GJENEVË (AA) – Kombet e Bashkuara (OKB) i bënë thirrje Izraelit që forcat e saj të sigurisë të japin llogari për vrasjen dhe plagosjen e palestinezëve gjatë demonstratave masive të “Marshit të Kthimit të Madh” në kufirin e Rripit të Gazës dhe Izraelit, raporton Anadolu Agency (AA).
Komesariati i Lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut rikujton se gjatë demonstratave të cilat mbahen çdo të premte nga 30 marsi, jetën e kanë humbur 42 palestinezë dhe janë plagosur 5.500 të tjerë.
Ata nënvizuan se asnjë nga izraelitët nuk u vra ose nuk u plagos gjatë demonstratave. Ata theksuan se objektiv të ushtarëve izraelitë ishin civilët e paarmatosur që morën pjesë në demonstrata paqësore.
Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeyd Raad Al Huseyin kritikoi përdorimin e forcës së tepruar mbi palestinezët.
“Ne jemi dëshmitarë ku çdo javë shohim përdorimin e ekzagjeruar të forcës vdekjeprurëse mbi demonstruesit e paarmatosur”, theksoi Huseyin.
Përkundër të gjitha paralajmërimeve të OKB-së, ai tha se kanë vazhduar sulmet ndaj civilëve. Husejini gjithashtu kujtoi edhe vrasjen e 14-vjeçarit Muhamed Eyup, i cili u vra nga plumbat e një snajperi.
Ai shprehu shqetësime rreth jetës së palestinezëve në demonstratat e sotme, të premten tjetër, por gjithashtu edhe të premteve të radhës.
Mijëra palestinezë në kufirin e Rripit të Gazës, të premten e pestë me radhë protestojnë në mënyrë paqësore dhe shënojnë Ditën e Tokës duke përkujtuar 30 marsin e vitit 1976, kur Izraeli konfiskoi nga ata mijëra hektarë tokë.
Gjatë protestave deri tani janë vrarë 39 palestinezë dhe janë plagosur më shumë se 3.500 të tjerë. Është planifikuar që protestat të vazhdojnë deri në mes të majit.
Dita e Tokës shënohet në Palestinë që nga viti 1976 dhe kjo është, në një mënyrë, simbol i rezistencës së palestinezëve për të marrë përsëri tokën e tyre, dhe njëkohësisht të tregojnë përgjegjësinë e komunitetit ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të popullit palestinez, krijimin e një shteti të pavarur palestinez dhe kthimin e refugjatëve palestinezë në vend.