3 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Si u suspendua nga puna milingona e vyeshme?

Më të lexuarat

(Tregim këshillues)

Njëherë në një kohë, jetonte e lumtur MILINGONA, e cila për çdo ditë vinte e para në punë. Ishte e vyeshme dhe e gëzuar. Me një fjalë, ishte e lumtur derisa punonte. Këndonte këngë gëzimi, kurse rezultatet e punës së saj ishin të shkëlqyera.

Duke e dëgjuar këngën e Milingonës, zotëri GRETHI, drejtori i kompanisë, erdhi në përfundim se Milingona pak si tepër po zbavitet, ndërsa nuk po punon mjaft, sepse nuk ka menaxhim të duhur dhe nuk ka një shef i cili do ta kontrollonte.

Për këtë shkak, ai e punësoi MOLLËKUQEN, e cila kishte përvojë të madhe menaxheriale. Brenga e parë e Mollëkuqes ishte që të organizonte evidencimin e hyrjes dhe daljes në punë (përkatësisht, nga puna). Për këtë qëllim, ajo vendosi një sistem të dokumenteve të hyrjeve dhe daljeve. Me kalimin e kohës, numri i dokumenteve u rrit dhe për shkak të rritjes së vëllimit të punëve rreth dokumenteve, duhej ta punësonin dikë që do t’i përgatiste shkresat dhe raportet.

Kështu ata e punësuan MERIMANGËN, e cila menjëherë e vendosi sistemin e arkivimit dhe u bë përgjegjëse edhe për pranimin e telefonatave. Ndërsa Milingona? Milingona ende punonte si më parë. Raportet të cilat i paraqiste Mollëkuqja ishin të jashtëzakonshme. Drejtori Grethi ishte i entuziazmuar me raportet që i merrte nga Mollëkuqja dhe së shpejti filloi të kërkojë: studime krahasuese me tabela, analiza të trendëve të zhvillimit, etj.

Për ta përmbushur kërkesën e drejtorit, ishte e nevojshme që të punësohet edhe KETRI, i cili do të ishte ndihmë direkte e drejtorit. Atij menjëherë ia blenë një kompjuter të ri me një printer. Milingona e lumtur dhe e vyeshme ende po punonte si më parë. Ajo vetëm u ankua se do ta kishte më lehtë nëse do ta kishte një kompjuter. Mirëpo, kjo kërkesë e saj nuk u miratua. Kjo ishte hera e parë që Milingona po ankohej për diçka dhe drejtori Grethi menjëherë e kuptoi se duhej të reagonte me shpejtësi.

Ai e krijoi një post të ri të shefit të shërbimit për ta mbikëqyrur Milingonën e lumtur dhe të vyeshme. Në postin e ri e punësoi GJINKALLËN. Ajo menjëherë pas ardhjes së saj, i zëvendësoi të gjitha orenditë në zyrën e saj dhe, sipas kërkesës saj, ia sollën një karrige me formë ergonomike dhe një kompjuter të ri me ekran të sheshtë LCD. Pasiqë numri i kompjuterëve u rrit duhej të blihej dhe të instalohej edhe një server rrjeti. Shefi i ri i shërbimit e kuptoi se urgjentisht i nevojitet edhe një asistent (i cili ishte asistent i tij në firmën e mëparshme). Dhe kështu ai e punësoi TARTABIQEN. Në të njëjtën kohë, Milingona po bëhej gjithnjë më e palumtur dhe më pak produktive. Përsëri e kërkoi një kompjuter, mirëpo përsëri ata nuk ia miratuan kërkesën.

Situata me Milingonën, e shqetësoi Gjinkallën, e cila arriti në përfundim se duhej ta porosiste një studim në lidhje me kënaqësinë e të punësuarve në kompani. Për këtë e njoftoi drejtorin Grethin, i cili e kuptoi shpjegimin e Gjinkallës dhe miratoi angazhimin e një agjencie për këto nevoja. U krye një studim i shtrenjtë dhe Gjinkalla filloi t’i zbatojë metodat e propozuara të motivimit. Kudo gjithandej vendosi postera të motivimit. I dërgoi Mollëkuqen, Merimangën, Ketrin dhe Tartabiqen për trajnim motivimi në vendpushime të famshme, etj …

Milingona edhe më tutje po vazhdonte të punonte, por tash pa ndonjë vullnet. Ajo i lexonte mesazhet motivuese në postera, por kurrsesi nuk po mund t’i gjente eprorët kur ajo kishte nevojë për ta. Thjesht, ose nuk ishin aty ose nuk kishin kohë për të. Dhe kështu koha po kalonte. Drejtori Grethi vazhdonte t’i merrte rregullisht raportet e tij, mirëpo, ato filluan të tregonin se kompania më nuk është fitimprurëse si më parë. Kjo gjë thellësisht e shqetësoi dhe duhej patjetër të reagonte. Ai e punësoi konsulentin më elitar, zotëri HUTIN.

Detyra e Hutit ishte të bënte një analizë të plotë të organizimit dhe afarizmit të kompanisë dhe të propozonte zgjidhje për ta bërë kompaninë fitimprurëse. Pas tre muajsh, zotëri Huti ia dorëzoi drejtorit këtë raport: “Kompania ka shumë të punësuar!”

Drejtori Grethi me entuziazëm e pranoi analizën profesionale dhe menjëherë e suspendoi nga puna: MILINGONËN!

Përshtati: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit