3.4 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Sulmuesit e Konsullatës së Turqisë në Prizren dënohen me 5 vjet burgim

Më të lexuarat

Gjykata Themelore në Prizren të Kosovës, Departamenti për Krime të Rënda ka dënuar me pesë vjet burgim sulmuesit e Konsullatës së Republikës së Turqisë në Prizren, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prizrenit, Afërdita Kicaj në një deklaratë për AA njofton se sot Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin për 5 të akuzuarit për kryerjen e sulmit ndaj konsullatës së Republikës së Turqisë në Prizren, të cilët janë dënuar me nga një vit burgim secili, për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe se janë liruar nga akuza e rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare.

Kicaj njofton se brenda këtij dënimi prej një viti burgim, të akuzuarve do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Më 28 nëntor të vitit 2016, në ditën e Festës së Flamurit, ndodhi një sulm me koktej molotovi dhe me kubëza betoni ndaj Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Turqisë në Prizren dhe më pas pesë persona ishin arrestuar.

Zyra e Prokurorit të Shtetit kishte njoftuar se aktakuza ndaj të pandehurve I.S., Eg.S., B.S.,Ed.S. dhe B.B., që të gjithë nga Prizreni, është ngritur për shkak se si bashkëkryerës kanë kryer veprat penale “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

“Sipas aktakuzës të pandehurit akuzohen se më datë 28 nëntor 2016, në cilësi të bashkëkryerësve kanë kryer një sulm të dhunshëm mbi objekte zyrtare të një personi nën mbrojtje ndërkombëtare, kur akti i tillë ka gjasë të rrezikojë personin ose lirinë e tij. Po ashtu, të pandehurit në cilësi të bashkëkryerësve kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm për jetën e njerëzve dhe pasurisë, pasi që kanë gjuajtur me koktej molotovi dhe me kubëza betoni në drejtim të Konsullatës Turke, me ç’rast është shkaktuar zjarri në ndërtesë, dhe ka pasur gjasë të madhe të rrezikojnë lirinë e Konsullit dhe personave të tjerë në atë Konsullatë”, njoftohej nga Prokuroria e Shtetit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit