Mukabele-ja zakonisht lexohet nga hafizët ose imamët e xhamive, ndërkohë ndiqet dhe kontrollohet nga besimtarë të cilët duke u ulur përballë personit që këndon Kur’anin kontrollojnë dhe ndjekin leximet e tij
SHKUP (AA) – Me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit nëpër xhamitë e Shkupit ka filluar edhe leximi i Kur’anit. Njëra nga xhamitë ku lexohet mukabele është edhe xhamia e Dyqanxhikut në Shkup në të cilën lexohet nga nëntë hafizë, ndërsa ndiqet nga një numër i madh i besimtarëve muslimanë që jetojnë në këtë rajon, raporton Anadolu Agency (AA).
Xhamia e Dyqanxhikut për vite të tëra e ka ruajtur traditën e mukabeles dhe këtë vit me ardhjen e Ramazanit do ta vazhdojë atë. Kjo xhami është një nga xhamitë qendrore të Shkupit dhe gjatë muajit të Ramazanit do të lexohet mukabele para çdo namazi të drekës nga imami i xhamisë së bashku me nëntë imamë të tjerë. Mukabele-ja në këtë xhami ka filluar nga dita e sotme ndërsa do të përfundojë një ditë para festës së Bajramit të Madh.
Leximi i Kur’anit gjatë muajit të Ramazanit përkujton fillimin e zbritjes së Kur’anit si dhe kohën kur Profeti Muhammedi (a.s) lexonte Kur’anin në prani të Xhebrailit a.s. Leximi dhe praktikimi i Kur’anit ka arritur deri në ditët tona, ku gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit nëpër çdo xhami lexohet në grup dhe në këtë mënyrë emërtohet edhe ndryshe si “mukabele”.
Mukabele nga ana leksikologjike nënkupton “të lexuarit balllë për ballë duke e kontrolluar”. Ashtu sikurse në të gjitha vendet e botës islame edhe në Shkup ndiqet dhe praktikohet nga shumë besimtarë. Mukabele-ja zakonisht lexohet nga hafizët ose imamët e xhamive, ndërkohë ndiqet dhe kontrollohet nga besimtarë të cilët duke u ulur përballë personit që këndon Kur’anin kontrollojnë dhe ndjekin leximet e tij.