1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Koha dhe shfrytëzimi i saj në Ramazan

Më të lexuarat

Ramazani është muaj i begative dhe mirësive të shumta. Është muaji që besimtarit i dhuron shanse dhe mundësi të shumta për faljen e mëkateve. Ramazani është muaji ku besimtari mund ta gjejë atë që i ka humbur, mund ta gjejë orientimin kah kënaqësia dhe rizaja e Zotit Mëshirëplotë.

Por, Ramazani është vetëm një muaj. Është siç thotë Allahu i Madhëruar-:

“أَيَّامًا مَعْدُودَاتٍ

Ditë të caktuara…” (el-Bekare: 184)

Kështu që këto ditë, e bashkë me to shanset dhe mundësitë, kalojnë shpejt. E ajo që ne duam dhe synojmë, madje kërkojmë ta përvetësojmë si moto, është: shfrytëzimi maksimal i kohës në punë të mira dhe të mbara gjatë Ramazanit. Kjo ngase koha është bile edhe më e shtrenjtë se ari. E dini se thuhet “koha është sikur ari” por ari nëse humbet mund të kompensohet ndërsa koha kurrë. Mbase këtu mund të qëndrojë arsyeja pse Allahu betohet në kohë.

“وَالْعَصْرِ (1) إِنَّ الْإِنْسَانَ لَفِي خُسْرٍ (2) إِلَّا الَّذِينَ آَمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ وَتَوَاصَوْا بِالْحَقِّ وَتَوَاصَوْا بِالصَّبْرِ

Pasha kohën! 2. Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. 3. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.” (el-Asr: 1-3.)

Se koha e humbur nuk mund të kthehet dhe se ajo është dëshpërimi më i madh që kap njeriun vërteton Kur’ani në një tjetër vend, apo më konkretisht me rastin e vdekjes.

“حَتَّى إِذَا جَاءَ أَحَدَهُمُ الْمَوْتُ قَالَ رَبِّ ارْجِعُونِ (99) لَعَلِّي أَعْمَلُ صَالِحًا فِيمَا تَرَكْتُ كَلَّا إِنَّهَا كَلِمَةٌ هُوَ قَائِلُهَا وَمِنْ وَرَائِهِمْ بَرْزَخٌ إِلَى يَوْمِ يُبْعَثُونَ

E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: “O Zoti im, më kthe,  Që të bëj vepra të mira e ta kompensoj atë që lëshova!” Kurrsesi, (kthim nuk ka) e kjo është vetëm fjalë që e thotë ai, e ata kanë para tyre një perde (distancë periodike) deri në ditën kur ringjallen.” (el-Mu’minune :99-100.)

Që të jemi prej atyre që në këto momente do të kërkojnë përshpejtimin e vdekjes e jo rikthimin në dynja, ngase -siç na ka mësuar Pejgamberi ynë i dashur, Muhammedi, alejhi’s selam,- besimtarët e sinqertë me rastin e vdekjes kërkojnë që të përshpejtohet me ta ngase duan të shohin mirësitë e Allahut të Madhëruar, atëherë ta shfrytëzojmë Ramazanin maksimalisht. Të vëmë para prioritet tona në Ramazan, të koordinojmë kohën në atë mënyrë që jo vetëm të bëjmë mirë, por të bëjmë më të mirën të mundshme. Ky është synimi ynë në Ramazan!

E tash, me lejen e Allahut, do të bëjmë përshkrimin e veprave më të rëndësishme, e të cilat duhet të kryesojnë listën tonë të veprave gjatë Ramazanit.

Leximi i Kur’anit

Padyshim se vepra në të cilën do të përqendrohemi dhe do të japim mundin tonë më së shumti është Kur’ani dhe leximi i tij. Siç e dini, Kur’ani është ikonë e Ramazanit ngase në të filloi shpallja e tij dhe e të gjithë librave tjerë qiellore. Kur’ani nuk është një libër për dekorim vitrinash, përkundrazi, është libër me të cilin jetohet dhe punohet sipas tij. A nuk ka thënë Allahu i Madhëruar:

“الم (1) ذَلِكَ الْكِتَابُ لَا رَيْبَ فِيهِ هُدًى لِلْمُتَّقِينَ

Elif, Lam, Mim. 2. Ky është libri që nuk ka dyshim në te (sepse është prej All-llahut) është udhëzues për ata që janë të devotshëm.” (el-Bekare: 1-2.)

Ajo që do të duhej të na inspironte më së shumti për leximin e Kur’anit është vlera dhe rëndësia e leximit të tij. Ibni Mes’udi transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:

“من قرأ حرفاً من كتاب الله فله به حسنة ، والحسنة بعشر أمثالها لا أقول (الم) حرف ولكن : ألف حرف ولام حرف ، وميم حرف

Kush lexon një shkronjë nga libri i Allahut, ai për të ka një të mirë, e një e mirë shpërblehet me dhjetë sosh, kështu, unë nuk them se elif  lam mim (që është një fjalë) është një shkronjë, por elif shkronjë, lam shkronjë, mim shkronjë (pra për secilën nga dhjetë sevape)” Sahihu-l-Xhamii, 6469.

E tash me një matematikë të thjeshtë shih se sa mund të fitosh me leximin vetëm një herë të Kur’anit. Nëse Kur’ani, sipas asaj shifrës më të ultë, ka 321.180 shkronja, dhe nëse sevapi për vetëm një shkronjë është dhjetë, atëherë i bie që për një lexim komplet të tij besimtari të fitojë hiç më pak se: 3 milion e dyqind e njëzetenjëmijë e tetëqind e tetëdhjetë sevape.

Paramendoni, nëse ndonjërit prej nesh do t’i konvertoheshin këto sevape në euro, a nuk do ta lexonim Kur’anin, jo një herë, por dhjetëra e ndoshta qindra herë. Fatkeqësisht, kemi harruar se shpërblimi i Kur’anit është më i rëndësishëm se dinari i kësaj bote.

Nejse, Kur’ani dhe rrëfimi i tij nuk mbarojnë me kaq. Kur’ani, në ditët më të vështira është miku më i mirë. Të gjendet atëherë kur ke nevoje më së shumti për të. Imam Muslimi në Sahihun e tij transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:

“اقرؤوا القرآن فإنه يأتي يوم القيامة شفيعاً لأصحابه

Lexojeni Kur’anin ngase ai vjen si ndërmjetësues për ithtarët (lexuesit, mbamendësit) e tij.” Muslimi.

Në një hadith, të cilin Shejh Albani në Sahihu-l-Xhamii, 8030, e ka cilësuar hasen, qëndron: “Ditën e Kiametit do të vjen miku i Kur’anit (mbamendësi i tij – hafidhi) dhe do të thotë (Kur’ani): O Zot! Vishe (këtë njeri)! Kështu që atij i vishet kurora e nderit. Vishe edhe më shumë!- kërkon Kur’ani. Atëherë i vishet rroba e nderit. O Zot! Bëhu i kënaqur me të! –kërkon për së treti, kështu që Zoti i thotë: Lexo dhe ngjitu (lartë në pozita në Xhenet). Për çdo ajet Zoti i shton nga një të mirë!”

Mu për këtë, ne vërejmë se Selefi (gjeneratat e para të muslimanëve) leximit të Kur’anit i kushtonin rëndësi të veçantë në Ramazan, madje duke braktisur të gjitha angazhimet tjera shkencore.

E tash nëse do të dish se si mund të arrish tek kjo mirësi, atëherë në përputhje me kohën dhe angazhimet tua të domosdoshme vendos se sa here do ta lexosh Kur’anin gjatë Ramazanit: një, dy, tri apo më shumë herë.

Nëse do ta përfundosh Kur’anin brenda tri ditësh, atëherë pas çdo namazi lexo nga dy xhuza; nëse do ta përfundosh brenda pesë ditësh, atëherë lexo pas çdo namazi nga një xhuz ndërsa pas ikindisë dy xhuza. Kështu i bie që gjatë ditës të lexosh gjashte xhuza e që brenda 5 ditësh do ta përfundosh Kur’anin; nëse do ta përfundosh brenda 10 ditësh atëherë lexo nga tre xhuza në ditë, e nëse planifikon që gjatë tërë muajit ta bësh vetëm një hatme, atëherë për çdo ditë lexo nga një xhuz.

Vërtetë, punë e paktë por shpërblim i madh.

Namazi

Namazi është besëlidhja e njeriut me Zotin. Është ajo që e dallon besimtarin prej jobesimtarit. Është gjëja e parë për të cilën merret në pyetje njeriu, ngase namazi është përkthim në praktikë i besimit. Namazi ka vlerë të pakontestuar. Ajo që ne duam nuk është falja e namazit, ngase kjo nuk guxon të jetë diskutabile te besimtari; ne mëtojmë që të paktën këtë Ramazan, namazet t’i falim në xhemat. Imam Muslimi transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:

“ما مِنْ امْرِئ مُسلم تـَحـضـُرُه صـَلاةٌ مـَكتـُوبـَةٌ فـَيـُحسنُ وُ ضُوءها وخـُشـُوعـَها ، إلاَّ كانت كـَفـَّارةً لمـَا قـَبْـلها مِن الذنوب ما لم تـُؤْتَ كـَبيرة ، وَ ذَلكالدَّهر كلـَّه

Nuk ka musliman që prezanton në namaz të obliguar duke marrë abdes me përpikëri dhe përkushtim, atij i falen të gjitha mëkatet e mëparshme, absolutisht, me përjashtim nëse nuk ka bërë mëkate të mëdha.”

Duam që ta planifikosh kohën tënde që në kohë namazesh të mos kesh agjenda tjera, përkundrazi, lidhi të tjerat me namazin. P.sh. leximin e Kur’anit, planifikoje pas sabahut, pas drekës, pas ikindisë, e kështu me radhë.

Namazin e teravive planifikoje gjithmonë me Imam ngase vetëm kështu mund të arrihet tek shpërblimi. Dhe jo vetëm kaq. Shfrytëzo edhe kohët me vlerë për namaz. P.sh. kur të ngritësh për të ngrënë syfyr, atëherë fal të paktën dy rekate namaz, ngase kjo është koha kur mëshira e Allahut të Madhëruar përshkon zemrat e adhuruesve. Mu për këtë, Kur’ani na rrëfen se besimtarët e sinqertë:

“وبالأسحار هم يستغفرون

Dhe në syfyr (kah mbarimi i natës) ata kërkonin falje për mëkatet.” (edh-Dharijat: 18.)

Dhikri

Dhikri apo përkujtimi i Allahut me tesbih (subhanallah), tahmid (elhamdulilah), tekbir (Allahu i Madhëruar ekber), është prej gjërave madhështore. Allahu i Madhëruar ka thënë:

“فَاذْكُرُونِي أَذْكُرْكُمْ وَاشْكُرُواْ لِي وَلاَ تَكْفُرُونِ

Pra ju më kujtoni Mua (me adhurime), Unë ju kujtoj juve (me shpërblim). Më falënderoni e mos Më mohoni.” (el-Bekare, 152.)

Ibnu’l Kajjimi ka thënë: Për Zotin, sikur dhikri të mos kishte asnjë vlere tjetër përveç kësaj që Zoti të të përmend ty, do të mjaftonte!

E tash, në vend se ta kalosh kohën pranë televizionit duke shikuar seriale, apo duke bërë ndonjë punë tjetër të pavlerë, përkujtoje Allahun e Madhëruar.

Kjo njëherësh paraqet mirësitë e Ramazanit edhe nga një aspekt tjetër: shumëllojshmërinë e adhurimeve në Ramazan. Nëse për shkaqe të caktuara nuk mund të jesh në namaz me xhemat, apo të mos lexosh Kur’an rregullisht, atëherë shfrytëzoje këtë ngase vërtetë të dhuron shumë.

Imam Ahmedi deshi ta kalonte një natë në xhami por roja e xhamisë e pengoi. Do të flejë tek vendi i këmbëve të mia- kërkoi Imam Ahmedi, dhe vërtetë, ashtu edhe bëri, por roja e xhamisë u ngrit dhe e largoi-tërhoqi prej xhamie. Imam Ahmedi atëbotë ishte në moshë të shtyrë dhe në fytyrë i dukeshin rrudhat e pleqërisë. Derisa ishte në këtë gjendje e pa atë një bukëpjekës i cili i ofroi konak. Imami shkoi dhe ai vërtetë, edhe pse nuk e njohu, ia bëri një mikpritje islame shumë të madhe. Bukëpjekësi pas pak shkoi tek dhoma e tij që t’ia fillonte punës për gatimin e bukëve. Imami e dëgjoi bukëbërësin gjatë tërë kohës duke kërkuar falje të mëkateve -duke bërë istigfar-. U mahnit Imami kështu që të nesërmen e pyeti për këtë gjë. Gjatë tërë kohës sa e bëj gati brumin kërkoj falje të mëkateve- tha bukëbërësi. Imami duke qenë se dinte mirë vlerën dhe të mirat e istigfarit (kërkimit falje) e pyeti nëse kishte gjetur të mirat e tij? Po, çdo gjë ma ka plotësuar Allahun i madhërishëm përveç një lutjeje të kamotshme- tha bukëbërësi. E cila është ajo?- pyeti Imami. Ta shoh Imam Ahmed b. Hanbelin- tha bukëbërësi. Po unë jam Ahmed b. Hanbeli dhe pasha Allahun mbrëmë unë paskam qenë tërhequr zvarrë për të ardhur tek ti 1.

Lutja

Lutja është prej gjërave shumë të rëndësishme në Ramazan. Allahu ka nderuar agjëruesin duke bërë që lutja e tij të pranohet. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:

“ثلاث دعوات مستجابات : دعوة الصائم ، و دعوة المظلوم ، و دعوة المسافر

Tri lutje janë të pranuara: lutja e agjëruesit, lutja e atij që i është bërë padrejtësi dhe lutja e udhëtarit.”2

Pra, kushtoji rëndësi shumë lutjes, sidomos në perëndim të diellit dhe në syfyr, ngase ka mundësi që Allahu të nderojë e të të falë nga zjarri i Xhehennemit. A nuk ka thënë Pejgamberi, alejhi’s selam:

“وَلِلَّهِ عُتَقَاءُ مِنْ النَّارِ وَذَلكَ كُلُّ لَيْلَةٍ

E Allahu i Madhëruar çdo natë të Ramazanit falë njerëz nga zjarri!”3

Lutu që të jesh prej tyre e mos harro të lutësh edhe për ne!/Sedat ISLAMI


[1] http://www.kbi-vushtrri.com/imamahmedidhebukepjekesi.html

[2] Albani në Sahihu-l-xhamii, 3030, e ka cilësuar autentik.

[3] Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit