Byrdhyl Maloku, i afërm i dy vëllezërve të vrarë në fshatin Plloçicë të komunës së Malishevës ka rrëfyer se po dyshojnë që autorët e vrasjes së dyfishtë janë dy persona që kishin hyrë për të vjedhur por që papritmas u ndeshën me viktimat në oborrin e shtëpisë.
“S’kanë pasë probleme kurrë me kërkon. Ka ndodhë se kanë hi brenda në oborr, kanë hi me vjedhë. Para dy jave e kanë vjedhë një veturë në lagjen tjetër. Para pak kohë këtij i kanë hi në shpi brenda e ia kanë marrë dukatin, kësaj shtëpisë këtu afër”, ka thënë Bardhyl Maloku.
Vrasja ka ndodhur në orën 1:20 pas mesnate ku kanë mbetur të vrarë viktimat Shani Maloku (1973) i cili ka qenë pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Bahri Maloku (1984).
Hysni Maloku, i cili kishte qenë bashkë me viktimat në momentin kur hajnat kishin hyrë në oborr, ka shpjeguar se në kohën kur ka ndodhur vrasja dy viktimat së bashku me disa kushërinj të tjerë kishin dalë në oborrin e shtëpisë ku edhe kishin ndeshur në dy autorët e vrasjes së dyfishtë.
“Kemi qenë duke qëndruar bashkë kushërinjtë, kemi qenë shtatë veta, mirëpo të armatosur kishin qenë ata brenda në oborr, papritmas dolëm ne e u takuam me ta edhe filluam rrugës me i ndjekë, tri herë kanë gjuajt lartë kur e panë se veç u afruam me i kapë, të katërtën herë janë kthyer edhe u bo kjo që u bo. Nuk po dyshojmë te askush, se u kon terr, nuk e kam pa askënd. Kanë qenë dy persona”, ka shpjeguar Hysni Maloku.
Kryeprokurori i komunës së Gjakovës, Ali Selimaj ka konfirmuar për KALLXO.com se dy persona janë arrestuar në lidhje me vrasjen e dy vëllezërve në Plloqicë të Malishevës. Njëri nga të arrestuarit është personi me inicialet B. M., po nga fshati Plloqicë.
Familja Maloku gjatë ditës së sotme ka hapur dyert për të pame, për dy djemtë e tyre që u privuan nga jeta tragjikisht gjatë mesnatës.