Apple ka dominuar tregun e telefonave të mençur mobil që nga koha kur kishte shpikur iPhone dhe iPad, duke e ndryshuar industrinë tërësisht, mirëpo tani gjërat po ndryshojnë pasi që tabletët e bazuar në sistemin operativ Android do ta tejkalojnë suksesin e iPad, ndërsa telefonat e bazuar në sistemin operativ të Google tashmë e kanë arritur një gjë të tillë, thuhet sipas një studimi të ri të publikuar të martën.
Studim i ri i IDC njoftoi se dominimi i tabletëve të Apple për të parën herë do të përfundojë në vitin 2013, që nga koha kur iPad u prezantua në treg, ndërsa pjesëmarrja e tregut të Apple pritet të bjerë nga 51 për qind, sa ishte në 2012, në 46 për qind në vitin 2013.
Pajisjet e bazuara në Android do të rriten në 48.6 për qind të tregut për vitin 2013, thuhet sipas studimit. Kjo, sepse epërsia e tabletëve më të vogël që bazohen në Android është dëshmuar si jashtëzakonisht e suksesshme.
Apple është duke u përballur me më shumë konkurrencë edhe në tregun e telefonave të mençur, pasi që rivali i saj Samsung e ka tejkaluar atë në këtë segment. Dy gjigantët e teknologjisë janë duke “luftuar” në gjykatë për akuzat se Samsung i ka kopjuar pajisjet më të famshme të Apple, iPhone dhe iPad, gjatë krijimit të linjës së saj të pajisjeve mobile të cilin sot e njohim si Galaxy.
Tregu i telefonave të mençur është pak më i pjekur se sa ai i tabletëve, dhe tendencat janë të ngjashme – dërgesat e telefonave të mençur janë në rritje, por dominimi i Apple ka rënë.