Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se i Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “O umeti i Muhamedit! Askush nuk është më xheloz se Allahu kur e sheh robin a robëreshën e Tij duke bërë kurvëri. O umeti i Muhamedit! Sikur të dinit atë që di unë, do të qeshnit pak e do të qanit shumë.” Dëlirësia ose ndershmëria nënkupton përmbajtjen e vetes nga epshet e ndaluara dhe gjërat e pahijshme. Dëlirësia është virtyt i lartë i besimit dhe zbukurim për burrin dhe gruan, në këtë dhe në botën tjetër. Ajo na e ruan imanin dhe na e vërteton devotshmërinë tonë. Përmes saj e fitojmë kënaqësinë e Zotit dhe e ruajmë jetën e shëndetin tonë. Njëkohësisht, ajo është edhe mjet për jetë të lumtur bashkëshortore, ngase bashkëjetesa ndërtohet mbi dëlirësi dhe pastërti. Në lidhje me këtë, Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Ata që nuk kanë mundësi për martesë, le ta përmbajnë veten, derisa Allahu t’i begatojë me dhuntinë e Tij.” (Nur, 33) Abdullah ibn Mesudi tregon se i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Tij qofshin mbi të, thoshte: “O Allahu im, më udhëzo, më bëj të devotshëm e të dëlirë dhe më pasuro.” (Shënon Muslimi) Me gjasë si sihariq më i mirë për burrin dhe gruan e dëlirë do të shërbente hadithi i shtatë llojeve të njerëzve, që do të jenë nën hijen e Allahut, në ditën kur nuk do të ketë hije tjetër pos hijes së Tij, në të cilin, në mes tjerash, ceket: “…burri që ftohet nga një grua e bukur dhe me pozitë, kurse ai (e refuzon e) i thotë: “Unë i frikësohem Allahut, Zotit të botëve.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi) Ky hadith e nënkupton edhe gruan e dëlirë, të ftuar nga ndonjë burrë, kurse ajo i thotë: “Unë i frikësohem Allahut.” Vallë, cili njeri me arsye të shëndoshë do ta linte këtë shpërblim?! Cila është ajo kënaqësi që do të mund të barazohej me këtë dhunti madhështore?! Dëlirësia ka dobi të shumta, disa prej tyre janë: -Përmes saj arrihet jetësimi i imanit. Allahu i Lartësuar i përshkruan besimtarët duke thënë: “…dhe ata që e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme).” -Shpëtimi nga punët e liga dhe dëmet e tyre. -Pastërtia e individit, pastrimi i shoqërisë. -Burri dhe gruaja e dëlirë në Ditën e Gjykimit do të jenë nën hijen e Allahut. -Dëlirësia është nder në këtë botë dhe shpëtim nga Zjarri në botën tjetër. I Lartësuari thotë: “E, nëse përmbahen, është më mirë për to. Allahu i dëgjon dhe i di të gjitha.” -Përmbajtja nga punët e liga është mjet për martesë të suksesshme. -Përmbajtja nga punët e liga e dëshmon qëndrueshmërinë kundrejt mëkateve. -Dëlirësia është mburojë e familjes: Allahu ia ruan nderin atij që ia ruan nderin njerëzve. Njeriu mund ta edukojë veten e tij në dëlirësi duke i zbatuar urdhrat e Allahut dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij. I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Tij qofshin mbi të, ka thënë: “Atë që përpiqet të jetë i dëlirë, Allahu e bën të dëlirë.” Pra, atij që e kërkon dëlirësinë, Allahu ia jep atë./ Hamud es-Selijm/revista shembulli/