Pas ndalesës së Izraelit për hyrjen në Al Aksa të meshkujve nën moshën 50-vjeçare, mijëra palestinezë kanë falur namazin e xhumasë jashtë kompleksit Al Aksa dhe në rrugët dhe rrugicat e Qytetit të Vjetër të Jerusalemit, raporton Anadolu Agency (AA).
Policia izraelite mori masa të rrepta sigurie në Jerusalemin e okupuar Lindor dhe përreth Al Aksasë, duke vendosur një numër të madh të pikave të kontrollit.
Ndërkaq, nga Vakëfi i Al Aksasë përmes një deklarate me shkrim bënë të ditur se namazin e xhumasë brenda Al Aksasë e kanë falur dhjetë mijë palestinezë.
Muftiu i Jerusalemit dhe Palestinës, Sheik Muhammed Husein, i cili mbajti hutben e xhumasë në Al Aksa, u bëri thirrje palestinezëve të ruajnë qetësinë dhe të tregojnë durim.
“Përqafojeni besimin tuaj dhe qëndroni fort me të. Ne nuk e mbështesim dhunën. Megjithatë, ne kurrë nuk pranojmë që okupatorët të shkelin nderin e Al Aksasë. Ne duam t’i kryejmë ritet në Al Aksanë tonë. Ky vend është kibleja (orientimi) e parë e muslimanëve”, porositi Sheik Husein.
Në ndërkohë, pas faljes së namazit të xhumasë, policia intervenoi ndaj xhematit me shok bomba në lagjen Vadi El Xheviz të Jerusalemit të okupuar Lindor.
Mes policisë dhe muslimanëve palestinezë të cilët brohorisnin me tekbire dhe sloganë, erdh deri te një përplasje e vogël. Incidenti përfundoi pa u zmadhuar.
Incidente në Bregun Perëndimor
Nga ana tejtër, në rajone të ndryshme të Bregut Perëndimor të okupuar, policia ka intevenuar ndaj xhematit i cili namazin e xhumasë e fali në ambient të hapur. Nga incidentet u raportua të ketë edhe të plagosur.
Kurse pjesëtarët e ushtrisë izraelite kanë vrarë sot një palestinez në Bregun e pushtuar Perëndimor para lagjes hebreje Gus Etzijon për shkak të pretendimit të “sulmit me thikë”.
Në njoftimin e ushtrisë izraelite thuhet se palestinezi tentoi të kryejë sulm me thikë. Në njoftimin theksohet se palestinezi është vrarë me disa të shtëna dhe në anën e ushtrisë izraelite nuk ka të plagosur.
Ministria e Shëndetësisë e Palestinës konfirmoi informacionin se në Bregun e pushtuar Perëndimor me armë zjarri është vrarë një palestinez, identiteti i të cilit ende nuk është konfirmuar.
Ndryshe, policia izraelite përmes një deklarate me shkrim sot njoftoi se nuk do të lejojë hyrjen në Al Aksa të meshkujve nën moshën 50-vjeçare dhe se kufizimi nuk vlen për gjininë femërore.
Policia po ashtu njoftoi se në muret e Jerusalemit dhe brenda rajonit të Qytetit të Vjetër janë vendosur forca shtesë policore dhe se në këtë rajon do të mbyllen edhe disa rrugë.
Çfarë ndodh prej dy javësh?
Përshkallëzimi i situatës në Al Aksa ndodhi kur autoritetet izraelite mbyllën Xhaminë Al Aksa dhe anuluan namazin javor të së premtes për herë të parë pas gati pesë dekadash, pasi më 14 korrik policia izraelite vrau tre palestinezë me arsyetimin se kanë ndërmarrë sulm të armatosur, ndërsa pohoi se dy policë izraelitë kanë humbur jetën si pasojë e incidentit.
Xhamia më vonë u rihap pasi policia instaloi detektorë metali dhe kamera në portat e saj.
Muslimanët protestuan kundër masave dhe falën namazin para portave të kompleksit, ndërsa hasën në ndërhyrje nga forcat izraelite. Përplasjet me policinë çuan në vdekjen e 11 personave, përfshirë 8 palestinezë.
Megjithatë, Izraeli refuzoi të hiqte detektorët, duke pohuar se masat e sigurisë ishin të ngjashme me procedurat e përdorura në vende të tjera të shenjta anembanë botës.
Duke u përkulur ndaj presionit ndërkombëtar, Izraeli hoqi detektorët e metalit më 25 korrik, por tha se një sistem i ri i mbikëqyrjes që përdor “kontrolle të zgjuara” bazuar në teknologjinë e përparuar do të vihej në vend të tyre.
Autoritetet izraelite dje në orët e hershme të mëngjesit hoqën edhe barrierat e hekurit të vendosura pranë portave të Al Aksasë.
Muslimanët dje u mblodhën për të falë namazin e ikindisë në Al Aksa pas thirrjes së dijetarëve të Jerusalemit. Fillimisht, policia izraelite nuk hapi disa porta të kompleksit, por pas reagimit intensiv të palestinezëve, dje në Al Aksa u hapën të gjitha portat dhe dhjetra mijëra persona filluan të hyjnë në kompleks.
Më pas, policia izraelite filloi të intervenojë ndaj palestinezëve brenda dhe jashtë Al Aksasë me shok bomba dhe plumba gome dhe mbylli të gjitha portat përveç Portës Asbat. Mbi njëqind palestinezë u plagosën gjatë intervenimit policor.
Kjo gjendje shkaktoi përplasje mes palestinezëve dhe policisë izraelite në oborrin dhe portat e Al Aksasë. Pas namazit të jacisë, policia izraelit hyri në Al Aksa dhe u përpoq të nxjerrë me forcë muslimanët brenda Xhamisë së Kibles. Firas ed-Dibs, koordinatori mediatik i Vakëfeve Islame të Jerusalemit, tha se forcat izraelite u përpoqën të thyejnë njërën nga dyert në xhami për të intervenuar.