-4.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

U BË BOLL MË, TASH NIS RECIPROCITETI

Më të lexuarat

Nga 15 janari, Bosnja e Hercegovina (BeH) ka mundësi hyrje në Kosovë vetëm me viza, nëse nuk heq të sajat. Kjo pritet të bëhet shumë shpejtë edhe vendim i Qeverisë së Kosovës.

Reciprociteti për Bosnjën konsiderohet si vendim i duhur nga të gjithë boshnjakët e Kosovës, por shpresojnë se Bosnja do pranon dokumentet e Kosovës, ngase, sipas tyre, pasojat e këtij vendimi më së shumti do i vuajnë boshnjakët e Bosnjës dhe shqiptarët që jetojnë atje. Pasoja nuk do të ketë për ata që kanë dokumente serbe e kroate e që jetojnë atje.

Këshilli i Boshnjakëve të Kosovës pohon se ky vendim i Qeverisë së Kosovës madje është i vonuar dhe e konsiderojnë absurde faktin që kosovarët mund të shkojnë në Serbi pa viza, e në Bosnje jo. Njëjtë mendojnë edhe gazetarët e këtij komuniteti e edhe ata që punojnë në institucionet e Kosovës.

Përveç qytetarëve, konsiderohet se bizneset boshnjake do të dëmtohen më së shumti nëse ndodhë kjo.

Megjithëkëtë, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, tashmë, ka vendosur.

Pohon se nëse deri më 15 janar të vitit 2014 nuk hiqen vizat për Kosovën, si masë reciprociteti do t’u duhet edhe qytetarëve të Bosnjës të marrin viza në një nga pikat kufitare të Kosovës.

Thotë se kjo është reciprocitet ndaj asaj se si është sjellë dhe çka kanë bërë autoritet në Bosnje në këto 6 vitet e fundit në raport me Kosovën. I konsideron sjellje jo serioze në raport me Kosovën.

“Në këto gjashtë vitet e fundit, autoritetet shtetërore në Sarajevë janë treguar të papërgjegjshme ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, duke aplikuar viza dhe krijuar kushte shumë të vështira për të udhëtuar lirshëm në Bosnjë. Kjo nuk ka qenë dhe nuk është në frymën e bashkëpunimit rajonal siç e kemi me vendet e tjera. Prandaj, nëse deri me 15 janar të vitit 2014 nuk hiqen vizat për Kosovën, si masë reciprociteti do t’u duhet edhe qytetarëve të Bosnjës të marrin viza në një nga pikat kufitare të Kosovës”, thotë Hoxha për Kosovapress.

Edhe zëvendësministri në Ministrinë e Diasporës së Kosovës, Qerim Bajrami, e konsideron të drejtë reciprocitetin e mundshëm ndaj Bosnjës ngase është absurde që Bosnja të mos pranojë dokumentet e Kosovës.

“Pasojat e një regjimi vizash nga ana e Kosovës do t’i vuajnë boshnjakët e Bosnjës, sepse kroatët dhe serbët e Bosnjës i posedojnë dokumentet e Kroacisë dhe të Serbisë të cilëve nuk u duhen vizat. Kosova, si shtet, me vite të tëra vuan nga vendimet e Bosnjës për viza ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilët udhëtojnë në Bosnje. Nëse dëshirojmë të udhëtojmë, ne na duhet të shkojmë në Shkup, t’i humbim dy ditë, të paguajmë dhe të kemi shumë dokumente. “, thotë Bajrami për Kosovapress.

E edhe Këshilli i Boshnjakëve të Kosovës, madje edhe gazetarët e këtij komuniteti në vendin tonë, thonë se Bosnja duhet heq vizat për Kosovën, aq më shumë që, nëse Kosova vendos viza për ta, do ndikojë negativisht për bizneset e atij vendi.

Isak Meta nga Këshilli i Boshnjakëve të Kosovës, ka thënë për Kosovapress, se vendimi i Kosovës është i drejtë dhe i duhur, madje i vonuar sipas tij. Këshill ky, i cili disa herë ka kërkuar nga Bosnja që të njeh Kosovën dhe të njeh dokumentet e saj të udhëtimit.

“Vendimi i Qeverisë, nëse merret, nuk do të jetë i mirë, ngase, nëse Qeveria e Bosnjës nuk merr vendim deri me 15 janar për heqjen e vizave, atëherë, qytetarët e dy shteteve do të ndahen edhe më shumë. Mirëpo, vendimi i reciprocitet është i drejtë dhe pak i vonuar. Vendimi i Qeverisë është i domosdoshëm dhe i imponuar nga Qeveria e Bosnjës”, thotë ai.

Konsideron se politika e keqe e përfaqësuesit serb në Bosnje e ka sjellë këtë situatë deri në këtë gjendje për vite me radhë.

Ndërsa, gazetarja e këtij komuniteti në Kosovë, Amra Zejneli, në princip, është kundër vendosjes së çfarëdo vize kundër kujtdo qoftë, por thotë, se ka qenë momenti i fundit që Qeveria e Kosovës të durojë vizat nga Bosnja.

“Veçanërisht, këtë problem, e kanë qytetarët boshnjak të Kosovës, të cilët kanë më shumë lidhjet e tyre familjare dhe për të marrë vizën është mjaft e vështirë. Duhet të shkohet dy herë në Shkup, duhet të paguhet viza dhe në raste mjaft të rralla është lëshuar ajo vizë. Në këtë kuptim, mendoj se është mirë që Kosova ka ndërmarrë një hap të tillë, sepse, ndoshta do të ndikojë që BeH të largoj atë regjim, në mënyrë që të mundemi të udhëtojmë lirshëm”, thotë ajo për Kosovapress.

Zjeneli thotë se Bosnja ka shumë më shumë probleme nëse Kosova vendos regjim vizash.

“Definitive është se nëse Kosova vendos regjimin e vizave për qytetarët e Bosnjës, më së shumti do ta pësojnë biznesmenët e BeH, sepse, mjaft shumë ata eksportojnë mallrat e tyre në Kosovë. Të përmend vetëm një të dhënë që BeH brenda vitit eksporton në Kosovë mallra mbi 75 milionë euro, ndërsa, nga Kosova në BeH shkojnë vetëm diku rreth 4 milionë euro. Pra, kjo nuk është fer për qytetarët e Kosovës, sepse, në fakt, Kosova paraqet njërin nga vendet e rralla, me të cilat BeH është në raport pozitiv të suficitit dhe është jo normale që qytetarëve të këtij vendi të mos u lejojë hyrjen pa viza. Mendoj se BeH ka shumë më shumë problem nëse Kosova vendos regjim vizash, sesa në rast të tillë kjo do të ishte për Kosovën”, thotë Zejneli.

Të gjithë mendojnë se lëvizja e lirë është qenësore dhe duhet punuar për të, veçanërisht kur synohet rruga evropiane.

Ndryshe, regjimi për vizat pritet të bëhet vendim i Qeverisë së Kosovës shumë shpejtë, ngase në një nga mbledhjet e ardhshme ministri Hoxhaj do e dërgon për miratim./express

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit