0.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Furnizimi me ujë rëndohet nga viti në vit

Më të lexuarat

Kosova edhe 14 vjet pas luftës nuk ka arritur që qytetarët t’i furnizojë me ujë të pijshëm 24 orë. Zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Arieta Mjeku thotë për Radion Evropa e Lirë se ka mungesë uji, për shkak të rënies së kapaciteteve të ujit në liqene, dhe gjithashtu edhe keqpërdorimi i ujit nga ana e qytetarëve.

Arjeta Mjeku thotë se tashmë niveli i ujit në liqenin e Badovcit ka rënë minus 10 metra nën nivelin maksimal, derisa ai i Batllavës minus 5 metra. “Ujësjellësi rajonal Prishtina në sezonin pranverë-verë nga viti në vit po përballet me ashpërsi të furnizimit me ujë të pijshëm për shkak të keqpërdorimeve të ujit të pijshëm që po bëhen nga qytetarët. Ne si kompani po mundohemi që me projekte ta përmirësojmë furnizimin e ujit të pijshëm, duke filluar nga rrjeti i vjetërsuar e deri te ndërtimi i fabrikës së ujit në Shkabaj, që deri në vitin 2016 qytetarët e Prishtinës dhe 6 komunave tjera që i menaxhojmë, mos të kenë më problem me furnizim me ujë”, shprehet Mjeku.

Oraret e reduktimeve të ujit janë mjaft të ashpra. Mjeku thotë se qytetarët janë informuar që nga muaji qershor me oraret e reduktimeve. “Reduktimet janë ato që tashmë janë publike, nga qershori, ata që furnizohen nga Batllava kanë reduktime nga 22 deri në 5 mëngjes, derisa ata që furnizohen nga Badovci kanë reduktime nga ora 10 deri 16 dhe nga 23 deri në orën 5 mëngjes”, bën të ditur Mjeku.

Ndërkaq qytetarët ankohen për mungesë uji. Sipas tyre, është e pakapshme që edhe 14 vjet pas luftës, mungesa e ujit të jetë kaq evidente.

Mirlinda Fevziu, thotë se gjatë 24 orëve, furnizohen me ujë vetëm 5 orë, derisa edhe ajo kohë nuk është funksionale, pasi që shtypja e ujit në katet e larta të ndërtesës është shumë e ulët. “Në këto temperatura të larta çfarë po mbretërojnë, të jetosh pa ujë është e tmerrshme. E ne kemi vetëm 3 deri në 5 orë ujë gjatë ditës, derisa edhe ato tri orë, është jo funksional, meqë nuk ka shtypje. E thërrasim për t’u ankuar shpesh ujësjellësin, por na thonë se niveli i liqenit të Badovcit ka rënë, dhe se kryeqyteti është mbipopulluar dhe nuk mund t’i mbulojnë nevojat që kanë qytetarët për ujë”, shprehet Fevziu.

Kurse Gëzime Hasani, zëdhënëse në Ministrinë e Ambientit ka bërë të ditur se tash për tash Kosova ka rezerva të kufizuara ujore. Sipas saj, që nga viti i ardhshëm qytetarët nuk do të kenë problem me furnizim me ujë të pijshëm, meqë këtë vit është duke u punuar në këtë drejtim.

“Qeveria e Kosovës, e posaçërisht Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me donatorët është zotuar disa herë se do ta prioritizojë këtë çështje dhe në të ardhmen të fokusohet më shumë në shfrytëzimin e ujit të pijshëm. Tash jemi duke u fokusuar në marrjen e fondeve për ndërtimi ne fabrikave që e riciklojnë dhe menaxhojnë ujin dhe ujërat e zeza dhe besoj se shumë shpejt ky më nuk do të jetë problem meqë gjithë banorët e Kosovës do të furnizohen me ujë të pijshëm”, thotë Hasani.

Zyrtarë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik thonë se 30 për qind e popullatës në Kosovë nuk janë të kyçur në ujësjellës. Kjo, sipas tyre, bën që rreth 50 për qind e sëmundjeve ngjitëse në Kosovë ta kenë burimin nga kualiteti i dobët i ujit.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit