-2.4 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Bankat Islamike Evropiane

Më të lexuarat

Kriza e fundit që përfshiu ekonominë botërore ka ndikuar të bëhen ndryshime të mëdha në sistemin ekzistues bankar i cili ishte shkaktari i recesionit. Në mënyrë serioze, ekspertët financiarë sugjeruan që gjatë ndryshimeve të ardhshme të sistemit bankar perëndimor të shqyrtohen dhe adaptohen disa segmente të bankave islamike. Bankat islamike, për shkak të ndërtimit dhe funksionimit të tyre të veçantë, nuk e përjetojnë asnjëherë krizën e cila vazhdimisht i kërcënohet sistemit bankar perëndimor. Për shkak të mosekzistimit të kamatave, bankat islamike nuk janë kurrë në rrezik të falimentimit. Natyrisht që i tërë sistemi bankar islamik nuk është i mundshëm të aplikohet në sistemin modern bankar perëndimor për arsye të shumta.

Megjithatë, ka kohë që në Evropë, SHBA dhe gjetiu në Perëndim, disa banka, tërësisht ose pjesërisht, funksionojnë mbi sistemin islamik të ndërtuara nga ligjet e sheriatit. Në fillim të viteve të 90-ta, në Britani të Madhe u bë me dije ekzistimi i këtyre bankave. Për shkak të rëndësisë financiare që ka Londra në sistemin global ekonomik dhe financiar, këto banka filluan të funksionojnë në kryeqytetin britanik i cili është edhe kryeqyteti botëror financiar. Në vitin 1993, gazeta e fuqishme “The Finacial Times”, bëri me dije se disa banka perëndimore kanë zënë vend të rëndësishëm në këtë fushë duke u angazhuar në tregun financiar në aspektin e transaksioneve financiare islamike të cilat kryesisht janë angazhuar në blerjen e aeroplanëve dhe anijeve. Doli në shesh që bankat e mëdha, siç janë Kleinwort Benson, ANZ Grindlays dhe Citibank, zbatojnë mënyrën e kostos dhe të financimit por edhe aspektet e transaksioneve me të madhe. Këto banka të rëndësishme në ekonominë e botës, brenda vetes, kanë themeluar njësi të specializuara islamike.

Këto njësi veprojnë në mënyrë të ndarë nga sistemi i përgjithshëm bankar duke e zgjuar një interesim të madh në financimin tregtar që ka të bëjë me transaksionet e mallrave siç është nafta, prodhimet tjera petrokemikale, prodhimet bujqësore, shitblerjen e aeroplanëve, tankerëve dhe mjeteve tjera për prodhim.

Këto banka, gjatë dy decenieve të fundit, kanë funksionuar mbi sistemin e ligjeve të sheriatit pa ndonjë problem. Madje, për shkak të fitimeve serioze financiare, aktiviteti i tyre edhe sot është në rritje. Brenda tyre funksionon edhe një numër i madh i ekspertëve të ekonomisë dhe atyre juridik që bëjnë interpretimin e të drejtës islamike (sheriatit) dhe sugjerojnë zbatimin e normave të këtij sistemi juridik. Madje, Kleinwort Benson ka paralajmëruar se është duke u përgatitur që të zgjerohet në mënyrë të konsiderueshme në zhvillimin e tregtisë financiare dhe në akomodimin e transaksioneve në lidhje me prodhimet e tjera. Disa njësi të këtyre bankave janë duke hulumtuar.

Mundësitë e formimit të tregut islamik për mallra

Udhëheqësit e këtyre bankave kanë deklaruar se tregu islamik i mallrave dhe sistemi interbankar do të mundësonte zhvillim të madh të mënyrave të investimeve bankare afatmesme dhe afatgjata.

Përfshirja e këtyre bankave perëndimore në sistemin bankar islamik daton që nga vitet e 70-ta të cilat ishin vitet kur filloi të lulëzojë tregtia e naftës e të cilat vite ndryshe quhen edhe lulëzimi i viteve të “petro-dollarit”. Transaksioni i parë i kësaj natyre u bë nga Kleinwort Benson në vitin 1982.

Kleinwort Benson është një bankë e themeluar fuqishëm që moti në marrëdhënie tregtare dhe e lidhur ngushtë me familjet e mëdha tregtare, kryesisht arabe, në Lindjen e Mesme. Pra, klienti i kësaj banke është i bazuar kryesisht në vendet e Gjirit Persik, por kjo bankë për klientët e saj është angazhuar edhe në Azi, Afrikë Veriore sikur edhe në të gjitha vendet e industrializuara perëndimore.

ANZ Grindlays është një bankë perëndimore (britanike) tjetër e cila me shpejtësi të madhe është duke u bërë faktori kryesor në sistemin bankar të Pakistanit. Një bankë tjetër islamike, Al-Rajhi Investment and Banking Corporation, është e angazhuar në aranzhimet e dhënies me qira të aeroplanëve klientëve jomyslimanë. Një bankë e këtillë është edhe Gatehouse Bank.

Në vitin 1997, në Britani të Madhe, shumë banka të këtij shteti kanë lansuar sistemin e hipotekave që funksionojnë mbi parimet e sheriatit. Kjo ndodhi pas lajmërimit të United Bank of Kuwait PLC, e cila kishte vendosur që myslimanëve t’u ofronte kredi (natyrisht, pa kamatë) për të blerë shtëpi. Pastaj, bankat kryesore britanike kanë nxituar që myslimanëve t’u ofrojnë shërbime bankare të rregulluara sipas sheriatit. Lloyds dhe NatWest kanë themeluar njësi të veçanta brenda vetes për të ofruar shërbime të këtij lloji për myslimanët britanikë dhe ata jobritanikë. Një veprimtari e këtillë është dëshmuar si tejet profitabile për bankat pasi që klientët refuzojnë t’i marrin kamatat.

Së voni, nga momentet e daljes nga recesioni, këto elemente pozitive të sistemit bankar islamik janë lavdëruar para publikut apo klientëve bankarë në Perëndim. Reuters ka raportuar se kriza e fundit është zbutur nga shuma prej 1 bilion dollarësh që ka prezantuar sistemi bankar islamik në industri dhe në tregun financiar të Perëndimit.

Derisa bankat konvencionale perëndimore janë duke i shëruar plagët e humbjeve që arrijnë shifrën 400 miliardë dollarë, bankat islamike, apo ato që funksionojnë duke i zbatuar disa nga parimet islamike, kanë mbetur të paprekur nga kriza.

Natyrisht që në Perëndim nuk është e mundur që në tërësi të zbatohet sistemi bankar islamik, por ekspertët e kësaj fushe kanë rekomanduar për aplikim të disa nga këto parime që do të përmirësonin kushtet e tanishme në tregun global financiar.

Daut Dauti

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit