10.4 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Përvjetori i 18-të i vrasjes së vëllezërve Bytyçi: Krimi tjetër të cilin Serbia nuk do ta zbardh (Video)

Më të lexuarat

Fatos Bytyçi, vëllai i tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë Bytyçi të vrarë në Serbi në vitin 1999, thotë se nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për të zbardhur rastin e tyre dhe nxjerrë para drejtësisë personat përgjegjës.

Pavarësisht premtimeve që u kanë bërë zyrtarëve amerikanë dhe ndonëse kanë kaluar 18 vjet nga vrasja, vëllai i viktimave beson se autoritetet serbe nuk kanë vullnetin për të ndëshkuar përgjegjësit. Kolegu Festim Gashi sjell hollësitë.

Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë. Në korrik të vitit 1999 ata janë arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.

Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për, siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë. Katër ditë para skadimit të dënimit, ata janë marrë nga burgu dhe janë dërguar në Petrovo Selo ku janë vrarë nga afërsia. Trupat janë gjetur me duar të lidhura me tela në vitin 2001 në një varrezë masive, në mesin e shumë trupave të civilëve shqiptarë që ishin dërguar atje në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të forcave serbe gjatë luftës në Kosovë.

“Dëshmitarët janë të kërcënuar, por kjo është çështje e qeverisë serbe. Ne kemi ofruar ndihmë për t’i mbrojtur ata në mënyrë që të tregojnë të vërtetën mbi atë që ka ndodhur. Por qeveria serbe nuk po merr masa. Ne kemi ofruar që dëshmitarëve t’u jepet azil për këtë rast sepse kanë kaluar 18 vjet pa u zbardhur rasti”, thotë Fatos Bytyçi, i cili pret që rasti i vëllezërve të tij të ngrihet edhe në takimin mes presidentit serb Aleksandër Vuçiq me nënpresidentin amerikan Mike Pence, këtë javë në Washington. /VOA/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit