Një prift katolik që shërbente si pastor shpirtëror për të burgosurit në disa burgje të Kantonit të Lucernit është dënuar për veprime seksuale mbi të burgosurit dhe për bartjen e lajmeve në mes tyre. Pas dënimit nga gjykata, ai është pushuar nga puna si dhjak në kishën ku punonte dhe në burgjet e përmendura, shkruan sda.ch.
Personi i përmendur 64 vjeçar kishte punuar si i punësuar me kohë të pjesshme në disa kisha në kanton. Ndërsa në funksionin e tij si kujdestar shpirtëror (pastor) i të burgosurve, ai, në periudhën 2012-2017 ka përcjellë porositë në mes të të burgosurve në burgun Grosshof. Veç kësaj, i përmenduri kishte provuar të detyronte një grua të burgosur të kryente marrëdhënie seksuale me të.
Këshilli i Përgjithshëm Kishtar i zonës pastorale të tri bashkësive kishtare të regjionit buzë liqenit, ka bërë të ditur sot se dhjaku i përmendur, është shkarkuar nga detyra më 26 shtator.
Po ashtu, me vendimin e Ipeshkvisë së Bazelit, të cilës i takojnë famullitë kua ka punuar ai, prifti në fjalë tash e tutje nuk do të ketë të drejtë të ushtrojë shërbimet fetare si pagëzimi, kurorëzimi dhe ceremoni tjera që i takojnë një prifti.
Personi i përmendur është dënuar me kusht, me 150 njësi ditore nga 140 franga, në një kohë provuese prej dy vitesh, përcjell albinfo.ch. Po ashtu atij i është shqiptuar edhe një gjobë prej 4000 frangash dhe do t`i duhet të paguajë shpenzimet procedurale prej 6560 frangash.