1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Trashëgimia e femrës në Islam

Më të lexuarat

Prej akuzave të cilat i atribuohen Islamit është edhe çështja e pabarazisë së femrës me mashkullin në çështjen e trashëgimisë, duke thënë se Islami i ka dhënë mashkullit hise sa për dy femra. Ata deklarojnë duke thënë se edhe pse kjo mund të justifikohet në të kaluarën, ngase puna e saj kryesisht ka qenë brenda shtëpisë, sot ajo konsiderohet partner i mashkullit në të gjitha veprimtaritë dhe është e barabartë me të në të gjitha shpenzimet. Përse Islami ka bërë një ndarje të tillë ndërmjet tyre?!

Fillimisht, para se të zgjerohemi në dhënien e përgjigjes për këtë çështje, le të shohim shkurtimisht sistemin e trashëgimisë te disa qytetërime të lashta. Në shumicën e shoqërive të hershme, e drejta për të trashëguar pasurinë e të vdekurit shpesh i është dhënë djalit më të madh apo meshkujve të afërm të familjes. Femrave të farefisit u është dhënë më pak e drejtë për të trashëguar, madje në shumicën e rasteve e drejta e tyre është mohuar.

Tek persianët burri i linte trashëgimi gruas më të dashur për të, kurse të tjerat i privonte ashtu siç e privonte nga trashëgimia nënën, motrën dhe vajzën. Ndërsa çifutët konsideronin se trashëgimtari i vetëm i babait është djali mashkull. Arabët e kohës së injorancës mendonin se gruaja nuk meriton asgjë nga të afërmit e saj. Edhe në qytetërimet më moderne, Ligji Anglez nuk i ka dhënë të drejtë grave për të zotëruar pasuritë e tyre deri më 1880. Dekreti i pasurisë së gruas së martuar është aprovuar nga parlamenti në Mbretërinë e Bashkuar vetëm në vitin 1882, për të shfuqizuar ligjin e mëparshëm, i cili përcaktonte se gruaja e martuar nuk mund të zotërojë asnjë pasuri veçmas burrit të saj. E njëjta situatë po ndodhte edhe në Francë, ku kjo e drejtë është njohur vetëm në vitin 1930. Kjo do të thotë se si shoqëritë e lashta e administronin çështjen e trashëgimisë, ku trajtimi ishte në favor të burrave, ndërkohë që gratë trajtoheshin si krijesa të dorës së dytë

Islami i ka dhënë të drejta secilit, mashkullit dhe femrës në të gjitha sferat e jetës, veçanërisht në aspektin e pasurisë dhe ndarjes së trashëgimisë. Karakteristikë e veçantë e Islamit është se ai është i qartë, aktual dhe gjithmonë pajtohet me natyrshmërinë dhe asnjëherë nuk vjen në kundërshtim me të. Sistemi islam i trashëgimisë para së gjithash është sistem i matur dhe shumë i drejtë. Ka sqaruar kush janë trashëgimtarët e ligjshëm, dhe u ka dhënë pozitën që u takon, varësisht afërsisë së pasardhësve dhe pozitës së tyre shoqërore në jetë. Islami barazon ndërmjet mashkullit dhe femrës aty ku barazia është e logjikshme dhe e natyrshme dhe bën dallimin mes tyre aty ku dallimi është i natyrshëm dhe i arsyeshëm. Prej sferave më të rëndësishme ku bëhet dallim ndërmjet tyre është në ndarjen e trashëgimisë. Allahu i Lartësuar, në këtë kontekst thotë: “Allahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimisë) fëmijët tuaj: për mashkullin hise sa për dy femra.”1
Nëse thellohemi në ajetin fisnik vërejmë se Allahu ka urdhëruar për çështjen e trashëgimisë fëmijët, pastaj ka sqaruar se mashkullit i takon aq sa pjesa e dy femrave. “Allahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimisë) fëmijët tuaj: për mashkullin hise sa për dy femra” Në origjinë, urdhëri është për fëmijët, ndërsa për mashkullin hise sa për dy femra është rast prej njëzet e katër rasteve të trashëgimisë dhe se kjo ndarje nuk zbatohet në të gjitha rastet e trashëgimisë.

Le të sjellim vetëm tre shembuj prej shembujve ku femra është e barabartë me mashkullin, ndërsa shembuj ka edhe më shumë se këto që do t’i përmendim:

a) Nëse i vdekuri ka lënë fëmijët, babanë dhe nënën. Prindërit, respektivisht babai dhe nëna, marrin 1/6 e pasurisë pa dallim ndërmjet burrërisë së babait dhe feminitetit të nënës, duke u bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: “…për prindërit, për secilin nga ata, ju takon e gjashta nga ajo që ka lënë (i vdekuri), nëse ka fëmijë.”2

  1. b) Nëse i vdekuri ka lënë vëllanë dhe motrën nga nëna dhe këta të dy nuk ka kush i pengon nga trashëgimia, atëherë secili prej tyre merr 1/6, duke u bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar:“…po ka një vëlla ose një motër (nga nëna), atëherë secilit prej tyre u takon një e gjashta.”3
  2. c) Nëse i vdekuri ka lënë dy e më tepër vëllezër nga nëna dhe dy e më tepër motra nga nëna, atëherë vëllezërit bashkërisht trashëgojnë 1/3, ndërsa motrat trashëgojnë 1/3. Pra, pa dallim mashkull ose femër duke u mbështetur në fjalën e Allahut të Lartësuar:“e në qoftë se se janë më shumë (se një vëlla ose se një motër) ata janë pjesëmarrës të barabartë në të tretën (e tërë pasurisë).”4

    Le të sjellim dy shembuj kur femra merr shumëfish më tepër se mashkulli, kurse shembuj kemi edhe më shumë se këto:

1) Nëse gruaja e vdekur ka lënë bashkëshortin dhe një vajzë. Në këtë rast vajza e së vdekurës trashëgon gjysmën e pasurisë kurse babai i saj, respektivisht bashkëshorti i së vdekurës, trashëgon një të katërtën. Prandaj, në këtë rast femra trashëgon dyfishin e asaj që trashëgon mashkulli.

2) Nëse i vdekuri ka lënë bashkëshorten, dy vajza dhe një vëlla të tij. Në këtë rast bashkëshortja merr të tetën e pasurisë, vajzat dy të tretat, ndërsa ajo që mbetet i takon xhaxhait të vajzave, respektivisht vëllait të të vdekurit. Kësisoj, secilës prej tyre u takon më shumë sesa i takon xhaxhait. D.m.th. secilës i takon kuota 8/24, ndërsa xhaxhait 5/24.

Ndarja e trashëgimisë në ligjin islam nuk bëhet për shkak të burrërisë apo feminitetit, por për shkak të detyrave që bën secili. Gjithashtu, merret në konsideratë edhe nevoja e trashëgimtarit, lloji i lidhjes ndërmjet tij dhe pasardhësve. Pra, çështja absolutisht është ekonomike. Kemi vërejtur se ka raste kur femra trashëgon njëjtë si mashkulli, ndërsa ekzistojnë raste të tjera kur ajo trashëgon më tepër se mashkulli.

Situatat në të cilat ligji islam i ka dhënë më tepër mashkullit sesa femrës nuk janë është thjesht pa dobi, por për shkak të pozitës së tij për sa i përket shpenzimit familjar. I zoti i shtëpisë merr përsipër mbikëqyrjen dhe shpenzimin për familjen e tij. Nëse është i pamartuar, me rastin e martesës jep mehrin (paja e nusërisë), siguron vendbanimin, orenditë etj. Atij i obligohet mbikëqyrja materiale ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve. Për të gjitha këto gjykata e obligon burrin dhe jo femrën. Nëse llogarisim atë që merr burri me sistemin llogaritës pas shpenzimeve, do të na bëhet e qartë se ai është i barabartë me atë që merr gruaja apo ndoshta edhe më pak.
Sistemi bashkëkohor, më saktësisht ai amerikan, bën ndarjen e trashëgimisë sipas marrëveshjes së arritur ndërmjet bashkëshortëve para vdekjes. S’ka dyshim se në këtë sistem ka padrejtësi, ngase ai nuk i merr parasysh detyrat individuale për të dy gjinitë.

Mund të privohet dikush që është më parësor në trashëgimi ose nuk mund të ketë fare marrëveshje ndërmjet dy partnerëve.
Ndërsa kush thotë se pozita e femrës ka ndryshuar pasi ajo në të kaluarën ka qenë amvise e sot është nëpunëse, themi se çfarëdo të jetë pozita e saj ajo nuk obligohet për mbikëqyrjen materiale ndaj fëmijëve e as ndaj bashkëshortit. Sipas ligjit islam:

a) Për një femër të pamartuar, sigurimi i jetesës duhet të sigurohet nga babai i saj. Në mungesë të babait, meshkujt e afërm, duke përfshirë vëllezërit, gjyshin dhe xhaxhallarët, janë përgjegjës për furnizimin e mbajtjes së saj.
b) Furnizimi për mbajtjen e një gruaje të martuar është përgjegjësi e plotë vetëm e burrit të saj; burrit i kërkohet të paguajë mehrin për gruan e tij sipas martesës: “Dhe jepuni me gjithë zemër grave tuaja dhuratën e kurorëzimit.5

Ky mehër zotërohet i gjithi nga vetë gruaja dhe burri nuk ka asnjë të drejtë t’ia marrë atë, edhe nëse divorcohen: “Në qoftë se dëshironi të ndërroni grua, duke e lëshuar njërën për të marrë një tjetër, asaj që i keni dhënë pasuri, mos i merrni nga ajo (pasuri) asgjë. A do ta merrnit atë padrejtësisht, duke bërë gjynah të qartë?! Si do t’ia merrnit atë dhuratë, kur ju i jeni dhënë njëri-tjetrit dhe kur ato kanë marrë nga ju besë të fortë?”6

  1. c) Gruaja nuk ka asnjë obligim financiar, çfarëdo që ajo fiton apo trashëgon është vetëm pasuri e saj personale. Ajo është e lirë ta shpenzojë pasurinë e saj në mënyrën që ajo dëshiron dhe burri nuk ka të drejtë t’ia marrë, vetëm nëse ajo e dëshiron këtë.S’ka dyshim se kësisoj ruhet nderi dhe respektohet liria e saj. Islami e ka caktuar përgjegjësinë e saj për shpenzim prej lindjes e deri në vdekjen e saj.

    Sikur të imagjinonim se Islami e ka obliguar femrën me shpenzim ndaj shtëpisë, me këtë rezulton se e obligon të dalë dhe të fitojë, gjë e cila e fut familjen në konfliktet në të cilat ka rënë shoqëria perëndimore, mirëpo Islami deshi ta respektojë femrën duke ia siguruar furnizimin në mënyrë që të jetë e qetë si dhe të jetë e përsosur në edukimin e brezave dhe kujdesin ndaj shtëpisë. Në të njëjtën kohë i ka siguruar lirinë ekonomike kur i hapi asaj mundësinë e punës dhe kjo vullnetarisht për të, ndërsa burrin e detyroi. Nëse femra fiton pasuri ajo është ekskluzivisht e saj dhe nuk i takon askujt t’ia marrë përveçse me dëshirën e saj.

    Trashëgimia është çështje e llogarisë e jo çështje ndjenjash e pretendimesh. Femra merr një të tretën që të shpenzojë vetëm për veten e saj, kurse mashkulli dy të tretat që të shpenzojë fillimisht për bashkëshorten (grua), pastaj për familjen dhe fëmijët e tij. Pra, kush merr më tepër me logjikën e llogaritjes dhe logjikën e numrave? Ekzistojnë edhe raste të pazakonshme për mashkullin, i cili tërë pasurinë e shpenzon për veten, nëse nuk martohet dhe nuk krijon familje, mirëpo ato janë raste të rralla. Kjo sa i përket çështjes së pasurisë së trashëguar pa u lodhur. Ndarje e drejtë nga ana e Allahut të Lartësuar i Cili u jep “secilit sipas nevojës”, kurse peshorja e nevojës këtu nënkupton detyrimet e obliguara të secilit prej tyre. Ndërsa sa i përket pasurisë së fituar me të gjitha format e saj si shpërblimi për punën, fitimin në tregti, nuk ka dallim ndërmjet mashkullit dhe femrës ngase këtu peshohet me peshore tjetër e ajo është barazia ndërmjet angazhimit dhe shpërblimit.

    Gjysma e asaj që merr mashkulli më tepër se femra në disa raste është thelbi i drejtësisë ngase pasuria e mashkullit do të pakësohet përmes mehrit dhe shpenzimeve familjare, ndërsa pasuria e saj do të rritet me mehr dhe investim nëse ajo investon.

    Shumica e vendeve skandinave akoma vazhdojnë të bëjnë dallim në trashëgimi ndërmjet mashkullit dhe femrës. Mashkullit i japin më tepër sesa femrës, përkundër barazisë së tyre në obligime dhe përgjegjësi materiale.

    Femra në Islam të drejtën trashëgimore e meritoi pa kryengritje dhe pa konferenca përderisa femrat në botë këtë e arritën si rezultat i grevave dhe konferencave të shumta.

    Shembull: Në një kompani drejtori merr 1000 Euro, zëvendësdrejtori 800. Drejtori është mashkull, ndërsa zëvendësdrejtori femër, ndarja konsiderohet e saktë dhe e drejtë. Gjithashtu nëse drejtor është femra dhe zëvendësdrejtor mashkulli, atëherë ndarja është e drejtë ngase pasuria këtu ndahet sipas angazhimit dhe përgjegjësive. Prandaj nuk është çështja e burrërisë dhe e feminitetit, mirëpo varësisht nga pozita dhe përgjegjësitë që ka secili prej tyre.
    Islami e refuzon dhe lufton parimin e privimit të femrës nga trashëgimia thjesht për shkak të feminitetit të saj ose për shkaqe të cilat i përmendëm më sipër. Islami i ka caktuar asaj kuotën në të gjitha rastet e trashëgimisë. Islami e kundërshton edhe parimin e barazisë absolute ndërmjet asaj dhe mashkullit në trashëgimi. Ai në këtë drejtim ka vënë rregulla prej të cilave nuk duhet të dalim.

Përgatiti: Almedin Ejupi
17.5.2009

1Kuran, Nisa, 11.
2 Kuran, Nisa, 11.
3 Kuran, Nisa, 12.
4 Kuran, Nisa, 12.
5 Kuran, Nisa, 4.
6 Kuran, Nisa, 21-22.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit