3.4 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

O ju që e falni sabahun!

Më të lexuarat

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi Pejgamberin Muhammed, mbi familjen dhe shokët e tij.

Grupi i suksesshëm…, fytyrat e tyre shndrisin, ballët e tyre ndriçojnë, kohët e tyre janë përplot bereqet. Po qe se je nga ta falënderoje Allahun për dhuntitë që t’i ka dhënë, e nëse nuk bën pjesë në grupin e tyre, atëherë Lus Zotin të të bëjë prej tyre! E di se kush janë ata?!

Ata janë falësit e sabahut! Janë të kujdesshëm ndaj këtij obligimi, e ruajnë këtë adhurim. Me të e presin ditën, me të e çelin ditën, për ta dëshmojnë melekët. Ai që e fal sabahun me xhemat është sikurse të ishte falur tërë natën…

Ky është namazi i sabahut, të cilin Allahu i Lartmadhërishëm e quajti Kur’an:

“Kryeje namazin prej kthimit të Diellit (nga gjysma e qiellit) deri në errësirën e natës dhe këndo Kuran në agim; me të vërtetë, falja e mëngjesit është e dëshmuar (nga engjëjt).” (El-Isra: 78)

Përkujdesja ndaj këtij namazi është nga shkaqet e hyrjes në xhenet. Sa e sa gradë fiton njeriu kur merr abdest për këtë namaz, sa e sa shpërblime ka ecja për kryerjen e tij! Mandej, në kohën pas tij zbret bereqeti. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “O Allahu im jepi bereqet umetit tim në mëngjesin e hershëm.” [Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Ibnu Maxheja].

Falësit e sabahut janë ata të cilët i përgjigjën thirrësit të Allahut, kur ai thotë: “Ejani në namaz, ejani në shpëtim!” Paqja qoftë mbi këta njerëz, të cilët e kuptuan se namazi është më i mirë se gjumi, e ndjenë domethënien e adhurimit. Andaj, ata i pritën ditët e lumtura, duke i përgëzuar dhe duke i forcuar. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Përgëzoi me dritën e plotë Ditën e Gjykimit ata që ecin në errësirë për të shkuar në xhami.” [Tirmidhiu dhe Ebu Davudi].

O ju që e falni sabahun!

Fituat shpërblimin e madh, asnjëherë mos mendoni se pasuesit e epsheve dhe kënaqësive të përkohshme kanë arritur lumturinë! Vallahi ata kurrë nuk kanë për të qenë të lumtur. Porse, ju kërkoni nga Allahu t’ju ndihmojë, falënderojeni Atë dhe nga Ai drejtohuni! I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Ai që e fal jacinë me xhemat, është sikurse të ketë kaluar gjysmën e natës në namaz dhe ai që e fal sabahun me xhemat është sikurse tërë natën ta ketë kaluar në namaz.” [Muslimi].

 

O ju që e falni sabahun!

Përgëzime për ju! Do të kënaqeni në xhenet duke shikuar fytyrën e Allahut të Lartmadhërishëm. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Do ta shihni Zotin tuaj siç po e shihni këtë hënë duke mos u shtyrë për ta parë Atë, andaj kush mund ta ruajë namazin para lindjes së diellit dhe atë para perëndimit, le ta bëjë!” Pastaj, lexoi: “…madhëroje Zotin tënd e falënderoje Atë para lindjes së diellit dhe para perëndimit.” (Kaf: 39) Hadithin e transmeton Buhariu dhe Muslimi.

 

O ju që e falni sabahun!

A nuk jeni të kënaqur që kur njerëzit vrapojnë pas pasurisë dhe grave, ju të ktheheni përplot gjallëri, me kohë të begatshme, me shpirt të pastër, me dhurata të ndryshme, të hyni në xhenete dhe të zbret mbi ju mëshira. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Ai që fal dy namazet e freskisë (sabahun dhe ikindinë) do të hyjë në xhenet.” [Buhariu dhe Muslimi]. Po ashtu ka thënë: “Nuk do të hyjë në zjarr ai që falet para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij.” [Muslimi]. Me këtë është për qëllim namazi i sabahut dhe ai i ikindisë gjithashtu.

 

O ju që e falni sabahun!

Ju jeni nën përkujdesjen e Allahut, shpirtrat tuaj janë të mirë, trupat tuaj janë përplot energji. I Dërguari s.a.v.s. ka thënë: “Ai që e fal sabahun është nën mbrojtjen e Allahut.” [Muslimi]. Gjihtashtu, ka thënë: “Kur të bie njeriu për të fjetur, shejtani ia lidhë tek koka tri nyje dhe i thotë: ‘Fli, ngase para vete ke natë të gjatë!’ Nëse ai ngrihet dhe e përmend Allahun, i zgjidhet një nyje, nëse merr abdes i zgjidhen edhe një nyje dhe nëse ngrihet dhe e fal namazin i zgjidhen të gjitha nyejt dhe bëhet aktiv dhe shpirtdëlirë. Në të kundërtën bëhet shpirtlig dhe përtac.”

Muttefkun alejhi.

 

O ju që e falni sabahun!

Ju mjafton si nder dëshmia e melekëve të të Gjithëmëshirshmit. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Melekët ndërrohen tek ju natën dhe ditën dhe takohen në namazin e sabahut dhe atë të ikindisë, pastaj ngrihen ata që kanë bujtur te ju. Zoti i tyre i pyet, edhe pse Ai e di më miri: Si i latë robërit e mi? Ata thonë: I lamë duke u falur dhe i gjetëm duke u falur.” Muttefekun alejhi.

O ju që e falni namazin e sabahut në veçanti dhe o ju që faleni me xhemat në përgjithësi, ju përgëzoj se abdesti juaj është ngritje pozitash, ecja juaj për në xhami është fitim shpërblimesh dhe ulja juaj aty është mëshirë dhe paqe nga Zoti juaj. I Dërguari s.a.v.s. ka thënë: “Kush shkon për në xhami, Allahu ia ngrit atij nga një pozitë në xhenet sa herë që shkon.” [Buhariu dhe Muslimi]. Po ashtu ka thënë: “Namazi që falet me xhemat është njëzetepesë herë më i mirë sesa namazi që falet në shtëpi ose në vendin e punës. Kjo është kështu ngase kur njeriu merr abdest bukur dhe niset për në xhami, duke dalë vetëm për namaz, për çdo hap që bën i ngrihet nga një shkallë dhe i fshihet nga një mëkat. Derisa është në namaz, melekët pareshtur luten për të duke thënë: “O Zot, mëshiroje atë!”, derisa nuk e prish abdestin. Ndërsa, konsiderohet se është në namaz edhe gjatë pritjes së namazit.” [Muttefekun alejhi. Ky është versioni i Buhariut]. Kurse, në një hadith tjetër, të cilin po ashtu e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi thuhet: “Namazi që falet me xhemat është njëzeteshtatë shkallë më i mirë sesa namazi që falet vetëm.”

Gjithashtu ka thënë: “A dëshironi t’ju udhëzoj për atë se me çfarë i shlyen Allahu mëkatet dhe i ngre pozitat?!” Ata u përgjigjën: “Dëshirojmë, o i Dërguar i Allahut”, ndërsa ai tha: “Me plotësimin e abdesit në vështirësi, me hapat e shumtë për në xhami dhe me pritjen e namazit pas namazit. Kjo është për ju ribat, kjo është për ju ribat, kjo është për ju ribat (vigjilencë në rrugën e Allahut)!” [Muslimi].

Paqja qoftë mbi ata që e ruajnë namazin e sabahut, pasi që lanë ndejat dhe muhabetin e natës dhe fituan shpërblimin e madh. E shef ndonjërin nga ta, qysh natën përgatitet për namazin e sabahut, duke lënë alarmin, duke rënë me abdest e duke zbatuar sunetet tjera. E, po pat frikë se nuk do të mund të zgjohet për ta falur atë këshillon dikë që ta zgjojë, e para së gjithash është imani, besimi ai i cili ia gjallëron zemrën. Nëse ndonjë çështje e vonon ndonjëherë nga fjetja herët zgjohet me shpejtësi për t’u falur. Të tillët kanë shpërblim madhështor te Allahu pasi që falën namazin e sabahut në kohën e duhur, duke u kujdesur për të, qëndruan të atillë dhe fituan nëpërmjet veprës më të dashur te Allahu i Lartmadhërishëm.

Abdullah ibni Mes’udi – Allahu qoftë i kënaqur me të – ka thënë: “E pyeta të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.: Cila vepër është me e dashur te Allahu i Lartësuar? Tha: “Namazi në kohën e tij.” Muttefekun alejhi.

Këta janë burrat e vërtetë, besimtarët e sinqertë. Zoti ynë ka thënë:

“Në xhamitë, që Allahu ka urdhëruar të ngrihen e të përmendet aty emri i Tij, Atë e lavdërojnë në mëngjes dhe mbrëmje, njerëz, të cilët shitblerja nuk i pengon për të përmendur Allahun dhe të cilët falin namazin dhe japin zekatin dhe të cilët kanë frikë nga Dita (e Kiametit), kur zemrat dhe shikimet do të jenë të shqetësuara. (Këta shpresojnë) që Allahu t’i shpërblejë sipas veprave më të mira që kanë bërë e t’ua shtojë dhuntinë e Tij. Allahu i jep kujt të dojë, pa llogari.” (En-Nur: 36-38).

Ndërsa, ata që e humbën namazin, u treguan të shkujdesur ndaj tij dhe e vonuan nga koha, të mjerët ata sikur ta dinin se sa mëkat të madh kanë bërë dhe se sa shpërblime kanë humbur! I Lartmadhërishmi thotë:

Mjerë për ata që falen, të cilët ndaj namazit të tyre janë të pakujdesshëm. (El-Ma’un: 4, 5)

Po ashtu thotë:

“Pas atyre erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta. Ata do të pësojnë dënimin e madh, përveç atyre që pendohen, që besojnë dhe bëjnë punë të mirë. Këta do të hyjnë në Xhenet dhe nuk do t’u bëhet kurrfarë padrejtësie.” (Merjem: 59, 60).

Ndërsa i Dërguari s.a.v.s. ka thënë: “Gjëja e parë për të cilën do të llogaritet robi Ditën e Gjykimit është namazi. Po qe se atë e ka në rregull ka shpëtuar dhe ka korrur sukses, e nëse nuk e ka në rregull ka humbur dhe është shkatërruar…” Hadithin e transmeton Tirmidhiu dhe thotë se është hasen.

O ti që nuk e fal namazin me xhemat e sidomos namazin e sabahut a nuk ke ambicie të jesh me këta njerëz që i ka lavdëruar Allahu?! Përse i hap rrugë shejtanit?! Përse pranon që shejtani të t’i urinojë veshët? Është përmendur para të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. një njeri i cili kishte fjetur deri në agim. I Dërguari s.a.v.s. tha: “Shejtani ia ka urinuar veshët.” Hadithin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

 

O vëllai im!

Në momentin kur je duke shijuar kënaqësinë e fjetjes kujto vuajtjet dhe dhimbjet që t’i shkakton ajo. Madje, të mjafton thënia e të Dërguarit s.a.v.s.: “… bëhet shpirtlig dhe përtac.” Muttefekun alejhi. Gjithashtu, të mjafton thënia e tij në hadithin e ëndrrës: “Sa i përket njeriut të cilit i shtypej koka me gurë është ai i cili e merrte Kur’anin dhe e kundërshtonte atë dhe flinte ndaj namazit të detyrueshëm.” Hadithin e transmeton Buhariu. Pasi që ai parapëlqeu gjumin ndaj namazit meritoi t’i shtypet koka me gurë. Shpërblimi është sipas llojit të veprës.

Bëhu prej atyre që e falin sabahun, në mënyrë që të jesh nën mbrojtjen e Allahut, të shkruhesh në librin e të mirëve, ta arrish lumturinë dhe dritën dhe të shlyhesh nga libri i dyfytyrësisë! Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Nuk ka namaz më të vështirë për dyfytyrëshat sesa namazi i sabahut dhe ai i jacisë, e sikur ta dinin vlerën e tyre do të vinin qoftë edhe duke u zvarritur.” Hadithin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

 

O vëllai im!

Llogarite veten tënde, bëhu i sinqertë ndaj Zotit tënd, çele ditën me një pendim që t’i shlyen të gjitha mëkatet e kaluara! Kujto dhuntitë që t’i ka dhënë Allahu! Gjithherë lute Atë të të ndihmojë dhe leji muhabetet e natës, sepse ato janë shkak kryesor për ikjen e namazit! Pos kësaj, merri shkaqet që të ndihmojnë në këtë me lejen e Allahut, siç janë fjetja me abdest dhe pasi ta kesh bërë dhikrin e fjetjes e ta kesh lënë alarmin! Nëse prapë ke frikë se nuk do të mund të zgjohesh, atëherë porosite dikë të familjes apo ndonjërin nga fqinjët të të zgjojë apo të të thërrasë në telefon! Kur të zgjohesh menjëherë përmende Allahun dhe ngrihu me shpejtësi nga shtrati, mos u përpëlit herë në njërin krah e herë në tjetrin e as mos lejo të të mashtrojë shejtani duke të thënë pusho edhe pak, sepse kjo gjë është prej mashtrimeve të tij! Shmangu mëkateve, e sidomos shikimit të ndaluar, ngase mëkati është shkak i largimit nga nënshtrimi ndaj Zotit! Bëhu i vendosur dhe kujto shpërblimin e atyre që shkojnë në xhami, zemrat e të cilëve janë të lidhura me të! Të tillët do të jenë prej shtatë llojeve të njerëzve, të cilët do të hyjnë nën hijen e Allahut ditën kur nuk ka hije tjetër pos hijes së Tij. Atë janë të lumturit dhe të suksesshmit në këtë dunja, e në botën tjetër janë banorë të xhenetit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Tre lloje të njerëzve janë të garantuar nga Allahu. Po qe se jetojnë do të kenë furnizim të mjaftueshëm, e po qe se vdesin do t’i fusë Allahu në xhenet. Ai që del për në xhami është prej atyre që janë nën garancinë e Allahut.” Hadithin e transmetojnë Ebu Davudi dhe Ibnu Hibbani.

Lus Allahun të na japë lumturi mua dhe atij që e lexon këtë shkrim në këtë dhe botën tjetër dhe ta fitojmë kënaqësinë dhe xhenetin e Tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhammedin, mbi familjen dhe shokët e tij.

 

 

Salih ibn Abdirrahman El-Hudejri

Nga arabishtja: Jusuf Kastrati

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit