Izraeli planifikon që të ndërtojë 3 vendbanime të reja hebreje në jug të Bregut Perëndimor
JERUSALEM (AA) – Izraeli planifikon që të ndërtojë 3 vendbanime të reja hebreje në jug të Bregut Perëndimor, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të gazetës izraelite “Maariv”, thuhet se kompania izraelite e quajtur “ Zhvillimi i Malit Yehuda” po planifikon që në bashkëpunim me këshillin e vendbanimit Gush Etzion në jug të Bregut Perëndimor të ndërtojë 3 vendbanime të reja në rajon.
Në lajm thuhet se drejtori i kompanisë, Moshe Moskoviç, është shprehur se “Vendbanimet e reja për të cilat po punojmë me ministritë përkatëse, do ta zgjidhin krizën e banimit në Jerusalem dhe rrethinën e tij.”
Njoftohet se e para prej vendbanimeve që planifikohet të ndërtohet do të ketë kapacitetet prej 500 deri në 1 mijë banesa, e dyta 500 banesa dhe se e treta do të ketë kapacitet për rreth 10 mijë persona.
Nuk ka deklaratë zyrtare lidhur me çështjen nga zyrtarët izraelitë.
Takimet për paqen mes Izraelit dhe Palestinës në prill të vitit 2014 ishin ndalur për shkak se Izraeli “nuk kishte pranuar kufijtë e vitit 1967, të drejtën e kthimit të palestinezëve të cilët janë detyruar të largohen të migrojnë dhe dhënies fund të ndërtimit të vendbanimeve hebreje”.
Në anën tjetër pritet që delegacioni i SHBA-ve nën kryesimin e kryekëshilltarit dhe dhëndëri i presidentit Donald Trump, Jared Corey Kushner, sot të vizitojë këtë rajon. Delegacioni i SHBA-ve në kuadër të vizitave për rifillimin e takimeve të paqes mes Palestinës dhe Izraelit, gjatë dy ditëve të fundit ka vizituar Arabinë Saudite, Katarin, Jordaninë dhe Egjiptin.