Presidenti Recep Tayyip Erdogan mbajti një fjalim në pritjen e organizuar në Kompleksin Presidencial me rastin e Festës së 29 Tetorit, Ditës së Republikës.
Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) bëri të ditur se kanë dështuar të gjithë skenarët në nivel rajonal dhe global kundër Turqisë.
Në fjalimin e tij të mbajtur të dielën në pritjen e organizuar në Kompleksin Presidencial me rastin e Festës së 29 Tetorit, Ditës së Republikës, Presidenti Erdoan mysafirët i përshëndeti me fjalët: “Mirë se vini në Kompleksin Presidencial, në shtëpinë e popullit”.
“Në vitin 1923, Republika e Turqisë lindi si fidani i fundit nga tradita e jonë shtetërore mijëvjeçare”, deklaroi Erdoan dhe vijoi duke thënë se edhe pas 94 vitesh Republika e Turqisë vazhdon me rritje dhe zhvillim, ndërsa shtoi se ajo paraqet siguri, paqe dhe shpresë në një territor të gjerë.
Presidenti gjithashtu bëri të ditur se beson që Turqia do të jetë ajo që do të përcaktoj çerekun, madje edhe gjysmëshekullin e ardhshëm.
Duke vënë në dukje se sukseset që arriti Turqia në çdo fushë shqetësojnë disa rrethe të caktuara, kreu i shtetit turk vijoi me këto fjalë: “Pengesat që na dalin para, sulmet që vazhdojnë pothuajse pandërprerë, po i mënjanojmë një e nga një me ndihmën e Zotit dhe me përkrahjen e popullit tonë. Falë Zotit asnjë skenar nuk kishte sukses ndaj vendit tonë në saje të projekteve të suksesshme që realizuam në nivelin global dhe rajonal”.
“Ata që i punojnë prapa krahëve Turqisë, nuk e shohin akumulimin, përvojën, fuqinë mijëvjeçare të saj”, bëri të ditur Erdoan ndërsa shtoi se “Turqia është një vend shembull për botën me akumulimet e saj shekullore. Ata, të cilët mendojnë se Turqia përbëhet vetëm nga 80 milionë banorë, nuk i kanë parë me qindra miliona vëllezër tanë që bëjnë lutje dhe që zemrat dhe sytë i kanë të kthyera nga Turqia”.
Presidenti rikujtoi se Turqia këtë vit shënoi një rritje ekonomike në nivel 5,1%, ndërkaq shtoi se beson që ky nivel deri në fund të vitit do të arrijë në 7%.