Ministria e Punëve të Jashtme e Arabisë Saudite mohon pretendimet e disa mediave se një zyrtar i lartë saudit ka vizituar fshehurazi Izraelin
RIJAD (AA) – Ministria e Punëve të Jashtme e Arabisë Saudite mohon pretendimet e disa mediave se një zyrtar i lartë i saudit ka vizituar fshehurazi Izraelin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga MPJ thuhet se pretendimet “keqdashëse” të disa mediave se “një zyrtar i lartë i Arabisë Saudite ka vizituar fshehurazi Izraelin” janë të pavërteta dhe se kjo në asnjë mënyrë nuk ka të bëjë me të vërtetën.
Në deklaratë thuhet se “Arabia Saudite ka qenë gjithmonë transparente në politikat e saj dhe në marrëdhëniet e zhvilluara dhe se nuk ka ndonjë iniciativë e cila sjell nevojën e fshehjes së kësaj çështjeje”.
Kjo ministri po ashtu bën thirrje tek organet mediatike që të shkruajnë lajme të vërteta që të jenë të drejtë në lajmet e publikuara.
Kah mesi i muajit shtator në mediat izraelite, duke filluar nga radioja shtetërore e këtij vendi, pretendohej se një princ nga familja Mbretërore e Arabisë Saudite ka vizituar fshehurazi Izraelin ku thuhej se ky mund të jetë princi trashëgimtar Muhammed Bin Selman.
Në lajmin e radios shtetërore të Izraelit thuhet se ministri i Komunikimit të Izraelit, Ayoob Kara ka pretenduar se një zyrtar i lartë i shteteve të Gjirit ka vizituar vendin e tij, por nuk u dhanë informatat lidhur me identitetin e këtij zyrtari.
Ndërsa gazeta saudite Ilaf me qendër në Londër pretendon se vizitori nga shtetet e Gjirit është një zyrtar nga Katari.