-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

UNICEF: Kequshqyerja e fëmijëve të Arakanit më kritike sesa që supozohej

Më të lexuarat

Fondi Emergjent për Fëmijët pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNICEF) ka paralajmëruar se përqindja e kequshqyerjes akute në mesin e fëmijëve nga Arakani që janë strehuar në kampet e Bangladeshit fqinj si pasojë e dhunës në Mianmar është më e lartë sesa që supozohej, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate nga UNICEF, kequshqyerja në mesin e fëmijëve të Arakanit është nën pragun e emergjencës, ndërsa shëndeti i këtyre fëmjëve është përkeqësuar edhe më tej gjatë udhëtimit të tyre për në Bangladesh.

Rreth 26 mijë fëmijë që kanë ikur nga persekutimi në Mianmar janë strehuar në kampin e refugjatëve Kutupalong në Bangladesh, thuhet në deklaratën e UNICEF-it, ndërkohë që potencohet se këta fëmijë përballen edhe më rrezikun nga infeksione të rrugëve të frymëmarrjes dhe diarrea.

UNICEF njoftoi se shkalla e kequshqyerjes në mesin e fëmijëve nga Arakani është dyfish më e lartë sesa supozimet e mëparshme, duke shtuar se dy mijë fëmijë me kequshqyerje akute janë duke u trajtuar në 15 qendra të UNICEF-it dhe partnerëve.

Ndërkohë, përfaqësuesi i UNICEF-it në Bangladesh, Edouard Beigbeder, lidhur më këtë çështje tha se fëmijët me kequshqyerje akute “janë në rrezik të vdekjes për shkaqe të cilat tani mund të parandalohen tërësisht dhe të trajtohen”.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tarik Jasereviç, në një konferencë për media në zyrën e OKB-së në Gjenevë tha se kanë filluar fazën e dytë të fushatës së vaksinimit kundër kolerës për 180 mijë fëmijë të moshës një deri pesë vjeç.

Jasereviç theksoi se në kampe ende nuk është konfirmuar ndonjë rast i kolerës.

Katër mijë refugjatë kanë kaluar kufirin në 48 orët e fundit

Zëdhënësi i Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit (IOM), Joel Millman, bëri të ditur se afër katër mijë muslimanë të Arakanit kanë kaluar kufirin në 48 orët e fundit përmes pikëkalimit në fshatin Anjuman Para në Bangladesh.

Millman shtoi se këta refugjatë kanë përjetuar trauma, kanë vuajtur nga uria dhe janë të brengosur për jetën e familjeve të tyre.

Ndryshe, mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.

Gjatë sulmeve të fundit të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë djegur ose shkatërruar afër 300 fshatra.

Muslimanët e Arakanit ikin në Bangladesh për shkak të sigurisë së jetës. Civilët që largohen nga Mianmari kalojnë në Bangladesh përmes detit, lumit Naf dhe zonave malore.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit