Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka konfirmuar 10 raste të poliomielitit në Siri, që është paraqitja e parë e kësaj sëmundjeje në këtë vend në 14 vitet e fundit.
Kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara tha sot se po zhvillohen kontrolle në 12 raste të tjera me simptome të poliomielitit paralitik, që është forma më serioze e sëmundjes.
Shumica e të prekurve me këtë sëmundje është nën 2 vjeçare.
Zëdhënësi i OBSH-së, Oliver Rosenbauer, tha se ekziston “rrezik i lartë” se sëmundja mund të përhapet në gjithë rajonin, raportojnë mediat.
Para fillimit të luftës civile në Siri shumica e fëmijëve ishin të vaksinuar kundër poliomielitit. Lufta civile në Siri, që filloi në vitin 2011, ka shkaktuar krizë humanitare.
Kjo sëmundje me shkallë të lartë ngjitëse shpeshherë përhapet nga konsumi i ushqimit ose ujit të helmuar me fekale. /Tg/kohaislame