Zëdhënësi i Pentagonit, Eric Pahon, i ka vlerësuar për AA komentet e disa zyrtarëve amerikanë të cilët janë shprehur se ndërmarrja e një operacioni në Afrin nga ana e Turqisë do t’i çonte drejt një kaosi marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA-ve
WASHINGTON (AA) – Departamenti Amerikan i Mbrojtjes (Pentagon) mohoi pretendimet se operacioni i Turqisë në Afrin “do të çonte drejt një kaosi marrëdhëniet turko-amerikane”, duke bërë të ditur se një hap i vetëm nuk shkakton kaos dhe se vazhdojnë të jenë në kontakt të rregullt me Turqinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Pentagonit, Eric Pahon, i ka vlerësuar për AA komentet e disa zyrtarëve amerikanë që kanë dhënë deklarata në kushte anonimiteti, të cilët më herët u shprehën se ndërmarrja e një operacioni në Afrin nga ana e Turqisë do t’i çonte drejt një kaosi marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA-ve dhe do të shkaktonte konflikte rajonale.
“Nuk do të jap vlerësim lidhur me këtë çështje, sepse ky është një qëndrim shumë ekstrem”, u shpreh Pahon.
Pahon theksoi se gjërat nuk zhvillohen në këtë mënyrë në marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA-ve.
“Një hap i vetëm nuk mund të jetë tipikisht shkaktar i kaosit apo rënies. Ne jemi në kontakt të rregullt me aleatin tonë Turqinë”, tha ai.
“Ne i flasim këto gjëra. Kjo do të thotë të jesh aleat. Aleatët mund të mos jenë të një mendimi, por kanë vullnet të punojnë së bashku. Për sa i përket Afrinit, tanët (ushtarët) nuk gjenden aty, andaj kjo gjë nuk ndikon te ne. Po, duam të shohim secilin të fokusohet në mposhtjen e DEASH-it, që është synimi ynë kryesor”, shtoi Pahon.
I pyetur në lidhje me marrëveshjes mes Turqisë dhe Rusisë për tërheqjen e forcave ruse nga Afrini, Pahon tha se kjo çështje është marrëveshje mes Turqisë dhe Rusisë dhe se SHBA-të nuk përfshihen në këtë gjë.