Mijëra civilë të prekur nga paniku vazhdojnë të ikin nga luftimet e ushtrisë së Mianmarit në Arakan drejt kufirit me Bangladeshin, përfshirë edhe qindra të plagosur
BANGLADESH (AA) – Mijëra muslimanë të shtetit perëndimor të Mianmarit, Arakan, vazhdojnë të lëshojnë shtëpitë e tyre për shkak masakrës ndaj tyre nga qeveria e Mianmarit dhe murgjit budistë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Mijëra civilë të prekur nga paniku vazhdojnë të ikin nga dhuna e ushtrisë së Mianmarit në Arakan drejt kufirit me Bangladeshin, përfshirë edhe qindra të plagosur.
Nga Zyra e Këshilltarit Shtetëror theksuan se sulmet vdekjeprurëse në vendet kufitare në shtetin perëndimor Arakan shpërthyen të premtem, duke lënë të vdekur një ushtar, 10 oficerë policie, një zyrtar të emigracionit dhe 77 militantë.
Mirëpo, më vonë nga raportimet e mediave doli në shesh se forcat e sigurisë së Mianmarit përdorën forcë të tepruar dhe zhvendosën mijëra fshatarë muslimanë Rohingya, duke shkatërruar shtëpitë me mortajë dhe armë të tjera.
Zëdhënësja e Këshillit Evropian për Muslimanët Rohingya (ERC), Anita Schug, dje në Gjenevë tha se mes dy dhe tre mijë muslimanë janë vrarë në sulmet e ushtrisë së Mianmarit në Arakan, edhe atë vetëm në tre ditët e kaluar.
Ajo për AA duke theksuar se “në Arakan jemi ballë për ballë me një gjenocid të heshtur”, tha se masakrat e fundit të ushtrisë kundër muslimanëve në Arakan janë me përmasa disa herë më të mëdha sesa ato të vitit 2012 dhe ngjarjet e tetorit të vitit të kaluar.
Ky rajon po ballafaqohet me tensione në rritje të vazhdueshme mes popullsisë së saj budiste dhe muslimane, që nga shpërthimi i dhunës në vitin 2012.
Ndryshe, muslimanët e Arakanit humbën të drejtën e shtetësisë në Mianmar nëpërmjet një ligji të miratuar në vitin 1982, ndërsa llogariten si popull “pa shtet”. Ata llogariten si “pakica më e persekutuar” nga OKB, ndërsa përballen me dhunë dhe me diskriminim ligjor, ekonomik dhe shoqëror.
Ata u përballën me dhunë masive pas sulmeve në tetor të vitit të kaluar ndaj tre stacioneve kufitare, ku humbën jetën tetë policë.