemenit, Abdulmalik al-Mekhlafi.
Në kuadër të Mbledhjes së Jashtëzakonshme të OBI-t, në Stamboll kanë ardhur po ashtu Kryeministri i Palestinës, Rami Hamdallah dhe sekretari i përgjithshëm i OBI-t, Yousef bin Ahmad Al-Othaimeen.
Të hënën, 63 palestinezë ranë dëshmorë dhe mbi 3.000 të tjerë u plagosën si pasojë e zjarrit të hapur nga ushtarët izraelitë në drejtim të manifestuesve, që ishin tubuar në kufirin e Gazës për të protestuar transferimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Jerusalem dhe për të evokuar 70-vjetorin e Nakbas (Katastrofa e Madhe).