-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Homo politicus dhe homo religiosus

Më të lexuarat

A ekzistojnë dhe ku janë kufinjtë e veprimit politik dhe të atij fetar, a mundë dhe a duhet bashkësitë fetare të cilat e kanë mision të vetin përhapjen e Fjalës të Zotit të kyçen drejtëpërsëdrejti në zhvillimet politike ?

Shkruan h Sulejman ef. Rexhepi

 

Kur interneti i hapi portat e veta përpara do viteve, të gjithë menduam se kjo gjë është një e aritur demokratike, se fjala dhe mendimi i shtypur me decenie po e marrin satisfaksionin e merituar, se përfundimisht po ngadhënjen e vërteta mbi diktatin, se njëtrajtshmëria dhe uniformiteti informativ ikën në theqafje.

Por, a mendojmë kështu edhe sot kur çdokush me një click po depërton në hapësirat mediale dhe po sillet aty sikur në bahçe të babës duke plasuar informacione të paverifikuara, gënjeshtra, spine, provokime,kurdisje ? A mendojmë sikur në vitet e para të internetit edhe sot kur po bëhet e dukshme se hapësirat që ne i mendojmë të pa kontrolluara, në fakt, shumë shpeshë po moderohen dhe po orientohen nga shërbimet e ndryshme sekrete ?

Dhe, personalisht ndoshta edhe do e kisha anashkaluar tërë këtë “tollovi të kontrolluar” sepse fushë e interesimit tim dhe institucionit që po e drejtoj nuk janë politika dhe intrigat, fyerjet dhe ofendimet. Mirëpo, përpjekjet djallëzore për të implikuar Bashkësinë Islame në lojëra të ndryshme politike e që po vijnë nga autorë të cilët po përpiqen të fshehin identitetin e vetë, herë herë po më detyrojnë të reflektoj.

Cështja e raportit mes fesë dhe politikës është diskutuar shumë shpeshë ndër ne dhe është aktualizuar posaçërisht gjatë kampanjave të ndryshme parazgjedhore . Një gjë e këtillë po ndodhë edhe aktualisht.Kuptohet, në një shoqëri të shëndoshë demokratike është tërësisht normale të diskutohet për tema të këtilla, biles një gjë e këtillë është edhe e nevojshme, gjithmonë nëse ky debat qëndron në suaza të konstruktivitetit dhe seriozitetit.

Sidoqoftë, është fakt se edhe historikisht, edhe aktualisht, raporti i fesë dhe politikës asnjëherë nuk është sqaruar dhe spjeguar tërësisht, përkundër analizave, shkrimeve dhe diskutimeve të shumta, qofshin ato teologjike apo politikologjike e sociologjike. Kjo ka ndodhur dhe po ndodhë për arsyen e vetme se njeriu është njëkohësisht edhe qenie politike edhe qenie religjioze.

Analistët dhe dijetarët seriozë, jo skribomanët e internetit e fb, me të drejtë sot po kërkojnë përgjegjen – a po përzihen feja dhe bashkësitë fetare në punët e politikës apo ndoshta politika po përpiqet të ndikojë në punët fetare e të kontrollojë institucionet që merren me çështjen fetare. Për këtë çështje, unë dhe të gjithë teologët e BFI jemi të gatshëm të diskutojmë e të dëshmojmë se, realisht, veprimet radikale të sistemit komunist ndaj fesë, në sistemin pluralist u sofistikuan, por nuk u zhdukën. Atë që bënte dikur sistemi komunist me urdhëra e dekrete, sot po e bëjnë shërbimet e ndryshme sekrete duke nxitur individë e grupacione që do shkaktojnë pakënaqësi te besimtarët. E tërë kjo me të vetmin qëllim që të dëmtohet e të kontrollohet strumbullari rreth të cilit janë të tubuar muslimanët dhe prej nga organizohet jeta e tyre fetare.

Poashtu, jam idhtar i hapjes së debatit rreth rolit të besimtarëve në jetën bashkëkohore shoqërore e publike, sikundër mendoj që duhet të debatohet dhe të sqarohet deri në fund një çështje që është prekur shpeshë nga autorë të ndryshëm: A mund të shkojnë dorë për dore politika dhe feja apo ndoshta janë tërësisht jokomplementare, siç thonë disa? A ekzistojnë dhe ku janë kufinjtë e veprimit politik dhe të atij fetar, a mundë dhe a duhet bashkësitë fetare të cilat e kanë mision të vetin përhapjen e Fjalës të Zotit të kyçen drejtëpërsëdrejti në zhvillimet politike ?

Mendoj se bashkësitë fetare nuk guxojnë të heshtin, pra nuk guxojnë të “mos përzihen në politikë” kur ajo i thyen dhe i anashkalon të drejtat elementare njërëzore dhe etike. Heshtja në një situatë të atillë do të ishte mohim i urdhërave të Zotit, sepse besimi dhe feja përfshijnë të gjitha segmentet e jetës njerëzore, sepse Zoti urdhëron të udhëzosh të pa diturit dhe të humburit, të ndihmosh të padrejtësuarit. Këto çështje janë më të rëndësishme dhe shumë më të thella se sa politika dhe nuk duhet kursesi të kuptohen si “përzierje” e thjeshtë e fesë në politikë

Pra, kujtoj se këto janë disa nga temat të cilat duhet gjithsesi trajtuar e debatuar në opinionin tonë kur janë në pyetje feja dhe politika, dhe jo pallavrat dhe trivialitetet e ndryshme të llojit “ filan hoxha u takua me filan politikanin, filan politikani kërkoi nga filan hoxha t’ia sigurojë një kontingjent votash…”.

Kuptohet se për të ruajtur interesat e fesë dhe të besimntarëve nga keqpërdorimet eventuale të politikës, si edhe nga zhurma e mjegulla që e prodhojnë individë të caktuar, shërbime dhe organizata të ndryshme, nevoitet shumë përpjekje dhe përkushtim,frymëzim i përhershëm, fuqi dhe energji, shumë mund dhe shumë luftëra,vendosmëri që do përcillet me shumë vetëmohim dhe shumë sakrificë.

Fatkeqësisht, deri sa ne po përpiqemi të vendosim temat dhe normat elementare të debatit, interneti po zien nga përpjekjet për kontrollim dhe infiltrim, orientim dhe deformim të diskursit përmes vendosjes të materialeve të cilat po i veshen dikujt tjetër.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit