ANKARA (AA) – Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, është shprehur se Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) dhe Lidhja Arabe duhet të tregojnë një qëndrim më të fortë dhe se dënimi nuk do të ishte i mjaftueshëm përballë zhvendosjes së ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Kuds dhe martirizimit të palestinezëve që morën pjesë në protestat në kufirin e Gazës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri Çavuşoğlu, nëpërmjet lidhjes telefonike në televizionin A Haber ka folur në lidhje me zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Kuds.
Shefi i diplomacisë turke tha se SHBA-ja po vepron me qasjen se “unë vendosa, unë e bëj” dhe se SHBA-ja duke shkelur të gjitha parametrat e vendosura ka zhvendosur në mënyrë të jashtëligjshme ambasadën e saj nga Tel Avivi në Kuds.
“SHBA po përpiqet të imponojë zgjidhjen e saj në çështjen e Kudsit”, tha Çavuşoğlu, duke shtuar se me këtë hap janë injoruar parimet më themelore të ligjit ndërkombëtar dhe të vërtetës historike si dhe të vullnetit të komunitetit ndërkombëtar i cili u paraqit më 21 dhjetor 2017 me vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Ai ka theksuar se SHBA në çështjen e Kudsit dëmton besueshmërinë dhe reputacionin e saj, si dhe ka tërhequr vëmendjen se komuniteti ndërkombëtar duhet të hedhë hapa duke i marrë në konsideratë këto zhvillime.
Pasi ka bërë të ditur se edhe Bashkimi Evropian (BE) është në të njëjtin mendim me Turqinë, Çavuşoğlu tha se “tashmë nuk mjafton të mendohet njëjtë apo të reagosh. Pas kësaj duhet të hidhen hapa konkretë”.
Ai tha se SHBA sërish mund të ushtrojë presion mbi BE-në dhe vendet e tjera për këtë çështje, duke shtuar se “Në këtë drejtim, bashkësia ndërkombëtare duhet të qëndrojë e drejtë kundër kësaj padrejtësie, kësaj paligjshmërie. Nuk mjafton të dënohet masakra e sotme, duhet të hidhen hapa të përbashkët”.
– “OBI dhe Lidhja Arabe duhet të tregojnë një qëndrim më të fortë”
Gjithashtu duke shtuar se Turqia do të mbrojë deri në fund kauzën e Palestinës, shefi i diplomacisë turke theksoi “Edhe sot jemi në kontakte me shtetin e Palestinës. Kishim planifikuar një takim në Ramallah për çështjen e Kudsit, ku dhe ne e kemi pranuar këtë. Këtu Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) dhe Lidhja Arabe duhet të tregojnë një qëndrim më të fortë të gjithë së bashku”.
“Ne do të jemi ndjekës të kësaj çështjeje, do të bëjmë çfarë është e nevojshme duke kontaktuar me të gjithë. Si Turqi ashtu sikurse kemi vepruar më parë edhe pas kësaj do të përpiqemi edhe më shumë. Sepse kauza e Palestinës, Kudsit janë kauzë e jona”, tha Çavuşoğlu.