-1.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij

Më të lexuarat

Allahu i Lartësuar thotë: O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja. Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Kiametit. Kjo për ju është më e mira dhe shpjegimi më i bukur.” (Nisa, 59)

Sa i përket konceptit të bindjes do të ndalemi te shkaku i zbritjes së këtij ajeti në mënyrë që të kuptojmë qëllimin e tij. Librat e komentimit të Kuranit theksojnë një sërë transmetimesh lidhur me zbritjen e këtij ajeti, por përgjithësisht mund t’i përmbledhim këto:

1-     Siç transmetohet në Sahihun e Buhariut dhe Muslimit nga ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej të dytë, fjala e Allahut të Lartësuar: “Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja.” ka zbritur për Abdullah b. Hudhafe kur i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, e dërgoi në një ekspeditë. Kështu thuhet në transmetimin e Sahihut të Buhariut shkurtimisht.

2-     Gjithashtu transmetohet nga Aliu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë se i Dërguari i Allahut dërgoi një ekspeditë, caktoi një burrë prej ensarëve dhe i  urdhëroi t’i binden atij. Ai u hidhërua dhe tha: “A nuk ju ka urdhëruar i Dërguari i Allahut të më bindeni?” I thanë: “Po, gjithsesi. Tha: “Grumbulloni drutë dhe ata i grumbulluan. Tha: “Ndizni zjarrin” dhe ata e ndezën zjarrin. Ai u tha: “Hyni në të dhe deshën të hyjnë. Ai u qetësua kur kuptoi i Dërguari për këtë tha: “Sikur të kishin hyrë në të nuk do të dilnin prej zjarrit deri në Ditën e Kiametit. Por dëgjueshmëria duhet të tregohet në atë që është e rregullt dhe e mirë.” Ky transmetim e shpjegon atë që e ka përgjithësuar transmetimi i mësipërm.

Shkurtimisht këto janë shkaqet për zbritjen e këtij ajeti dhe bazuar mbi këtë themi se bindja dhe dëgjueshmëria e urdhëruar ndaj udhëheqësve dhe atyre që drejtojnë punët në këtë ajet ka për qëllim dëgjueshmërinë dhe bindjen në gjëra që janë të mira dhe të rregullta. Aliu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Prijësi është i obliguar të gjykojë me drejtësi dhe ta kryejë amanetin e vet, ndërsa kur ta bëjë këtë masa është e obliguar ta dëgjojë dhe ti bindet” Shënon Ibn Ebi Shejbeh në Musanef.

Kanë ardhur edhe hadithe të shumta të sakta sa i përket obligimit të dëgjueshmërisë ndaj prijësve në gjëra që janë të mira dhe se nuk ka dëgjueshmëri ndaj krijesës duke i bërë mëkat Allahut të Lartësuar. Prej këtyre haditheve është edhe ky në të cilin i Dërguari i Allahut thotë: “Dëgjimi dhe bindja është hak përderisa nuk urdhërohet për mëkat, ndërsa nëse urdhërohet për mëkat atëherë nuk ka dëgjim e as bindje.” Buhariu dhe Muslimi.

Prijësit sipas pikëpamjes së sheriatit janë një grup i caktuar, ata janë shembulli, modeli dhe udhëheqësit e umetit. Ata janë të besuarit e umetit në fenë e tyre dhe në interesat e tyre. Të dijshmit konsiderohen prej prijësve dhe prej atyre që drejtojnë punët, gjykatësit gjithashtu janë prej tyre.

Ibn Kajimi, Allahu e mëshiroftë, në këtë kontekst thotë: “Prijësit dëgjohen dhe respektohen nëse urdhërojnë sipas dijes. Bindja ndaj tyre është e varur me bindjen ndaj dijetarëve. Bindja duhet të jetë në gjëra të mira e të ligjshme dhe sipas asaj që obligon dija. Ashtu siç bindja ndaj dijetarëve është e varur ndaj bindjes ndaj të Dërguarit, bindja ndaj prijësve është e varur me bindjen ndaj dijetarëve. Andaj mirësia e botës qëndron në mirësinë e këtyre dy grupeve të njerëzve ndërsa prishja e botës në prishjen e tyre, ashtu siç kanë thënë disa prej të parëve: “Dy grupe njerëzish nëse përmirësohen do të përmirësohen edhe njerëzit ndërsa nëse ata prishen, prishen edhe njerëzit, ata janë prijësit dhe dijetarët.”

 

Përgatiti: Almedin Ejupi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit