-1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Sektarizmi, armiku më i keq për muslimanët shqiptarë

Më të lexuarat

Sektarizmi, armiku më i keq për muslimanët shqiptarë

 

 

Muslimanët shqiptarë tradicionalisht i përkasin Islamit sunit, që nga ardhja e Islamit në trojet shqiptare e deri më sot. Sunitët përbëjnë pjesën dërmuese të muslimanëve në të gjithë botën, mbi 80 % e tyre, dhe vetëm një pakicë u përkasin sekteve dhe rrymave jashtë sunizmit. Nga këto sekte në pakicë, sekti që ka numrin më të madh të pasuesve, që nuk i përkasin sunizmit, është shiizmi. Ky sekt ka një shtrirje të kufizuar gjeografike. Ai gjendet me shumicë në Iran, Irak dhe Liban, ndërsa me pakicë në disa prej vendeve arabe si edhe në Pakistan e Indi. Në mesin e shqiptarëve, tradicionalisht nuk ka ekzistuar ndonjëherë ndonjë traditë e mirëfilltë shiite dhe për rrjedhim, nuk do t’ia vlente të trajtoheshin tema për tolerancë ndërsektare, siç mund të thuhej për shembull për ndonjë vend tjetër, si Iraku a Libani. Sot në trojet shqiptare ka interesa të caktuara nga qarqe të ndryshme, që kërkojnë të ndryshojnë raportet shekullore të Islamit shqiptar. Në mes tyre janë edhe shiitët e ardhur nga Irani, të cilët nën emrin e fondacioneve të tilla si “Saadi Shirazi” apo “Fondacioni i Kuranit” etj, kërkojnë të shiitizojnë Islamin shqiptar dhe ta bëjnë atë një kopje të variantit revolucionar iranian. Ata, duke mos gjetur një traditë shiite mes shqiptarëve, janë duke u munduar të përdorin si platformë për propagandën e tyre edhe tarikatet sufiste shqiptare. Veç kësaj, duhet thënë se ata janë duke përfituar edhe nga papërgjegjshmëria e theksuar fetare që shfaqin edhe drejtues të Komunitetit Musliman, të cilët se kanë për gjë t’i hapin dyert e bashkëpunimit kësaj propagande të rezikshme jo vetëm për mbarëvajtjen fetare, por edhe për interesat tona kombëtare. Përhapja e sektit shiit në mesin e suninjve shqiptarë do të rezultonte me pasoja tepër të dëmshme në të ardhmen e afërt ose të largët për vetë Islamin shqiptar. Ne shqiptarët suninj duhet të jemi të ndërgjegjshëm për aktualitetin tonë dhe nuk duhet të heshtim para këtij realiteti të ri që shfaqet në formën e botimit të librave, simpoziumeve, gazetave dhe revistave, që bëjnë propagandë të hapur apo të fshehtë shiite. Për më tepër, shiitët po ribotojnë librat e hoxhallarëve shqiptarë të traditës sunite për t’u popullarizuar e faktorizuar në mjedisin shqiptar duke përdorur si pasaportë lejen publike të Komunitetit Musliman. Lejet publike për “përvetësimin” e trashëgimisë fetare sunite, ashtu si edhe lajmet se Komuniteti Musliman u ka dorëzuar organizatave iraniane administrimin e një shkolle fetare (medreseje) apo ndërtimin e disa xhamive, bien ndesh me pretendimet se Komuniteti Musliman interesohet për mbarëvajtjen dhe ruajtjen e Islamit tradicional dhe harmonisë fetare në vend, kur në fakt po ndihmojë rrënjosjen e strukturave të një sekti të huaj për traditën dhe të rezikshëm për harmoninë fetare, sekt që instrumentalizohet nga një shtet revolucionar dhe luftënxitës si Irani. Shpresojmë se drejtuesit e sotëm të Komunitetit Musliman do ta kuptojnë në kohën e duhur këtë rezik dhe do të jenë në lartësinë e detyrës që kanë marrë përsipër, për të ndërprerë sa më parë bashkëpunimin me organizatat iraniane, bashkëpunim që e kemi trashëgim nga vitet e turbullta të tranzicionit e për të cilin ata nuk janë përgjegjës.

Meqë shiitët e Iranit sot janë faktor në politikën botërore, interesi mbarëislam, sipas disave, e do që të bashkëpunohet me ta, mirëpo kjo nuk do të thotë që edhe ne si shqiptarë t’u hapim atyre dyert, madje edhe atë të mundësimit që suninjtë shqiptarë të konvertohen në shiitë! Ne shqiptarët duhet të jemi më realistë për fatet e Islamit tonë lokal, dhe nuk duhet të na duket vetja se kemi ndonjë rol në arenën ndërkombëtare, e për rrjedhim u dashka të përfshihemi në ato lëvizje dhe ide që kërkojnë bashkime shiite-sunite! Të tillë ‘internacionalizma’ vetëm se do të favorizonin kushtet për shtimin numerik të shiitëve mes shqiptarëve dhe për rrjedhojë, mbas njëfarë kohe relativisht të gjatë apo të shkurtër, do të shikonim se si mes nesh do të rritej një minorancë e konsiderueshme shiitësh, të cilët sado vëllazërorë që të jenë, do të krijonin probleme të natyrës përçarëse mes muslimanëve shqiptarë, përçarje, e cila do të na sillte të tilla probleme të cilat askush nga ne nuk i dëshiron. A nuk na mjaftojnë problemet e shumta që ne kemi, por duhet t’u hapim derën edhe halleve të tjera në të ardhmen?! Armiqtë e Islamit të trojeve shqiptare janë të shumtë dhe nuk do të lënë rast që t’u ikë nga dora, me qëllim që të na dëmtojnë në çdo kohë, e të gjithë e dimë sesa lehtë shfrytëzohet arma e sektarizmit dhe për këtë kemi shembull të gjallë Irakun.

Bashkësitë islame shqiptare ashtu si edhe mjaft individë me zë në mes suninjve shqiptarë, janë të vetëdijshëm për dallimet seriozemes suninjve dhe shiitëve, por e keqja është se ata mendojnë se edhe muslimanët e thjeshtë janë të imunizuar dhe të ndërgjegjshëm për këto ndasi dhe ndoshta mendojnë se ata nuk do të bien pre e propagandës shiite! Gabimi i tyre është i dyfishtë: nga njëri krah ata nuk luajnë një rol aktiv në mbrojtjen e doktrinës sunite, kundrejt asaj shiite, dhe në krahun, tjetër me heshtjen e tyre, ndonjëherë edhe me deklarimet dhe qëndrimet e tyre, luajnë rolin e pro-shiizmit pasiv. Kjo duket qartë në bashkëpunimin që Bashkësia Islame Shqiptare kryen p.sh. me “Fondacionin e Kuranit”, një fondacion shiit ky, i financuar nga Irani, një shtet i cili jo vetëm në aspektin fetar vazhdon traditën e tij hershme të asimilimit të suninjve, por edhe në aspektin politik është kundërshtar indirekt i interesave kombëtare shqiptare.

Historia e afërt e vendeve të tilla si Iraku apo Libani, tregon mjaft qartë se si po shkatërron këto vende ndasia sektare mes sunive dhe shiitëve. Ndaj, ne duhet të jemi më të vetëdijshëm për rreziqet që na kanosen si muslimanë shqiptarë, jo vetëm në të ardhmen e afërt, por edhe në atë të largët. Ruajtja e unitetit doktrinar për ne muslimanët shqiptarë, është jetike.

J.Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit