1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Në Kosovë, numër i madh i punëtorëve pa kontrata pune

Më të lexuarat

Në tregun e punës në Kosovë, shumë punëtorë punojnë pa kontrata të punës në sektorin privat. Por, të dhënat e institucioneve qeveritare, përfaqësuesvetë punëtorëve dhe komunitetit të biznesit, dallojnë shumë për nga përqindja.

Përderisa përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), thonë se në treg më se 50 për qind e punëtorëve punojnë pa kontrata pune, përfaqësues të bizneseve thonë se kjo shifër arrin në më shumë se 20 për qind, kurse zyrtarë të Qeverisë vlerësojnë se tetë për qind e punëtorëve në treg janë pa dokumente.

Disa qytetarë, që punojnë në biznese kryesisht të vogla, pranojnë se punojnë pa kontrata pune.

Arsye e moskërkesës së një dokumenti të tillë nga punëdhënësi, sipas tyre, mund të ndikojë në humbjen e vendit të punës.

Flaka thotë se ka punuar për gjashtë muaj në një dyqan në qendër të Prishtinës, pa kontratë. Ajo thotë se as punëtorët tjerë nuk kanë ndonjë marrëveshje të shkruar.

“Edhe pse pa kontratë dhe mendoj se kam punuar mirë, pronari nuk na trajtonte mirë. Kurse një ditë, kur e kam përfunduar orarin e punës, pronari më ka treguar se më largon nga puna”, thotë Flaka.

Por, ndryshe nga Flaka, Yllza Slova, punon në një institucion mikro- financiar në Prishtinë dhe posedon kontratë të punës. Yllza thotë se kontrata i ofron siguri në punë.

 

“Po kam kontratë pune për një periudhe të pacaktuar. Natyrisht se ndihem më e sigurt, sepse më garanton vendin e punës”, thotë Yllza Slova.

Në anën tjetër, Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së pavarur të sektorit privat, në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se më shumë se 150 mijë qytetarë në Kosovë llogaritet që punojnë pa kontrata pune.

“Ose nëse e marrim me përqindje, kalon mbi 50 për qind të punëtorëve, sidomos në kohën e verës e kalon mbi 60 për qind, sepse është një frekuentim më i madh i punëve gjatë verës”, deklaron Azemi.

Por, kjo përqindje është e papranueshme për zyrtarë të Qeverisë së Kosovës. Basri Ibrahimi, kryeinspektor i Inspektoratit të Punës që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se përqindja e punëtorëve pa kontrata pune mund të arrijë në rreth 10, eventualisht 12 për qind.

“Por, në perceptimin e përgjithshëm mund të arrijmë deri në 10 -12 për qind punëtorë pa kontrata pune. Kështu që nuk është ajo përqindje ( 50 për qind), sepse Kosova nuk ka as potenciale ekonomike të ketë aqshumë njerëz në treg pa kontrata pune”, thotë Ibrahimi.

Ndërkaq, sipas një hulumtimi që ka përgatitur Aleanca Kosovare e Biznesit, rezulton se më shumë se 20 për qind e qytetarëve punojnë në mënyrë joligjore.

Numri më i madh këtyre punëtorëve, punojnë në sektorin e ndërtimtarisë, bujqësisë dhe atyre të shërbimeve.

Kryetari i kësaj aleance, Agim Shahini, duke treguar arsyet e punës pa kontratë, tregon për Radion Evropa e Lirë, se 75 për qind e punëtorëve në treg punojnë me kontrata të punës.

“Arsye pse nuk kanë kontratë apo marrëveshje, janë punët sezonale, pasi për një periudhë të shkurtër punëtorët nuk dëshirojnë të lidhin kontratë, pasi janë në skema të ndryshme sociale”.

“Arsye tjetër është se shpeshherë punëtori është i interesuar të dalë jashtë vendit dhe nuk dëshiron të paguajë taksa dhe obligime tjera”, sqaron Shahini.

Por, ndryshe mendon Jusuf Azemi nga BSPK-ja. Arsye e mungesës së kontratave të punës, sipas tij, është mos gatishmëria e punëdhënësit, pasi në mungesë të këtij dokumenti, punëdhënësi më lehtë manipulon me punëtorin.

Ai thotë se në të shumtën e rasteve pronarët nuk janë të gatshëm të nënshkruajnë marrëveshje me punëtorët.

“Nuk ka punëtorë që nuk dëshiron siguri në vendin e punës. Cili është ai punëtor që punon 10 -15 vjet dhe kur arrin afër periudhës së pensionimit nuk ka asnjë para në Fondin Pensional të Kosovës?”.

“Mjetet tona me të cilat ne dëshirojmë mjete edhe në Fondin Pensional të Kosovës, janë duke u gëlltitur nga pronarët e kompanive gjithmonë me bekimin edhe të institucioneve shtetërore”, shprehet Azemi.

Gjatë inspektimeve në disa kompani private, vitin e kaluar Inspektorati i Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, kanë hasur në më shumë se 1100 punëtorë pa kontrata pune.

Basri Ibrahimi, kryeinspektor në këtë mekanizëm, tregon se në bazë të ligjit, kompanitë që të mbajnë punëtorë pa kontrata pune, mund të gjobiten deri në 10 mijë euro.

“Në 99 për qind të rasteve, Inspektorati kur konstaton se ka punëtorë pa kontratë, nuk e lëshon punëdhënësin pa e pajisur punëtorin me kontratë. Sepse ne shkojmë fillimisht në inspektim, pastaj në ri-inspektim dhe nuk ndalemi derisa ta lajmërojë punëtorin në Administratën Tatimore të Kosovës”, shprehet Ibrahimi.

Kontrata e punës është veprim juridik i dyanshëm,i cili rregullon të drejtat të punëdhënësit dhe të punëmarrësit.

Në bazë të kontratës, punëdhënësi është i detyruar që të punësuarin ta paraqesë në Administratën Tatimore të Kosovës dhe institucionet tjera, të cilat menaxhojnë dhe administrojnë skemat e obligueshme pensionale dhe skemat tjera.

Po ashtu, punëdhënësi është i obliguar për pagesën e kontributeve dhe detyrimeve tjera ligjore./rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit