14.7 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

“Medius”, një udhë komunikimi dhe për komunikimin

Më të lexuarat

Litarthi i komunikimit na ka mbështjellë të gjithëve, herë si aktorë e herë si spektatorë. Në një situatë të tillë është thuajse e pashmangshme të mos i kushtosh vëmendje formave të sotme të komunikimit dhe ndikimit të jashtëzakonshëm në jetën e gjithsecilit.
Raporti me fjalën dhe imazhin ka marrë një dimension të ri në “Shoqërinë e spektaklit”, siç e quan sociologu Guy Debord shoqërinë e sotme, të mbështetur në botën e imazhit. E si pasojë e trysnisë që ushtron spektakli dhe informacioni në jetën tonë si individ dhe si shoqëri, është e nevojshme të ketë një debat të shumanshëm, pasi askush nuk mund t’i shmanget këtij realiteti që ndikon thuajse në çdo fushë të jetës njerëzore.
Si pasojë e furisë së komunikimit janë vënë në një diskutim të përbotshëm konceptet mbi tolerancën, mbi të drejtën, mbi dhunën, mbi demokratizimin e jetës, e sidomos mbi ngjyrimet e shumta që merr informacioni nga dhënësi te marrësi. Ky realitet i ri ka nevojë për një debat sa më të hapur, pasi mjaft mesazhe kanë nevojë të dekodifikohen për shkak të fuqisë së jashtëzakonshme që kanë në jetën e përditshme njerëzore.

 

Revista “Medius” kërkon të jetë një tryezë e hapur për një udhë diskutimesh me qëllim që debatet e sotme të përbotshme të kenë qasje edhe për publikun shqiptar. Revista synon hulumtimin e disa temave që besojmë se kanë edhe interesin më të madh publik edhe për secilin nga ne pasi janë fenomene të pashmangshme e, si të tilla, edhe të domdoshme për t’u njohur. E për të patur sa më shumë argumente ndaj fenomeneve që kërkojmë të sjellim në vëmendje, çdo numër i revistës do t’i kushtohet vetëm një teme, duke synuar shumësinë e këndvështrimeve mbi të, si sociologjike, psikologjike, ekonomike, lingusitike, kulturore e krahasuese.

 

Po përse pikërisht numri i parë i “Medius” u fokusua te “Dhuna”?
Ndoshta sepse dhuna është shumdimensionale dhe se ne kemi një të kaluar që lidhet ngushtësisht me këtë fenomen. Por që motorri i dhunës të nisë të lëvizë shkaqet janë të ndryshme – historia, kultura, emocionet, frikërat, trysnia sociale, idetë politike, padrejtësia. Ndaj dhe e nisëm këtë udhëtim duke synuar që ta debatojmë që në origjinë problemin e dhunës, e jo thjesht vetëm me pasojat e saj.

(Autorët që kanë shkruar në këtë numër: Redi Shehu, Klementin Mile, Ergys Mërtiri, Emine Sadiku, Selami Xhepa, Kim Mehmeti, Milazim Krasniqi, Fitim Zekthi, Armando Bora, Fabian Zhilla, Agim Baçi, Brenton Kotorri, Ervin Qafmolla dhe Elton Hatibi)

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit