14.7 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Koncesionimi i “Brezovicës”, shtyhet për vitin tjetër

Më të lexuarat

Gjatë këtij viti është thënë se do të zgjidhet kompania fituese për koncesionimin e kompleksit turistik “ Brezovica”. Por, një proces i tillë pritet të ndodhë në periudhën e parë të vitit 2014, thonë zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Duke marrë parasysh se ky projekt është shumë i madh dhe i një rëndësie të veçantë, atëherë, afatet kohore janë dytësore në raport me ecurinë e suksesshme të projektit, thonë në një përgjigje elektronike zyrtarë të kësaj ministrie.

Pra, ministria, thuhet në përgjigje, është e interesuar për një përmbyllje të suksesshme dhe jo të ngutshme të projektit.

Por, për ekspertë të kësaj fushe, afatet kohore janë shumë të rëndësishme, sepse, sipas tyre, koncesionimi sa më i shpejtë i këtij kompleksi, do të ndikojë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, e sidomos në zhvillimin e komunës së Shtërpcës, ku edhe gjendet kjo qendër.

Zekë Çeku, udhëheqës i Kompanisë për Planifikim dhe Zhvillim të Turizmit nuk shprehet i befasuar me moszgjedhjen e kompanisë fituese, pasi, sipas tij, që nga fillimi i procesit, qasja ka qenë e gabuar.

Ai madje thotë se shtyrja e afatit kohor është një ndër dështimet e radhës të autoriteteve kompetente.

“Ky është vetëm një zhgënjim i radhës dhe mua më duket se sa më gjatë që shkon, aq më keq është për të gjithë akterët që kanë të bëjnë me turizmin dhe, përgjithësisht, për ekonominë turistike të Kosovës”.

“Megjithatë, unë po them se kjo do të zgjasë, nuk i dihet fundi. Edhe ky vit, por edhe vitet të tëra do të shkojnë derisa ‘Brezovica’ nuk vjen në një situatë që të ketë kapacitete të pranimit të turistëve”, thotë Çeku.

Qendra e skijimit “Brezovica”, është qendër e njohur turistike që ndodhet në pjesën veriperëndimore të maleve të Sharrit. Gjendet në lartësi mbidetare prej 900 deri në 2522 metra, me një hapësirë prej 2500 hektarësh dhe është larg vetëm 60 kilometra nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.

Edhe Bujar Kuçi, ekspert i turizmit, njëherësh ish-drejtor i Departamentit të Turizmit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë konsideron se çdo vonesë në këtë aspekt, buxhetit të Kosovës i shkakton humbje.

“Ky proces duhet të ndodhë, sepse çdo vonesë në procesin e privatizimit të këtij kompleksi, i kushton buxhetit të Kosovës me një shumë të konsiderueshme. Nuk i di arsyet, po mendoj se privatizimi i këtij kompleksi, do të krijonte të hyra jashtë zakonisht të mëdha”, vlerëson Kuçi.

Katër kompani potenciale tashmë kanë shprehur interesimin për koncesionimin e kësaj qendre.

Përfitimet e kompanisë që do ta merrte, do të jenë të mëdha, thonë ekspertët e turizmit, sepse bora në këtë qendër skijimi, mund të mbahet deri në 280 ditë gjatë vitit, çka e bën sezonin më të gjatë të skijimit në tërë rajonin. Pra, mund të skijohet nga muaji nëntor deri në fund të muajit maj.

Në anën tjetër, Zekë Çeku, thotë se autoritetet kompetente duhet të sqarojnë profilin e kompanive që janë në garë dhe të zgjidhet ajo që mund të ndikojë që zhvillimi i qendrës së skijimit “Brezovica” të kthehet në një qendër turistike të nivelit botëror.

“Unë nuk di çka kanë të fshehin në këtë punë. Vërtet, është dashur të bëhet e qartë dhe të zgjidhet një kompani që qartazi t’i shihte referencat, kapacitetet dhe mundësitë e zhvillimit”, shprehet Çeku.

Por, sipas Komisionit vlerësues të projektit, gjitha kompanitë i përgjigjen kërkesës për financim, operim dhe dizajnim të një resori të nivelit botëror me aktivitete që përfshijnë tërë vitin.

Po ashtu, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, të gjitha kompanitë janë me përvojë shumëvjeçare ndërkombëtare në realizimin e projekteve të ngjashme në fushën e turizmit.

Sidoqoftë, procesi i privatizimit të kompleksit “Brezovica”, deri më tani ka dështuar disa herë.

Konflikti ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit rreth pronësisë së qendrës aktuale, më shumë se gjashtë vjet kishte prishur planet e organeve kompetente për privatizimin e kësaj qendre. Edhe pse përfaqësues të AKP-së, nganjëherë e pranonin një fakt të tillë, megjithatë kjo shpesh mohohej nga autoritetet qeveritare.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit