0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Asdren Çelaj, asambleist në Guci: halli që na ka zënë me Kishën Serbe; sytë nga Tirana e Prishtina

Më të lexuarat

Jo vetëm shqiptarët në Luginën e Preshevës janë të pambrojtur dhe u cenohen të drejtat nga shumica, serbët, por një fat të tillë e kanë edhe shqiptarët në Mal të Zi, ku provokohen në vazhdimësi. Së fundmi një gjë e tillë u ka ndodhur shqiptarëve të fshatit Martinaj të komunës së Gucisë (Gucia, komunë e formuar së fundmi ndarë nga Plava, gati përgjysmë e përbërë nga boshnjakë e shqiptarë), ku më 12 maj papritmas në zemër të këtij fshati tërësisht i banuar vetëm nga shqiptarë, kanë zbarkuar disa persona të deleguar nga Kisha Ortodokse Serbe nën përcjellje të forcave të shumta malazeze, kinse për të kryer rite fetare të një  objekt inekzistent, apo kishë e tyre “imagjinare”. Dhe çuditërisht për këtë kanë heshtur përfaqësuesit shqiptarë që janë pjesë e institucioneve malazeze.

Asdren Çelaj, kryetar i Klubit të Asambleistëve të Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve në Guci, në një intervistë ekskluzive për tesheshi.com flet më gjërësisht për provokimet e Kishës Serbe bërë ndaj shqiptarëve në Guci, tregon se si po ecin punët në komunën e Gucisë, për gjendjen sociale të banorëve shqiptarë atje, si dhe çështje të tjera me rëndësi.

Intervistoi: Blendi Gashi

Jeni asambleist në komunën e Gucisë. Si po funksionin puna kur dihet se jeni komunë e re?

Për hirë të së vërtetës, shqiptarët në Plavë e Guci kanë qenë kundër shkëputjes së Gucisë nga Plava. Kjo u dëshmua edhe në ditën e referendumit ku pothuajse e tërë popullata shqiptare bojkotojë këto zgjedhje. Vlenë të theksohet se të gjitha subjektet politike shqiptare ishin kundër një ndarjeje të tillë në dy komuna duke e paraparë se Gucia nuk do të mund të mbijetonte si e pavarur. Shqetësim tjetër ishte se struktura e popullsisë do të ndryshonte dukshem në Plavë, gjë që edhe ndodhi. Nga 25% shqiptarë në Komunën e Plavës, sot nuk jemi më shumë se 7% dhe popullata serbe që ishte jo më tepër se 17% sot përbën mbi 35% të numrit të përgjithshëm në Plavë. Punët këtu po shkojnë edhe më keq se sa që e kishim parashikuar. Gucia sot është komuna më e pazhvilluar në tërë Malin e Zi. Për një kohë shumë të shkurtër, të ri e të reja braktisen këtë vend si pasojë e papunësisë dhe duke mos e parë asnjë lloj përspektive a mundësi mbijetese. Partia në pushtet (DPS e M. Gjukanoviqit) nuk do të dëgjoi për kërkesat tona të përditshme duke e lënë këtë vend në mëshirën e fatit.

Gucia gati përgjysmë është e përbërë nga shqiptarë e boshnjakë. Si është komunikimi dhe gjendja sociale e banorëve?

Siç e ceka edhe më lartë, gjendja ekonomike poashtu edhe sociale është në gjendje alarmante. Thuajse të gjithë banorët këtu shpresë të vetme për ekzistencë dhe mbijetesë e kanë diasporen. Po të mos ekzistonin ndihmat e përditshme nga vëllezërit e motrat tona në diasporë, padyshim se edhe këta pak njerëz që kanë mbetur këtu, detyrimisht do t’i braktisnin trojet e veta.

Të kalojmë në një temë tjetër. Mëngjesin e 12 majit në zemër të fshatit Martinaj (Plavë e Guci),  disa persona të deleguar nga Kisha Ortodokse Serbe kryen një ceremoni te një objekt inekzistent që e quajnë kishë. Ekziston një objekt i tillë? Është ky një provokim i hapur kur kihet parasysh se ky fshat i tëri është me shqiptarë?

Persona nga Kisha Serbe ne fshatin Martinaj

E vërtetë! Këta “prijës fetarë” në vend që të promovojnë paqe mes popujve e besimeve të ndryshme, ata vijnë me mosione të caktuara shoviniste të pjekura në Kishen Ortodokse Serbe. Vijnë në një fshat të banuar plotësisht me shqiptarë dhe bëjnë ceremoni fetare në livadhin, në tokën e shqiptarit duke propaganduar se aty ekzistojnë rrënoja të një objekti të tyre fetarë dhe duke provokuar në masë të madhe të gjithë shqiptarët (jo vetëm të fshatit Martinaj).

Sigurisht se është provokim i nivelit shumë të ultë dhe i përgatitur kohë më parë nga ideologë e pseudoakademikë serb.

Është hera e parë që Kisha Serbe në Mal të Zi provokon shqiptarët e Martinajve apo ka ndodhur edhe herë të tjera? Nëse ndodh sërish, a ka gjasa të eskalojë dhe situata?

Nuk është hera e parë që Kisha Serbe bën provokime të tilla. Të nëjtit erdhen me mision të njëjtë para katër vitesh, në maj 2013 dhe hasën në rezistencë të banorëve të fshatit Martinaj me ç’rast policia malazeze arreston mbi 20 burra, pleqë e fëmijë. Këtë herë erdhen në befasi, herët në mengjes dhe të mbrojtur nga forca policore malazeze. Patjetër se shqiptarët nuk do të heshtin përballë një presioni të tillë dhe po që se askush nuk ndërmerr masa kundër një akti të tillë, situata mund të tensionohet.

Si reaguan banorët shqiptarë të kësaj ane pas këtij provokimi? Si u kundërpërgjigjën?

Këta “prijes fetarë” me bashkëpuntorë erdhën herët në mengjes, pa paralajmërim dhe të mbrojtur nga forca policore, poashtu mbaruan punë shpejtë dhe iken. Nuk pati shumë kohë për ndonjë reagim qytetarë, por sigurisht se pakënaqësia është rritur në nivelet më të larta. Padyshim se shqiptarët nuk e sulmojnë askënd, por poashtu nuk i frikësohen askujt dhe dijnë shumë mirë të mbrohen. Akte të tilla për mua janë të denueshme dhe shpresoj që institucionet përkatëse të ndërmarrin masa tani para se të bëhet vonë.

A dyshoni se për këtë veprim serbët kanë në heshtje mbështetjen e shtetit malazez?

Historikisht, idetë serbomëdha, shoviniste antishqiptare të përgatitura nga akademia dhe Kisha Serbe, janë zbatuar dhe ekzekutuar nga malazezët. Sa i përket politikës anti-shqiptare, serbët e malazezët janë një. Nuk e mbeshtesin njëri-tjetrin në heshtje por haptas, këtë duhet ta dallojmë nga politikat e tyre ditore kinse malazezët janë pro-evropian apo serbët janë pro-rus. Pak rëndësi ka kjo për neve, bazuar në faktin që integrimet e Malit të Zi po bëhen në kurriz të shqiptarëve duke shkelur mbi të drejtat tona. Nuk ka asgjë të keqe nëse Mali i Zi antarësohet në Organizata Ndërkombëtare, por shqetëson fakti se Shqipëria dhe Kosova e përkrahin aq shumë, pa kushte, pa pyetur për popullsinë e vet dhe të drejtat e tyre këtu.

A kanë reaguar përfaqësuesit shqiptarë që janë pjesë e institucioneve atje apo jo?

Në përbërjen e pushtetit të ri malazez në krye me DPS-in e Gjukanoviqit, kemi edhe përfaqësues shqiptarë si Ministër, nënkryetarë Kuvendi, kryetarë Komune, e shumë pozita të tjera nëpër qeveri, pushtet lokal e tjera. Siç e kam thënë edhe në deklarata të tjera, më shqetëson fakti se asnjë nga këta që mbajnë pozita nuk kam parë të kenë reaguar, jo vetëm për këtë çështje por edhe për të tjera ku preken apo shkelen të drejtat tona. Nuk jam i prirë të paragjykoj, por si duket këtyre më shumë po u intereson një karrige e tyre sesa një popull i tërë.

Për, fund a keni ndonjë mesazh për politikanët qoftë të Shqipërisë apo Kosovës?

Sigurisht se kam. Kam më shumë kërkesa sesa mesazhe:  Të kenë më shumë interes për ne, t’i hapin sytë e mos t’u besojnë fjalëve të kryeminstrit, presidentit a ambasadorëve malazez. Të vijnë personalisht dhe t’i shohin brengat e kërkesat tona. Hap i rëndësishëm për zhvillimin e vendit tonë është hapja e rrugës Shkodër-Vermosh-Guci poashtu fillimi i ndërtimit të rrugës Deçan-Plavë (edhe pse që një kohë kanë stagnuar punimet). T’u kushtojnë vëmendje pakënaqësive që ne i shtrojmë çdo ditë, e jo vetëm t’i lexojnë. Shqiptarët në Mal të Zi shpresat dhe sytë i kanë nga Shqipëria e Kosova. Besoj fuqishëm se qeveritë e reja pas një muaji që do të zgjedhen në shtetet tona, do të na kenë edhe neve në planet e tyre. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit