1.4 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Qentë lehin, Karvani vazhdon rrugën!

Më të lexuarat

“Dhe ngutuni (me punë që meritoni) në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për një Xhennet, gjerësia e të cilit është sa gjerësia e qiejve dhe e tokës, i përgatitur për të devotshmit.”( Ali Imran, 133)

Motivimi i besimtarit për të bërë punë të mira rrjedh prej Kur’anit fisnik dhe sunetit (traditës) së të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Në këto dy burime fisnike të fesë nuk do të mund të gjejmë as mbështetjen më të vogël për mospunë dhe dembelizëm. E, për gradën që ka veprimi i punëve të mira më së miri na tregon këshilla e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, që nëse ndokush është duke mbjellë ndonjë pemë ta bëjë atë edhe nëse ka mundësi edhe po qe se në atë çast bëhet Kijameti. Po ashtu, edhe mundi për mëshirën e Allahut, Xhenetin nuk guxon asnjëherë të pakësohet, por çdo herë duhet të jetë më e madhe me fjalët dhe veprat e çdo besimtari dhe besimtareje. Ajeti i lartpërmendur na inkurajon që të veprojmë mirë dhe na motivon që të ngutemi për Xhenet.

Shpesh e pyes veten, kur shoh besimtarët tjerë se si mundohen për Xhenet, ku jam unë në gjithë këtë. Sa ka prej atyre që nuk heqin dorë nga rruga për në Xhenet dhe nuk ju dhimbset asgjë që të investojnë për të, përderisa mua më mban përtacia.

Dëgjoj dhe lexoj për të mëdhenjtë e Islamit, shikoj dhe dëgjoj për të mëdhenjtë e kësaj kohe dhe për muslimanë të thjeshtë të cilët garojnë në punë të mira dhe në atë se kush do t’i kontribuoj më tepër Islamit.

Teknologjia bashkëkohore na ka mundësuar të shohim, të dëgjojmë apo të lexojmë për atë që ndodhë në skaj të botës. Kam shikuar të arriturat jetësore të shejh Ahmed Deedat-it, dhe mundin që e ka dhënë në shërbim të Islamit. Frytet e atij mundi mblidhen në gjithë botën. Kam parë se si qëndron i palëvizshëm dhe me anë të lëvizjeve të syve dikton libra, Allahu i dhuroftë kopshte të xhenetit, dëgjojmë se si muslimania e cila ka qenë e krishterë, ka pranuar Islamin, me vite mbledh të krishterë në xhami në Dubai dhe iu flet për Islamin dhe kënaqet më këtë që bën. E, sa ka muslimane që rrjedhin nga familja muslimane, të cilat e kanë mësuar namazin, agjërimin etj., por, për Islam asnjëherë asgjë nuk kanë sakrifikuar e as kontribuar.

Karvani drejt Xhenetit ka udhëtuar gjithnjë dhe do të udhëtojë deri në Ditën e Gjykimit. Ka pasur, ka dhe do të ketë të atillë që do të kapen fort për të duke mos u larguar prej tij asnjë hap. Por, ka më shumë të atillë afër të cilëve do të kalojë Karvani e ata nuk do ta vërejnë, apo edhe do të aktivizojnë qentë e tyre që ta pengojnë lëvizjen e tij. Ndoshta kanë arritur që të krijojnë pak rrëmujë në Karvan, por asnjëherë nuk kanë arritur që ta ndalojnë atë. Gjithashtu, edhe përpjekjet e tyre të kësaj kohe, qysh në fillim, janë të dështuara: “Ata që nuk besuan, shpenzojnë pasurinë e tyre për të penguar nga rruga e Allahut. Ata do ta shpenzojnë atë dhe ajo do të bëhet dëshpërim i tyre, madje ata do të mposhten. E, ata që mohuan do të përmblidhen vetëm në xhehennem.” (El-Enfal, 36.)

Edhe tek ne, nuk është i vogël numri i “këlyshëve” që lehin në karvanin e Islamit. Në raste të shumta ata mbajnë emra muslimanë. Garojnë se kush do të lehë më tepër të shara për muslimanët dhe Islamin! I humbtë fara! Këtyre “këlyshëve” vendorë sikur iu vije shumë keq që kanë lindur në familje muslimane. Siç duket janë në bela të madhe, nuk din ç’të bëjnë! Të kryqëzohen, nuk shkon, sepse duhet të fillojnë luftë me familje dhe të largohen nga të afërmit. Por, nuk mund të mbeten as muslimanë, sepse si të arsyetohen para jomuslimanëve dhe jaranëve të tjerë për ezan, për mbulesë etj. Për këtë, të tillëve më së lehti iu vije të thonë se janë ateistë – sikur nuk jam fajtor që kam lindur në familje muslimane, por fenë nuk mund ta paramendoj, edhe do t’i tregoj të gjithëve që është kështu, duke sharë fenë.

Njerëzit dëshmohen me veprat të cilat ju shërbejnë të tjerëve. Kurse ata që nuk janë njerëz, dëshmohen me vepra të liga, sepse nuk janë në gjendje të veprojnë mirë, por qëllimi i tyre është që të jenë në qendër të vëmendjes, e edhe nëse këtë e arrijnë me të shara dhe të kota. Shembull të tillë e kemi rastin e një të poshtri i cili ka dashur që historia ta mbajë mend dhe ka vendosur që të udhëtojë për në Mekke vetëm për të urinuar në burimin e ujit Zem-Zem për ta përmendur njerëzit, çoftë edhe për diç shumë të shëmtuar.

Vëlla dhe motër, mos u ndalni në të lehurat boshe të qenve që lehin në karvanin e Islamit, por shpejto drejt nënshtrimit ndaj Allahut dhe shërbimit në të mirën. Shumë të mira na rrethojnë. Ka shumë njerëz rreth nesh të cilët duhet thirrur në Islam. Përmbushe ditën tënde duke punuar për Allahun, dhe largohu prej atyre që dëshirojnë të të pengojnë nga kjo. Ata janë të humbur. Koha e tyre nuk ka vlerë si koha jonë. Ne në një moment mund t’i mbjellim vetes një pemë në Xhenet, e ata ndoshta këtë nuk mund ta bëjnë gjatë tërë jetës së tyre. Të jemi të lumtur për Islamin, sepse përfundimi i besimtarit është Xheneti, dhe të mos merakosemi, sepse Allahu është mbrojtësi i besimtarit, e cili është mbrojtësi i atyre?!

Përktheu: Arsim SYLA – Shembulli.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit