11.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Koment – Një rend i ri si “Camp David” në Lindjen e Mesme; të jetë vallë?

Më të lexuarat

Analizë nga prof. dr. Mustafa Sitki Bilgin, në lidhje me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe përpjekjet e SHBA-së për të instaluar një rend politik të ri në këtë rajon…

Rajoni i Lindjes së Mesme është bërë skenë e rivaliteteve dhe konflikteve të vazhdueshme politiko-ekonomike ndërmjet fuqive të mëdha që prej kohëve të lashta; si pasojë e shumë shkaqeve historike, kulturore, politike, strategjike dhe gjeopolitike. Çdonjëri prej këtyre shkaqeve ka luajtur rol kryesor dhe dominues në historinë e këtij rajoni, në kohë dhe rrethana të ndryshme. Por duke nisur që nga dekadat e para të shekullit të 19-të, synimet e objektivat imperialiste në përgjithësi dhe faktorët ekonomikë në veçanti kanë filluar të luajnë rol bazë në konkurrencën ndërkombëtare. Kurse arsyeja esenciale pse Lindja e Mesme renditet në krye të agjendës së imperializmit është pasuria nëntokësore e saj, sepse kjo hapësirë gjeografike zotëron resurset më të mëdha në botë të naftës dhe gazit natyror.

Kjo pozitë gjeopolitike dhe gjeoekonomike kyçe e Lindjes së Mesme në politikën ndërkombëtare është e pranishme ende sot e kësaj dite. Nëse analizojmë zhvillimet e kohëve të fundit në këtë rajon, sidomos përpara dhe pas krizës së Katarit, shohim që situata jep sinjale të fuqishme rreth orvatjeve serioze për të formuar një rend politik të ri në hapësirën më të pasur me hidrokarbure të planetit tonë. Një nga pikat kryesore, që u ngritën në rend të ditës në këtë kontekst, ishte ajo se çfarë politikash do të ndiqnin Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rajon pas marrjes së detyrës nga Presidenti Donald Trump. Zhvillimet përreth krizës së Katarit në njërën anë sinjalizojnë politikat e Uashingtonit, në anën tjetër luajnë rolin e një letre lakmusi që shpalos qëndrimet politike të shteteve të rajonit.

Të para nga aspekti i SHBA-së, zhvillimet – veçanërisht fakti që Presidenti Trump realizoi në Lindjen e Mesme vizitën e tij të parë jashtë shtetit duke vizituar fillimisht Arabinë Saudite dhe pastaj Izraelin –   tregojnë se ato kanë të bëjnë me trajtësimin e strategjisë amerikane për rajonin. Kjo është konfirmuar në fakt edhe nga marrëveshjet, deklaratat zyrtare dhe analizat politike që u bënë gjatë vizitave të kreut të Shtëpisë së Bardhë në Lindjen e Mesme. Në këtë mënyrë, formacioni i ri gjeopolitik, formuar nga SHBA-ja, Arabia Saudite, Izraeli, Egjipti dhe emiratet e Gjirit në kuadër të vizitës së Trump-it, prodhoi pa kaluar shumë edhe frytin e tij të parë, pagëzuar me emrin “kriza e Katarit”.

Formacioni i ri gjeopolitik në fjalë paraqet ngjashmëri jo të vogla me rendin e krijuar përmes marrëveshjeve të firmosura në “Camp David”, në fund të viteve 1970. Kujtojmë se marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet Egjiptit dhe Izraelit në “Camp David”, më datë 17 shtator 1978, nën mbikëqyrjen e presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Jimmy Carter, përbënin themelet e marrëveshjes së paqes së qëndrueshme që u firmos më pas më 26 mars të vitit 1979. Të para nga dritarja e rezultateve, akordet në fjalë shkaktuan polarizim e përçarje mes shteteve arabe duke sjellë dobi të shumta për SHBA-në dhe Izraelin. Marrëveshjet e arritura në “Camp David” ndërmjet presidentit të atëhershëm egjiptian, Anwar Sadat dhe kryeministrit të atëhershëm izraelit, Menachem Begin, instaluan një rend rajonal që zyrtarizoi dhe konsolidoi dominimin amerikan në Lindjen e Mesme.

Në ditët e sotme gjithashtu po bëhen përpjekje me Presidentin Trump për të ndërtuar një proces të ngjashëm. Kurse dallimi është se në vend të Egjiptit, vend firmëtar në 1978-n, rolin kryesor sot po e luan Arabia Saudite. Edhe pse aktualisht nuk është sigluar një marrëveshje zyrtare e ngjashme me atë të rreth 40 viteve më parë në “Camp David”, mes këtyre dy episodeve ka shumë qasje të ngjashme nga pikëpamjet strategjike dhe taktike. Përmes rendit të ri që po tenton të instalojë në rajon, Uashingtoni punon në njërën anë për organizuar shtetet dhe aktorët nënshtetërorë e tejkombëtarë (si PKK/YPG-ja), të cilët janë mbledhur përreth tij; kurse në anën tjetër manovron me metoda të ndryshme për të nxjerrë jashtë loje apo eliminuar forcat politike rivale të interesave amerikane.

Sa për Turqinë, ky shtet është njëherësh një fuqi rajonale kritike dhe një aleat i rëndësishëm i SHBA-së. Por në ngjarjet e kohëve të fundit në Lindjen e Mesme, veçanërisht në zhvillimet që kanë të bëjnë me Sirinë, duket qartë se Uashingtoni nuk vepron në përputhje me marrëdhëniet dhe frymën e aleancës. Kjo ngre pikëpyetje të mëdha në lidhje me skenarin e ri strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rajonin. S’duhet harruar kurrsesi që Turqia është një fuqi me ndikim madhor të paktën në ekuilibrat rajonalë dhe një rend politik, i cili do të instalohej në Lindjen e Mesme pa llogaritur këtë fuqi, do të kishte mangët një prej shtyllave themelore të tij.

 

Autor: Prof. dr. Mustafa Sitki Bilgin – Lektor në Universitetin “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit