Dëgjojmë “arsye” të ndryshme për abortet në ditët e sotme, si: shtatzënitë që rezultojnë prej marrëdhënieve jashtëmartesore, prej dhunimeve, shtatzëni të paplanifikuara nga bashkëshortët, pritja e foshnjës së gjinisë së “gabuar”, … etj.
Vallë, nënë, si mund ta mbytësh fëmijën tënd?!
Vetëm pse ke fëmijë shumë dhe frikohesh se si do t’i sigurosh strehim, ushqim, veshmbathje, shkollim, …? Por, a nuk e kupton fjalën e Allahut kur thotë në Kur’an: “…Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që Allahu të mos ia ketë garantuar furnizimin e saj…” (Hudë: 6)?!
Apo, ndoshta e mbyt vetëm pse të thotë ndonjë mjek se: fëmija mund të të lind me të meta? A nuk ke dëgjuar për raste të shumta kur mjeku ka konstatuar se fëmija nuk po zhvillohet mirë dhe mund të lind me ndonjë të metë, ndërsa fëmija ka lindur pa asnjë të metë?
A kaq nënë e pamëshirshme je dhe e mbyt fëmijën i cili zhvillohet në barkun tënd, ndërsa atij fëmije që të ka lindur pa të meta i ofron dashuri?!
Po sikur fëmija tjetër (i pa të meta) ta kuptonte abortin do të frikohej nga ti, sepse do të mendonte:
‘sikur edhe unë të kisha ndonjë të metë, nëna do të më mbyste, nuk do të më lejonte që të dalë në këtë botë ashtu siç ka vepruar me motrën ose vëllanë tim para meje’.
I thua vetes muslimane dhe nuk je në gjendje të pajtohesh me caktimin e Allahut, të durosh për hir të Allahut dhe ta lindësh atë fëmijë e ta duash sikurse që i do fëmijët e tu të tjerë!
Mos ia moho të drejtën të jetojë, pavarësisht se mund ta lindësh fëmijën me ndonjë të metë, (plus kësaj nuk je e sigurt 100% se ka për të lindur kështu, sepse në shumë raste mjekët në konstatimet e tyre kanë dështuar)!
Gjithashtu, kemi raste kur nënat kanë abortuar shkaku i gjinisë. (Një nënë e kishte pyetur mjekun se çfarë gjinie ka fëmija, dhe pasi ajo kishte dëshiruar që të lindte djalë dhe mjeku i kishte thënë se është vajzë ajo e kishte abortuar, por kur e kanë nxjerrë nga barku e kanë parë që fëmija ka qenë djalë… Pse nuk marrim mësim nga këto raste?!
Motra, sigurisht që keni gabuar me abort, por ja që shejtani iu ka mashtruar, keni qenë të hutuara, por tani do të kthjelloheni apo jo, nuk do ta përsërisni këtë gabim më kurrë, ndërsa për mëkatin që keni bërë: “…pendohuni tek Allahu me një pendim të sinqertë në mënyrë që Zoti juaj t’i largojë prej jush të këqijat, e t’ju shpie në xhennete…”! (Et Tahrijm: 8)
Salije Mema – Kastrati