-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Times: Dilema Verikoreane

Më të lexuarat

Parandalimi i regjimit të Koresë Veriore kërkon aksion të ashpër nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara, shkruan në fillim të editorialit të sotëm e përditshmja londineze, Times.

Dinastia tiranike e formuar në kultin e personalitetit kuazi-religjioz, ku Presidenti i Përjetshëm është i vdekur për afro 20 vjet, nuk është shtet normal. Diplomacia perëndimore duhet ta pranoj këtë konkluzë shqetësuese derisa merret me Korenë Veriore.

Kur Kim Jong Un e mori pushtetin absolut, në vitin 2011, duke e trashëguar babain dhe gjyshinm e tij, mosha e tij e re dhe arsimi i jashtëm, e patën sjellë një shpresë të shkrirjes në politikën e akullt të këtij vendi.

Në atë kohë nuk ekzistonte asnjë dëshmi për këtë, por kjo nuk u tregua, për shkak të armiqësisë aktuale të Koresë Veriore.

E përditshmja londineze, Times, mëtutje shkruan se mundësia e arritjes së marrëveshjes së madhe me despotizmin e ndryshueshëm është ekstremisht e vogël.

E vetmja mundësi e urtë për Shtetet e Bashkuara është për ta theksuar aleancën me Korenë Jugore dhe Japoninë, të siguroj se Pheniani e kupton se nuk do të fitoj asgjë nga sjellja e vet kriminale, dhe të punoj me Kinën për të ndihmuar në frenimin e aleatit të saj të çoroditur.

Pheniani pretendon se i ka pozicionuar raketat për t’i sulmuar bazat e ushtrisë amerikane, që shtrihen nga Paqësori e deri në tokën e Shteteve të Bashkuara.

Është joshëse për ta parë regjimin e Koresë Veriore dhe sunduesin e saj të trashë dhe të papërvojë, si më tepër teatral se sa kërcënues, shkruan Times, duke vlerësuar se kjo do të ishte e gabueshme. Në këtë kuadër gazeta e merr shembullin e Osama bin Ladenit, për të cilin shkruan se gjithashtu dukej si figurë Donkishoteske në vitin 1998, kur kërkoi nga mbështetësit e tij për t’i vrarë amerikanët dhe aleatët e tyre, por fanatizmi i tij ishte serioz.

Parandalimi i Koresë Veriore kërkon që regjimi të mos shpërblehet për koncesione kozmetike. Administrata Obama ka përvojë të mundimshme në këtë aspekt. Vitin e kaluar e ka nënshkruar një marrëveshje, sipas të cilës Koreja Veriore ka premtuar që të mos lansojë raketë me rreze të gjatë veprimi. Por, qartas regjimi nuk kishte kurrfarë qëllimesh paqësore. Disa ditë më vonë e lansoi provën e satelitit, që dështoi, dhe prej atëherë i ka deklaruar tri prova atomike.

Modeli i negociatave të kota ishte sajuar në vitin 1994, shkruan Times, dhe shpjegon se Administrata Clinton e kishte nënshkruar një marrëveshje përmes së cilës Koreja Veriore do ta suspendonte punën në grafitin e reaktorëve atomikë, të aftë për të prodhuar plutonium në shkallë të nevojshme për armatim, në këmbim për reaktorë të lehtë të ujit. Regjimi i Koresë Veriore nuk kishte qëllim ta respektoj marrëveshjen, ose t’i nënshtrohej ndonjë obligimi ndërkombëtar, që e konsideronte imituese.

Sanksionet e Kombeve të Bashkuara, të imponuara në vitin 2006, në përgjigje të provës së parë bërthamore të Koresë Veriore,nuk e kanë larguar regjimin nga binarët e as nuk e kanë parandaluar agresionin direkt të tij kundër territorit dhe transportit detar të Koresë Jugore.

Derisa perëndimi i ka dërguar ndihma ushqimore për vendin, i cili po vuante nga uria, Pheniani e ka trajtuar atë si një mundësi për propagandë, e jo si ndihmë humanitare, shkruan Times londinez.

Administrata Obama ka pasur qasje të “durimit strategjik”, me Korenë Veriore, siç është shprehur Hillary Clinton. Parandalimi efektiv me të vërtetë kërkon durim dhe vendosmëri. Po ashtu, kërkohet braktisje e iluzioneve se stimulimet për Korenë Veriore do të kenë efekt.

E gjithë kjo po ndodhë sepse regjimi kriminal i shfrytëzon ato dhe është më afër për të qenë i aftë për ta kërcënuar territorin e Shteteve të Bashkuara, me pajisje atomike.

Shtetet perëndimore duhet të punojnë me Kinën për forcimin e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara. Duhet të ketë moslejim të transporteve detare të Koresë Veriore dyshuara se bartin materiale të palejueshme.

Pamundësimi i të ardhurave për regjimin (ashtu siç janë imponuar sanksionet ndaj Iranit), mund të shkaktoj çarje në bllokun e gurit.

Duke e thënë të vërtetën për ankthin e shtetit totalitar, ndoshta mund të reduktohen përpjekjet e qeverive perëndimore për të synuar pajtueshmëri të pafrytshme dhe amorale me të, shkruan në fund të editorialit të vet, e përditshmja londineze Times./REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit