5.8 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Në Gutën Lindore vdekja troket edhe në derën e strehimoreve

Më të lexuarat

Regjimi i Bashar al-Asadit dhe Rusia po kryejnë sulme intensive ajrore dhe tokësore ndaj popullatës së Gutës Lindore afër Damaskut në Siri duke mos njohur të drejtën e jetës kurse civilët shpresën e fundit për të mbijetuar e shohin duke u fshehur në strehimoret nëntokësore, shkruan Anadolu Agency (AA).

Gjatë javës së fundit vazhdojnë sulmet e pandërprera intensive nga toka dhe ajri ndaj rajonit të Gutës Lindore e cila ndodhet në lindje të Damaskut dhe nën kontrollin e opozitarëve.

Civilët të cilët gjatë javës së fundit u bllokuan në rrënoja si pasojë e sulmeve të ashpra të regjimit, Rusisë dhe të grupeve të huaja terroriste ndaj vendbanimeve civile, u detyruan të fshihen në strehimore nëntokësore.

Strehimoret nëntokësore ku jetojnë civilët nuk kanë asnjë kusht për ushqim dhe për banim. Për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore dhe tokësore më shumë civilë duhet të zbresin në këto strehimore ndërsa në anën tjetër vazhdojnë punimet për hapjen e tunelëve.

Banorët e Gutës Lindore, të cilëve u është marrë e drejta për të jetuar, kanë mbetur të bllokuar në strehimoret ku kanë hyrë për t’u mbrojtur nga vdekja dhe bombardimet e dhunshme.

“Nëse fëmijët nuk vdesin nga sulmet, do të vdesin nga uria”

Nëna Um Muhammed e cila është fshehur në strehimore nëntokësore së bashku me fëmijët e saj, për AA-në tregoi momentet e vështira të cilat po i përjetojnë.

“Fëmijët nga Guta Lindore po sulmohen me avionë gjatë 7 viteve. Ata nuk kanë nevojë që të kryejnë kaq sulme. Tashmë për disa ditë të gjithë do të vdesin nga uria. Asnjë furrë buke nuk punon. Nëse fëmijët nuk vdesin nga sulmet do të vdesin nga uria”, tha nëna nga Guta Lindore, Muhammed.

Duke thënë se kanë hyrë në strehimore nëntokësore për t’u mbrojtur nga sulmet intensive të regjimit dhe të Rusisë, Muhammed thotë se “Strehimoret nëntokësore janë të mbushura me fëmijë dhe gra. Në këtë strehimore ndodhen më shumë se 150 gra dhe më shumë se 200 fëmijë. Strehimoret në Gutën Lindore nuk janë të pajisura. Strehimorja nuk është e fortë, kur ndërtesat rrënohen edhe strehimoret rrënohen”.

Duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që ka mbetur i heshtur ndaj sulmeve dhe incidenteve të cilave po u nënshtrohen, Muhammed thotë se “Guta Lindore nuk po humb gjak. Guta Lindore po u dhuron gjak atyre që nuk kanë. As avionët, raketat e bombat fuçi të regjimit e as të Rusisë nuk mund të na frikësojnë. Me lejen e Allahut, po mbrohemi nga Allahu, nuk ankohemi”.

Muhammed po ashtu thotë se organizatat e ndihmave humanitare nuk po i përmbushin detyrat e tyre. “Tanimë nuk kemi besim tek askush, këtë fjali e kam dëgjuar nga shumë gra. Organizatat e ndihmave humanitare po punojnë për dollarë. Askush nuk arrin tek ne”.

“Ku janë shtetet arabe, pse janë të heshtura?”

Gade Um Bessam, një nënë tjetër thotë se janë detyruar që të zbresin në strehimore nëntokësore së bashku me fëmijët e saj me qëllim të mbrojtjes nga sulmet.

“Kemi mbetur të bllokuar në strehimore në Gutën Lindore. Po ballafaqohemi me çdo lloj të sulmit dhe të rrënojës. Çdo gjë që mund t’u bie ndërmend po ndodh këtu. Nuk ka energji elektrike dhe dritë. Jetojmë në frikë”, thotë Bessam.

Duke nënvizuar se po bombardohen me armë të ndaluara, Um Bessam thotë se “Që nga mëngjesi e deri më tani kanë hedhur 200 raketa. Fëmijët kërkojnë ushqim. Për 7 ditë jemi këtu, nuk kemi gjë për të ngrënë. Ku janë shtetet e botës, i thërras ata! Ku janë shtetet arabe, pse janë të heshtura?”.

“Allahu mos e faltë Asadin”

Edhe Ajshja e vogël, e cila ka humbur nënën dhe babanë, thotë se nuk mund të dalin nga strehimoret nëntokësore për një kohë për shkak të bombardimeve të dhunshme.

“Ne jemi nga Guta Lindore, për 10 ditë jemi në strehimore. Nuk e kemi askënd përveç Allahut. Këtu ka uri, sulme, avionë dhe raketa”, tha ajo.

Ajo tha se po fshehen nga frika e sulmeve. “Askush nuk po na ndjen neve. Nuk kemi asgjë, nuk ka ujë dhe ushqim, ka vetëm uri. Nuk mund të flemë as ditën e as në mbrëmje. Allahu mos e faltë Asadin”.

“Nuk kemi ngrënë asgjë 4 ditë”

Ahmeti i vogël thotë se gjatë ditëve të fundit në rajon kanë parë çdo lloj të armëve dhe të bombardimeve. “Jetojmë në Gutën Lindore. Po na godasin me çdo gjë. Po na godasin me çdo lloj të armëve. Ç’faj kemi ne? Nuk arritën që të na mbysin me bombardime, do të na mbysin me uri”, thotë ai.

Ahmet thotë se nuk mund të dalin nga strehimoret për shkak të sulmeve. “Nuk ka bukë, kërkojmë një kilogram miell, por nuk ka. Nuk kemi ilaçe. Kur një strehimore rrënohet, për të kaluar në tjetrën shëtisim strehimore më strehimore. Për katër ditë nuk kemi ngrënë asgjë. Po hapim tunelë nëpër strehimore”.

“Bombardohemi me avionë dhe raketa”

Shtatë vjeçarja Galiye thotë se kanë hyrë në strehimore për t’u mbrojtuar nga sulmet e dhunshme. “Po na godasin me bomba fuçi. Gjithë shokët/shoqet tanë po vdesin. Fëmijët po qajnë nga uria, nuk ka as ushqim e as pije. Po vdesim nga uria. Na bombardojnë me avionë e raketa. Le të na shpëtojnë neve”.

“Nuk po i shohim shokët/shoqet tona. Nuk mund të dalim jashtë. Dyqanet tashmë janë të mbyllura. Nuk ka të drejta të fëmijëve, na shpëtoni më”, thotë Galiye, duke shtuar se nuk frikësohen nga sulmet e regjimit.

“Jashtë ka vetëm bombardime”

Garamja e cila ka humbur familjen e saj nga sulmet e regjimit, duke treguar vështirësitë që ka përjetuar thotë se “Për 10 ditë jemi në këto strehimore. Po na godasin me çdo lloj të armëve. Shokët/shoqet kanë vdekur, nëna dhe babai kanë vdekur, nuk më ka mbetur më askush. Dëshirojmë të dalim jashtë për të marrë diçka por jashtë ka vetëm bombardime”.

Gjatë javës së fundit vazhdojnë bombardimet intensive

Sipas informacioneve të marra nga Mbrojtja Civile (Helmetat e Bardha) në Gutën Lindore, numri i të vdekurve gjatë javës së fundit nga sulmet e dhunshme të regjimit është afro 400.

Regjimi i Asadit gjatë javës së fundit shënjestroi 22 qendra shëndetësore, një xhami dhe një jetimore.

Në Gutën Lindore, e cila është nën kontroll të opozitës, jetojnë rreth 400 mijë civilë, të cilët përpiqen të mbijetojnë gjatë 5 viteve nën rrethim. Ky rajon në marrëveshjen në Astana u shpall zonë e deeskalimit të përleshjeve. Përskaj kësaj, pjesëtarët e regjimit të Asadit, vendi garantues i të cilit është Rusia, nga muaji prill i vitit të kaluar intensifikuan rrethimin, ndërsa muajt e fundit edhe sulmet.

Kriza humanitare në Gutën Lindore nga dita në ditë përkeqësohet, ndërsa mijëra civilëve u nevojitet evakuim. Shumica e civilëve të cilët duhen evakuuar urgjentisht, përbëhen nga fëmijët dhe persona të sëmurë nga kanceri.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit