-0.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

X-Keyscore e ka kthyer të gjithë botën në harddisk

Më të lexuarat

Sipas zbulimeve të fundit, shërbimi sekret amerikan NSA me pak klikime mund të informohej plotësisht mbi përdoruesit e internetit. Një proces i tillë nuk është aspak i vështirë
Sërish e ka tronditur botën zbulimi i një whistleblower si Edward Snoëden. Programi i spiunazhit, X-Keyscore i përdorur nga shërbimi sekret amerikan, NSA mund t’i përgjonte përdoruesit e internetit shumë më tepër në detaj se sa dihej më parë. Postimet në twitter apo blerjet në supermarket – asgjë nuk i ka shpëtuar syve të X-Keyscore. Një punonjës i thjeshtë i NSA, hapte një dritare të thjeshtë kërkimi në internet dhe me këtë atij i krijohet mundësia e kontrollit në të gjithë internetin, duke pasur në dorë gjithçka, e-mailet privatë, dokumente të kodifikuar, rrjetet sociale, madje me një program transkriptimi edhe bisedat telefonike. Publikimet e gazetës britanine “The Guardian” tregojnë se një proces kaq i papërfytyrueshëm nuk është aspak i vështirë. Me pak klikime mund të kesh në dorë të gjithë komunikimin online të një përdoruesi.

Përmasa të reja të përgjimit
Më së voni që në momentin që Snowden e informoi botën për programin e spiunazhit Prism, u shtuan spekulimet, se sa në mënyrë të detajizuar mund ta ndiqnin jetën e një përdoruesi punonjësit e NSA-së. Por se deri ku ka mundësi të arrijë X-Keyscore – kjo ka shokuar madje vetë ekspertët. Peter Schaar i ngarkuar për ruajtjen e të dhënave të qeverisë amerikane i tha programit gjerman të ARD-së, “Morgenmagazin”, se “sigurisht gjithkush që merret me çështjet e ruajtjes së të dhënave, është i bindur për cënueshmërinë e internetit. Por detajet që po publikohen tani janë vërtet të habitshme.”

Lokalizim përmes celularit
Bruno Kramm, kandidati kryesor i partisë pirate në Bavari e cilëson X-Keyscore si një maskë, “terminal i zotit, ku në çdo moment unë mund të hedh sytë në çdo skutë.” Kërkimi që bën X-Keyscore mund të krahasohet me kërkimin që bën një klient normal pë të gjetur një dokument në harddiskun e tij. “Mund ta përfytyrojmë kështu. Sikur e gjithë bota dhe njerëzit brenda saj të ishin të memorizuar në një harddisk të vetëm personal,” sqaron Kramm.

E-mailet gjermanë janë në fokus
Sipas Kramm dallimi i X-Keyscore me Prism është vetëm se analistët me X-Keyscore mund të kombinojnë shumë informacione – çfarë i shkruan një përdorues miqve në facebook, çfarë librash porosit ai në internet, dhe se me çfarë celulari në xhep ai shkon në një demonstratë. X-Keyscore e realizon këtë me një valë kërkimi. Një sistem kaq i thjeshtë është një arsye më shumë për analistët që t’i vëzhgojnë më hollësisht detajet. Një shembull i “Guardian”: Kush komunikon në një lokalitet X në një gjuhë të pazakontë për këtë lokalitet, mund të filtrohet si i dyshuar. Kush shkruan jashtë e-maile në gjermanisht po ashtu tërheq vëmendjen.
Kisha Evnagjeliste gjermane (EKD) ka më shumë se 100 partneritete me bashkësi fetare në botë. Besimtarët gjermanë që shkojnë në kishë në Kajro apo në Abu Dabi, i dërgojnë mesazhe shumë private priftit të tyre, sigurisht në gjuhën amtare. Delef Rückert, i ngarkuar për ruajtjen e të dhënave i EKD-s, paralajmëron nga publikimi në internet i shumë gjërave private: “Skandali aktual bën të qartë se sa delikate është posta elektronike. “Dabati tregon se biseda private është dhe mbetet kuadri i duhur i kujdesit shpirtëror.”

Autocensurë në vend të lirisë së mendimit
Edhe në Gjermani shërbimet sekrete mund të ndjekin përmes X-keyscore rrjedhën e një dite të plotë të një personi. Në mëngjes, anëtari i partisë pirate, Bruno Kramm bisedon me një koleg të partisë së tij. “Pastaj ai del shëtitje me qenin dhe poston në twitter, blen tek supermarketi Edeka dhe përdor kartën Payback. Të gjitha informacionet janë pjesë e një mozaiku.”
Politikani propozon të shkosh në pyll, po qe se do të bisedosh me mikun tënd më të mirë. Madje pa celular. Me publikimin e këtyre informacioneve ka për të ndryshuar edhe sjellja e përdoruesve në internet. “Ne bëhemi më dyshues kundrejt mjedisit që na rrethon”, thotë Kramm. Përdoruesit e internetit jo vetëm që do të vetëkufizohen, për atë që postojnë në e-maile, por madje do të kontrollojnë mirë edhe me mendimet e tyre. Pra: Autocensurë në vend të lirisë së mendimit./dw

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit