Përmirësimi i aftësive konkurruese, menaxhimi i qëndrueshëm i pasurive natyrore dhe zhvillimi i barazpeshuar territorial i viseve rurale do të jenë objektivat afatgjate të strategjisë dhe planit 2014-2020 për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Politikat bujqësore në kuadër të kësaj strategjie, do të vazhdojnë të mbesin në harmoni me ato të vendeve të BE-së, pasi që vendi ynë nga viti i ardhshëm do të ketë qasje edhe në fondet strukturore të BE-së. Këto objektiva janë bërë të ditura sot nga ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, i cili gjatë prezantimit të Strategjisë dhe Planit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2014-2020, ka thënë se në kuadër të kësaj strategjie do të jetë edhe plani operativ për përkrahjen e drejtpërdrejtë për fermerë, i cili hartohet në çdo vit.
Ministri Stavileci, tregoi se në strategjinë për periudhën e ardhshme shtatëvjeçare do të përfshijnë skema edhe më të larmishme përkrahëse. “Objektivat e përgjithshme të strategjisë shtatëvjeçare për bujqësi dhe zhvillim rural janë vendosur duke u bazuar në strategjinë ‘Evropa 2020’ dhe në politikën strategjike IPA II, me theks të veçantë në adresimin e nevojave specifike të sektorit agroushqimor, pylltarisë dhe zhvillimit rural në Kosovë, ku përmirësimi i aftësive konkurruese, menaxhimi i qëndrueshëm i pasurive natyrore dhe zhvillimi i barazpeshuar territorial i viseve rurale janë objektiva afatgjate të saj. Por, në dizajnimin e programit jemi fokusuar edhe në disa prioritete të tjera, ku prioriteti i parë është përmirësimi i qëndrueshmërisë dhe konkurrueshmërisë në fermë. Pastaj, si prioritet të dytë kemi përcaktuar mirëmbajtjen, ruajtjen dhe përmirësimin e ekosistemeve. Ndërsa, promovimi i përfshirjes socio-ekonomike është prioriteti i tretë, derisa prioritet i katërt mbetet transferimi i njohurive dhe inovacioneve në agrikulturë dhe forcimi i administratës publike”, tha ministri Stavileci.
Në anën tjetër, kryesuesja e Autoritetit Menaxhues në MBPZhR, Shqipe Dema, ka treguar se në hartimin e kësaj strategjie kanë qenë të angazhuar 150 persona në 15 grupe punuese, të cilat janë përbërë nga ekspertë të ministrive, shoqëria civile, universitetet, organizatat tjera donatore dhe palët me interes. “Përgatitja e programit për bujqësi dhe zhvillim rural 2014-2020 do të mbështetet nga projekti binjakëzimit dhe do të kemi edhe asistencë teknike nga donatorët, ndërsa zbatimi i këtij programi do të fillojë nga viti 2014 me buxhetin kombëtar, duke përfshirë kredinë e BB-së dhe mbështetjen e DANIDA-s”, ka thënë Dema.
Ndryshe, implementimi i deritashëm i planit për bujqësi dhe zhvillim rural 2007-2013 është financuar me rreth 80 milionë euro nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe sipas vlerësimeve të ekspertëve ndërkombëtar, përmes granteve investive janë gjeneruar 7074 vende të reja të punës, derisa përmes subvencioneve gjatë kësaj periudhe janë përkrahur mbi 60 mijë vende ekzistuese të punës në sektorin e bujqësisë. (ORAinfo)