4.5 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Rënia e mrekullisë së shtatë të botës: qeveria indiane nuk mirëmban Taxh Mahalin se u ndërtua nga muslimanët

Më të lexuarat

Taxh Mahal, monumenti ikonë i Indisë për dashurinë e përjetshme, ka marrë goditje viteve të fundit. Shifrat e vizitorëve janë ulur, dhe pluhuri po e kthen ngadalë mermerin e bardhë në të verdhë.

Ndërkaq, për t’i bërë gjërat më keq, ka nga ata në Indi që thonë se qeveria e fortë nacionaliste hindu që sapo është zgjedhur në shtetin Uttar Pradesh ku ndodhet Taxh Mahali po e mbyt vendndodhjen e famshme botërore duke mos dhënë fonde e duke mos e mbështetur për shkak, se ashtu si e konsideron ajo, mazoleumi është ndërtuar nga ‘pushtuesit muslimanë’.

Kryeministri i ri i shtetit, prifti hindu me rrobën ngjyrë shafrani, Yogi Adityanath, e vendosi këtë tonalitet në sjelljen e qeverisë kur u ankua më herët në një tubim se modelet e vogla të Taxh Mahalit shpesh u jepen dinjitarëve të huaj, duke thënë se monumenti “nuk reflekton kulturën indiane”.

Taxh Mahal, atraksioni më i madh turistik i vendit, nuk do të marrë më fonde të trashëgimisë kulturore nga buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm. Dhe monumenti u hoq edhe nga broshurat zyrtare turistike javën e kaluar, duke nxitur protesta nga partia kryesore e opozitës.

Abhishek Manu Singhvi, zëdhënës për partinë opozitare të Kongresit, e përngjasoi një broshurë pa Taxh Mahalin me një Hamlet pa Hamlet.

“Eshtë një fletpalosje për turizmin dhe përjashton Taxh Mahalin, në një farë mënyre duket si shaka, e në një tjetër nivel është tragjike. Eshtë sikur të themi se do të kemi Hamletin pa princin e Danimarkës”, u tha ai gazetarëve. Ai e quajti përjashtimin “një paragjykim të qartë fetar që është tërësisht pa vend”.

Qeveria e Adityanath u kundërpërgjigj duke thënë se shteti, mbështetur me fonde nga Banka Botërore, kishte caktuar 22 milionë dollar për monumentin, për dyer të reja, rinovime dhe një strukturë me disa nivele parkimi. 

“Taxh Mahali është mrekullia e shtatë e botës. Ka qenë gjithnjë prioritet jo vetëm për Uttar Pradeshin, por për të gjithë shtetin e Indisë”, tha Awanish Awasthi, sekretari kryesor i Adityanath. “Gjithnjë do të jetë qendror për politikat tona të turizmit, por ka edhe disa projekte të tjera të reja që ne dëshirojmë të veçojmë”.

Mazoleumi mbresëlënës, një vendndodhje trashëgimi botërore e UNESKO-s, është ndërtuar në shekullin e 17-të nga perandori mugal, shahu Jahan në kujtim të gruas së tij të ndjerë,  Mumtaz Mahal, dhe konsiderohet një nga shembujt më të shkëlqyer të arkitekturës indo-arabe. Poeti i famshëm indian, Rabindranath Tagore e quante atë “pikë loti… në faqen e kohës”.

Taxh Mahali prej kohësh ka qenë tërheqja parësore e vizitorëve të huaj, por numri i turistëve në të ka rënë vazhdimisht që prej vitit 2012, pavarësisht hapjes së një autostrade që mund të sjellë autobuzët turistikë nga kryeqyteti, Nju Delhi, në më pak se tre orë.

Sipas ministrisë së Turizmit, 480 mijë vizitorë të huaj kanë ardhur në këtë vend në vitin 2015, një rënie prej 35 për qind nga 743 mijë të tillë që e vizituan në vitin 2012. Numri i turistëve vendas po ashtu ra me pothuajse 113,400 nga viti 2012 në vitin 2015.

Zyrtarët e turizmit kanë dhënë arsye nga më të ndryshmet për këtë rënie, përfshirë ekonominë, mungesën e infrastrukturës dhe shqetësimet për sigurinë pas një përdhunimi në grup që ndodhi në vitin 2012, në Nju Delhi.

Lojtari Kevin Durant i “Golden State Warriors” nxiti kundërshti kur i përshkroi kushtet e varfra rreth Taxh Mahalit me terma të errët pas një vizite atje këtë verë.

“Ndërsa po ngisja makinën drejt Taxh Mahalit, mendova se do të ishte një tokë e shenjtë, super e mbrojtur, shumë shumë i pastër. Dhe ndërsa afrohen është si …, që më kujtuan disa lagje ku kaloja kur isha fëmijë”, tha ai. “Baltë në mes të rrugës, shtëpi të papërfunduara, por kishte njerëz që jetonin në to. Nuk kishin dyer, as dritare. Lopët nëpër rrugë, qentë e rrugës dhe pastaj, bum, Taxh Mahali, një nga shtatë mrekullitë e botës. Eshtë e tmerrshme, ai u ndërtua 500 vjet më parë dhe këtu vijnë të gjithë”.

Zyrtarët në biznesin e turizmit në qytetin Agra, ku ndodhet Taxh Mahali, thanë se lënia pas dore e monumentit nga administrata në favor të sajteve fetare hindu, është fatkeqësi duke pasur parasysh nevojat e tij.

“Qeveria aktuale e shtetit nuk jep mbështetje në Agra si një destinacion turistik, për shkak të monumenteve Maghal”, thotë Rajiv Saxena, sekretar për turizmin në një shoqatë tregtie në Agra. “Paratë për zhvillimin e turizmit nuk janë njoftuar. Fokusi i tyre do të jetë mbi turizmin fetar”.

Qeveria e Adityanath është fokusuar në promovimin e vendeve si qyteti antik i Varanasit, një vend pelegrinazhi hindu, dhe Gorakhpurit ku Adityanath është kryeprift në tempullin gjigand. Kështu thonë kritikët e qeverisë. Qeveria e mëparshme e këtij shteti kishte njoftuar planet për një museum Mughal dhe një qendër orientimi në Taxh Mahal, por nuk është e qartë nëse do të vijojë financimi për këto projekte.

“Programet qeveritare duhet të mbështeten nga buxheti vjetor”, thonë në Agra. “Nëse nuk ka alokim fondesh në buxhet, monumenti do të ketë një vdekje të shpejtë”.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit