Islami është një fe që ruan ekuilibrat në çdo aspekt të natyrës njerëzore, atë shpirtërore dhe materiale, atë sociale dhe individuale, pa cenuar në asnjë momentasnjërën prej tyre edhe pse në mjaft raste ai vendos përparësi për njërën prej tyre karshi tjetrës në kohë, vende apo kushte të caktuara.
Kështu Islami ka vendosur parime dhe përgjegjësi që besimtari të jetë një qenie individuale e pavarur nga të tjerët, por njëkohësisht i ka caktuar atij edhe përgjegjësi, të cilat e bëjnë atë një qenie shoqërore të dobishme për njerëzit. Ky dimension islam nis që me familjen, e cila përbëhet nga prindërit dhe fëmijët. Muslimani për çdo njërin prej tyre ka detyrime dhe përgjegjësi të veçanta. Për fëmijët Islami ka urdhëruar që të duhen dhe trajtohen me dashuri dhe mëshirë, të mbahet drejtësi mes tyre dhe të edukohen në mënyrën më të mirë të mundshme. E kjo për kohën dhe vendin ku jetojmë merr një rëndësi primare. Madje Profeti ynë (alejhisalatu ue selam) veç këshillave të përgjithshme që jepte në këtë drejtim, shpesh e vinte theksin tek problemet sociale të kohës së tij, si për shembull kujdesi i veçantë që duhej treguar për vajzat. Kjo sepse arabët e asaj kohe, të sapo dalë nga periudha e injorancës para-islame i diskriminonin vajzat me pa të drejtë.
Po kështu Islami e obligon njeriun të sillet mirë me prindërit dhe të kujdeset për ta, sidomos kur ata janë të thyer në moshë dhe kanë nevojë më shumë për ndihmë dhe përkrahje, e cila përfshin si anën materiale dhe financiare, por edhe atë emocionale dhe shpirtërore. Ndaj do të ishte vërtet gjynah, nëse prindërit e një muslimani apo njëri prej tyre do të përfundonte në azil për shkak se fëmijët e kanë braktisur atë, një fenomen ky i panjohur më parë për besimtarët. Dashuria dhe respekti ndaj tyre është i pakushtëzuar, madje edhe kur ata nuk janë besimtarë; i vetmi përjashtim qëndron në rastin kur prindi të urdhëron për diçka që ndalohet qartë nga feja, pra për një haram apo gjynah që njihet si i tillë nga Islami. Por ndërkohë bindja ndaj tyre nuk e humbet vlefshmërinë në raste të tjera. Allahu për këtë thotë në Kuran: “Nëse ata orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ata në këtë jetë” (Lukman: 15) Teksti i ajetit tregon qartë se pavarësisht rasteve të veçanta kur kemi të bëjmë me shkelje të ligjeve të Zotit, kjo nuk përbën justifikim që bindja ndaj prindërve –edhe kur prindërit janë njerëz mëkatarë ose jobesimtarë- të mos jetë norma themelore për çdo gjë tjetër që nuk cenon ndalesat e Zotit. Urdhëresat prindërore sipas Islamit marrin përparësi madje edhe ndaj adhurimeve fetare, kur ato nuk janë obligative. Rasti më tipik është shembulli i ndalimit që Profeti i bëri atij njeriu që donte të shkonte në një luftë, që nuk e kishte detyrim, ndërkohë që nuk u kishte marrë leje prindërve, madje i kishte lënë ata të dëshpëruar.Kjo edhe pse vetë Profeti ishte shprehur kushedi sesa herë për vlerën dhe shpërblimin tepër të madh që ka kjo vepër për atë që ka qëllim të sinqertë, çka tregon rëndësinë që ka vendosja e drejtë e përparësive të detyrimeve dhe përgjegjësive fetare.
Më pas Islami i shtrin detyrimet shoqërore, respektin dhe mirësinë për farefisin dhe njerëzit e afërm, për fqinjët, miqtë dhe shokët, për mbarë bashkësinë e besimtarëve në veçanti dhe njerëzve në përgjithësi. Janë të njohura thëniet e Profetit, që i krahason besimtarët si një ndërtesë, ku gurët e saj shtrëngojnë njëra-tjetrën, apo ku ata konsiderohen si një trup i vetëm organik, ku shqetësimi për një pjesë të tij është shqetësim për gjithë trupin. Këto dhe ajete e hadithe të tjera tregojnë dimensionin social të parimeve dhe mësimeve islame, aq sa Omer ibn Hatabi thoshte, se “Nuk ka Islam pa një bashkësi njerëzish.”
Një dimension i rëndësishëm i kësaj marrëdhënie shoqërore është edhe dashuria dhe respekti për mbarë besimtarët muslimanë kudo në botë, por kjo edhe nga vetë paraqitja që treguam më sipër kalon nëpërmjet një përparësie, e cila nuk mund të neglizhohet. Detyrimet më të mëdha që ne si besimtarë kemi ndaj shoqërisë në të cilën jetojmë nisin me njerëzit më të afërm e duke vazhduar tek ata më të largëtit, e këta nuk janë vetëm se njerëzit, të cilët na rrethojnë dhe që përmendëm më sipër, dhe që padyshim përbëjnë shoqërinë dhe banorët e këtij vendi. Allahu thotë për këtë në Kuran: “Sipas Librit të Allahut, pjesëtarët e farefisit janë më të afërt për njeri-tjetrin, sesa besimtarët e tjerë” (El-Ahzab: 6) Kjo do të thotë se përgjegjësia dhe detyrimi që ne kemi për njerëzit që na rrethojnë është më e madhe sesa për ata që janë më larg. Rrjedhimisht edhe kontributi për këtë vend dhe këtë tokë ku kemi lindur dhe rritur është më parësor sesa për një vend tjetër. Kjo nuk do të thotë aspak, që ne si besimtarë muslimanë të tregohemi moskokëçarës dhe të mos solidarizohemi me vuajtjet dhe hallet e besimtarëve kudo në botë, me ata që vriten dhe masakrohen me pa të drejtë nga regjime kriminale, siç është rasti me muslimanët e Sirisë. Ne nuk kemi pse të trembemi për të thënë të vërtetën apo të heshtim për hir të një vetëkonformizmi absurd, për të drejtat e atyre me të cilët ndajmë të njëjtin besim kudo në botë, por në anën tjetër nuk mund të harrojmë detyrimet që kemi ndaj këtij vendi, duke treguar një internacionalizëm më shumë emocional, që sjell më shumë dëme sesa dobi dhe ndërkohë lëmë pa bërë detyrat e shtëpisë sonë të përbashkët.
Është interesant ndoshta për një pjesë të mësojnë se Islami e shtrin marrëdhënien e besimtarit edhe me mjedisin jo-njerëzor që e rrethon. Kështu ne jemi të urdhëruar të jemi të mëshirshëm edhe me kafshët, si dhe të mos dëmtojmë ekosistemin e vendit ku jetojmë. Thëniet Profetit për mëshirën që duhet treguar ndaj kafshëve dhe mos-dëmtimin e pemëve dhe të mbjellave janë të njohura mirë për një pjesë të besimtarëve. E padyshim të gjitha këto mund të përmblidhen me dimensionin qiellor që vetë Profeti (alejhi salatu ue selam) ia jep me fjalët e tij, kur ai thoshte: “Mëshironi çka në tokë t’iu mëshirojë Ai që është në qiell.”
Kështu pra si mund të jetë i mëshirshëm muslimani me krijesat e kësaj toke, nëse ai nuk është i dobishëm për vendin dhe shoqërinë e tij?!… Vetëm duke qenë i tillë ai e plotëson misionin dhe detyrimin që ka në këtë botë për të qenë adhurues i Zotit, vetëm kështu ai ndjek shembullin e Profetëve të Zotit, siç na e përshkruan Ai Isain (alejhi selam) kur thotë: “Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë Librin, më ka bërë Profet dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zekat sa të jem gjallë, dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime, dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm.” (Merjem: 30-32)./LHSH