3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Nga 3.078 palestinezë të plagosur nga Izraeli, 105 në gjendje të rëndë

Më të lexuarat

GAZA (AA) – Nga 3.078 palestinezë të plagosur gjatë ndërhyrjes së ushtarëve izraelitë në “Marshin e Kthimit të Madh” në kufirin e Gazës, 105 janë në gjendje të rëndë, njoftoi zëdhënësi i Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza, Eshref el-Kudra, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Numri i personave të plagosur nga Izraeli u rrit në 3.078, prej të cilëve 105 janë në gjendje të rëndë dhe vazhdojnë të trajtohen në repartet e kujdesit intensiv. 305 nga të plagosurit janë fëmijë, 78 gra dhe 12 nga personeli shëndetësor”, tha Kudra në një konferencë për media.

Kudra theksoi se sipas të dhënave të ministrisë, 129 persona janë qëlluar në kokë ose qafë, duke shtuar se “forcat izraelite qëllojnë me paramendim civilët e paarmatosur që marrin pjesë në marshim”.

Ai po ashtu tha se 176 nga të plagosurit janë qëlluar në pjesët e sipërme të trupit, 51 në gjoks dhe abdomen, kurse 1.027 në pjesët e poshtme të trupit.

Zëdhënësi i ministrisë tha se gjatë demonstratave janë shënjestruar drejtpërdrejt edhe katër ambulanca dhe automjete të mbrojtjes civile.

Nga ana tjetër, drejtori i përgjithshëm i Barnave dhe Farmaceutikës pranë ministrisë, Munir Beresh, duke folur në konferencë tërhoqi vëmendjen drejt mungesës së barnave dhe materialeve mjekësore në rajon.

Ai tha se çdo ditë është duke u rritur numri i dëshmorëve dhe të plagosurve, gjë që shkakton pakësimin e barnave dhe materialeve mjekësore.

“Mosplotësimi i rregullt i nevojës për barna në spitale ka shkaktuar mungesë të paprecedent të rezervave të barnave”, tha Beresh, duke i bërë thirrje organizatave humanitare ndërkombëtare për mbështetje të sektorit shëndetësor në Gaza në mënyrë që të vazhdohet trajtimi i të plagosurve dhe të sëmurëve.

Ndryshe, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, të paktën 32 palestinezë kanë rënë dëshmorë nga sulmet e ushtrisë izraelite që nga 30 marsi, kur palestinezët filluan të tubohen përgjatë kufirit lindor të Rripit të Gazës me Izraelin.

Tubimet janë pjesë e një demonstrate gjashtë javore që do të kulmojë më 15 maj. Kjo ditë do të shënojë 70 vjetorin e krijimit të Izraelit, ngjarje që palestinezët i referohen si “Nakba” ose “Katastrofa”.

Demonstruesit kërkojnë që refugjatëve palestinezë t’u jepet “e drejta e kthimit” në qytetet dhe fshatrat e tyre në Palestinën historike, nga e cila u dëbuan në vitin 1948 për t’i hapur rrugën krijimit të shtetit të ri të Izraelit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit