-0.5 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

“Lufta e Ftohtë” mbaroi, ajo e spiunëve ende jo

Më të lexuarat

Lufta e Ftohtë tashmë ndodhet në arkiva që prej 20 vitesh, por lufta e spiunëve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Federatës së Rusisë nuk është ndërprerë kurrë.

E kultivuar në brigjet e kundërta të oqeanit nga të infiltruar tashmë të moshuar, të mbetur në borderotë respektive të ish-superfuqive armike përballë mureve që binin, ajo rifillon sërish me përfshirjen e agjentëve të rinj të dyfishtë, të trefishtë apo kush e di ç’gjë tjetër.

Ndërmjet goditjeve më të bujshme – qartësisht nga ato të zbuluarat – vlejnë të përmenden rastet e Aldrich Ames dhe të Robert Hanssen, të dy për vite e vite në shërbimin e fshehtë sovjetik (dhe pastaj rus) përpara se të zbuloheshin, të arrestoheshin dhe të dënoheshin me burgim të përjetshëm në SHBA.

I pari – funksionar i CIA-s i cili arriti deri në majën e departamentit operativ, që merrej me aktivitetin e kundërspiunazhit për KGB-në dhe GRU-në (shërbimi sekret ushtarak rus) – vazhdoi t’i jepte Moskës sekrete dhe emra duke u shpërblyer me miliona dollarë, deri në vitin 1994.

Një dëm i madh për sigurinë amerikane, por më pak i dëmshëm nga Robert Hanssen, i cili arriti të merrte pjesë në takimet ultrasekrete të FBI-së dhe i aftë të bëhej përreth 20 vjet informatori tepër, tepër sekret i GRU-së.

I rekrutuar nga shërbimi i atëhershëm sekret ushtarak sovjetik që nga viti 1979, bashkëpunoi deri në vitin 1992 edhe me Rusinë postsovjetike.

Hanssen ofroi shërbimet e tij për GRU-në dhe më pas për SVR-në (pasardhëse e filialit të jashtëm të KGB-së), përpara se të zbulohej dhe të arrestohej në vitin 2001.

Histori të ngjashme janë edhe ato të George Trofimoff, kolonel i ushtrisë amerikane, i dënuar në vitin 2000 për aktivitet të dyshuar në favor të KGB-së dhe të filialeve të saj përreth 25 vjet.

Apo historia e Harold James Nicholson, funksionar i lartë e CIA-s, i cili filloi të punojë për rusët që në vitin 1994.

Rasti më i freskët (dhe për disa më folkloriku) është ai i Anna Chapman (e lindir Kushchyenko), e ashtuquajtura ”Anna e kuqja”, simbol i rrjetit të dyshuar të të infiltruarve (10 në total) e zbuluar në vitin 2010 nga autoritetet amerikane.

Një rrjet i përbërë, sipas akuzës, nga persona në dukje të zakonshëm, të cilët ishin futur në SHBA nëpërmjet martesave, studimeve apo për arsye pune, por që në realitet ishin pjesë e një programi infiltrimi që dirigjohej nga shërbimi sekret rus.

Një operacion i përfunduar pak muaj më parë në një shkëmbim spektakolar agjentësh të dyshuar, ndodhi në Vjenë, në sfondin e një skenari të denjë për histori me spiunë të viteve ’50, ’60 apo ’70.

Në frontin përballë, SHBA mund të reagonte për shembull me një kolonel pothuajse të papenetrueshëm GRU, Stanislav Lunev, i ikur në Amerikë që në vitin 1992 dhe i shndërruar në ”konsulent” i CIA-s dhe FBI-së.

Apo rasti i Oleg Kalughinit, një gjeneral i KGB-së, i cili kaloi oqeanin në vitin 1995, vite të tëra pasi ishte liruar nga shërbimi ushtarak. I ricikluar si analist për llogari të amerikanëve, Kalughin ka mohuar gjithmonë se ka dhënë emra që nuk ishin identifikuar nga kundërspiunazhi perëndimor: por, pasi Vladimir Putini erdhi në pushtet, Kalughini u akuzua në Rusi për tradhti të lartë dhe u dënua me 15 vjet burg.

Së fundmi, në vitin 2000 burgoset në Rusi Edmund Pope, biznesmen dhe ish-zyrtar i shërbimit sekret i marinës amerikane, i dënuar pasi ishte përpjekur të siguronte informacione mbi silurët e rinj rusë. Pope, i sëmurë, u fal nga Putini për arsye humanitare.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit