1.8 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Shitja lirë dhe veresi – Nexhmedin Spahiu

Më të lexuarat

Qeveria e Kosovës jo vetëm që po i shet interesat e Kosovës lirë, por edhe po i jep veresi

Para ca ditësh isha në një odë në një fshat të Drenicës dhe mu shtrua pyetja se “si i kemi punët me politikë”. Në odat e Drenicës zakonisht përgjigjet jepen me mesele dhe ashtu u përpoqa të përgjigjem.

Thash: kish qenë njeri që kishte tre djem dhe e i dërgonte radhazi në pazar për ta shitur atë që kishin për të shitur. Njëri prej tyre gjithnjë kthehej në mbrëmje pa e shitur mallin. E mbante shumë shtrenjtë dhe askush nuk ia blinte. Tjetri sapo shkonte në pazar kthehej që me mëngjes, sepse e shiste menjëherë. Ofertën e parë që e merrte ia bënte për hair myshterisë dhe kthehej në shtëpi.

Djali i tretë kur shkonte në pazar kthehej tek në mbrëmje. Ai gjatë gjithë ditës sheshonte ofertat dhe në fund e shiste për çmimin më të mirë të ofruar.

Njëri prej pleqve në odë tha: “asnjani prej këtyne djemve s’paska qenë si qeveria e jonë”. Unë thash se qeveria e Kosovës është si ky i dyti që po e shet mallin me ofertën e parë e po kthehet në shtëpi që me mëngjes. Po, po tha plaku me ofertën e parë po se po, po edhe veresi po e jep.

Zgjedhjet e Serbisë në Kosovë

Zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare e presidenciale të Serbisë në Kosovë u bë në bazë të një kompromisi politik mes Prishtinës, Beogradit dhe Perëndimit. Kompromisi qe që Serbia të heqë dorë nga zgjedhjet lokale në Kosovë, ndërsa Kosova ta shkelë kushtetutën e vet dhe të shkoj përtej pakos së Ahtisaarit duke e shndërruar misionin e OSBE ambasadë të Serbisë në Kosovë.

Unë nuk jam që Kosova të zhvillojë një politikë rigide. Kjo do të thotë se Kosova duhet të bëjë kompromise. Dhe, ky ishte një kompromis politik. Por a ishte ky një pazar i mëngjesit apo i mbrëmjes është çështje që duhet diskutuar.

Plaku që e citova nga një odë e Drenicës ka plotësisht të drejtë. Jo vetëm që ishte pazar i mëngjesit, por edhe çdo gjë u dha veresi. Zgjedhjet lokale në Veri të Kosovës u mbajtën edhe pse Beogradi paralajmëroi se nuk do t’i njohë ato.

Së pari është e vështirë të besohet se zgjedhjet lokale në Veri të Kosovës janë mbajtur pa lejen e Beogradit, sepse atëherë shtrohet pyetja kush i financoi ato.

Dhe e dyta, premtimi se nuk do t’i njohë ato është një diçka “veresi”, sepse çka nëse pas një kohe i njeh ato. A do të thotë kjo se këto struktura të zgjedhura në këto zgjedhje nuk do të marrin rrogë nga Beogradi.

Shtetësia kosovare shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Me krijimin e Kosovës shtet, shqiptarët e Kosovës si krijues e pronarë të këtij shteti, u bënë komb. Më nuk janë vetëm një komunitet etnik por më tepër se kaq, janë komb që marrin përgjegjësi jo vetëm ndaj komuniteteve të tjera etnike që jetojnë në Kosovë, por edhe ndaj komuniteteve etnike shqiptare në shtetet tjera. Natyrisht, lindja e shtetit të Kosovës nuk ia heqë përgjegjësitë Republikës së Shqipërisë ndaj komuniteteve etnike shqiptare kudo në botë, por shteti i Kosovës bëhet hisedar në këto përgjegjësi e obligime. Kur është fjala për shqiptarët e Preshevës këtu Kosova ka më shumë përgjegjësi dhe obligime. Lugina e Preshevës frymon me Kosovën natyrshëm dhe Kosova ish dashtë që t’u jep shtetësinë gjithë qytetarëve të Luginës që e duan atë.

Preshevarët as më pak e as më shumë nuk kanë kontribuar në lëvizjen patriotike që rezultoi me lindjen e shtetit të Kosovës. Prandaj edhe e meritojnë ta kenë shtetësinë e Kosovës. Fakti që shteti i Kosovës nuk përfshinë edhe territorin ku ata banojnë nuk duhet të jetë arsye që t’i lejë ata pa shtetësi të Kosovës. Një shqiptar i Luginës së Preshevës mund të shtroj pyetjen se pse një shqiptar i Kosovës të jetë pjesëtar kombi e ai të mos jetë veçse pjesëtar i një pakice etnike. Natyrisht që çdo fshat, çdo lagje, e çdo familje ka asi qe kanë kontribuar më pak apo më shumë në lëvizjen që ka kulmuar në lindjen e shtetit të Kosovës, por në mesatare nuk mund të thuhet se ta zëmë, Novobërda, Kamenica e Vitia kanë kontribuar më shumë se Presheva, Bujanoci e Medvegja.

Kështu nëse OSBE ka marrë rrolin e Ambasadës së Serbisë në Kosovë, do të mund ta merrte edhe rrolin e Ambasadës së Kosovës në Serbi ku do të merrej me organizimin e zgjedhjeve presidenciale e parlamentare të Kosovës. Si duket këtë mundësi, Qeveria e Kosovës nuk e ka lënë as si veresi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit