Të arrestuarit, mes tyre Greta Thumberg, në Ashdod para deportimit
Komandot izraelitë hipën në të paktën tre nga anijet e flotiljes – Alma, Sirius dhe Adara. Kanali 13 i Izraelit më vonë e rriti numrin e anijeve të sekuestruara nga IDF në gjashtë. Flotilja përbëhet nga rreth 45 anije që transportojnë qindra aktivistë pro-palestinezë nga më shumë se 40 vende.
Midis anijeve ishte ajo që transportonte Greta Thunberg, e cila sipas autoriteteve izraelite është midis të arrestuarve.
Informacioni u konfirmua nga Izraeli, i cili raportoi përmes Ministrisë së Jashtme se kishte ndaluar “disa anije”, pa shkaktuar ndonjë dëm, siç thotë. “Pasagjerët e tyre po transferohen në një port izraelit“, shkroi ministria në X, duke shtuar se “Greta dhe miqtë e saj janë shëndoshë e mirë”.
Një deklaratë nga Flotilja Globale Sumud iu referua një “sulmi të paligjshëm ndaj humanitarëve të paarmatosur”. Organizata tha se anijet e mbetura ishin rreth 70 milje detare nga Gaza dhe planifikonin të “vazhdonin pa u dekurajuar”.
Eurodeputetja franceze me origjinë palestineze, Rima Hassan, e cila ishte në bordin e një anijeje të Flotiljes Globale Sumud që u kap nga forcat izraelite para se të arrinte në Rripin e Gazës, akuzoi Izraelin për ndalimin “ilegal” dhe “arbitrar” të qindra anëtarëve të misionit.
“Qindra civilë, punonjës humanitarë dhe aktivistë paqësorë në bordin e Flotiljes Global Sumud janë arrestuar në mënyrë të paligjshme dhe janë ndaluar në mënyrë arbitrare nga Izraeli”, tha Rima Hassan në një mesazh në Platformën X, duke u bërë thirrje autoriteteve përkatëse të kërkojnë lirimin e tyre të menjëhershëm.
Në të njëjtën kohë, ajo u bëri thirrje qeverive dhe udhëheqësve në mbarë botën të kërkojnë “sigurinë dhe lirimin” e të gjithë atyre që ndodheshin në anijet e ndaluara. “Para hipjes së paligjshme në anije, duket se anijet luftarake izraelite shkatërruan qëllimisht sistemet e komunikimit, në një përpjekje për të bllokuar sinjalet e fatkeqësisë dhe për të ndaluar transmetimin e drejtpërdrejtë të hipjes së paligjshme. Përveç anijeve që janë konfirmuar se janë ndaluar, transmetimet e drejtpërdrejta dhe komunikimi me disa anije të tjera janë humbur”, thanë aktivistët.
Si ministri i Jashtëm Francez Jean-Noel Barrot ashtu edhe homologu i tij italian Antonio Tajani folën për forcat izraelite që hipën në anije, duke konfirmuar informacionin.
Aktivistët e flotiljes së Gazës që u ndaluan përkohësisht dhe u transferuan në Ashdod “janë gati të hipin në një aeroplan dhe brenda dy ditësh do të kthehen në Evropë“, tha ministri italian. Nga ana e tij, ministri francez njoftoi se anijet e flotiljes u “ndërhynë, forcat izraelite hipën në to”, ndërsa u bëri thirrje autoriteteve izraelite të garantojnë sigurinë e tyre.
“Ata tashmë po vijnë për ne. Dy duzina anije po na presin”, tha José Luis Ibote më parë në një video të postuar në mediat sociale. Dy pasagjerë të tjerë në flotilje, përfshirë deputetin e partisë spanjolle Compromis, Juan Bordera, konfirmuan se anije të panjohura po i afroheshin flotiljes.
Marina Izraelite i kishte kërkuar më parë flotiljes të ndryshonte kurs.
Ministria e Jashtme Izraelite madje publikoi një video të një togeri të Marinës duke folur me aktivistët në radio, duke thënë se ata po “i afroheshin një zone ndalimi”.
“Nëse dëshironi të dërgoni ndihmë në Gaza, mund ta bëni këtë përmes kanaleve të vendosura. Ju lutemi ndryshoni kursin në portin e Ashdodit, ku ndihma do t’i nënshtrohet kontrolleve të sigurisë dhe më pas do të transferohet në Rripin e Gazës”, tha ajo. Ministria theksoi se “qëllimi i vetëm i flotiljes Hamas-Sumud është provokimi”.
Ndërsa Ministria e Jashtme Turke akuzoi Izraelin për një “akt terrorizmi” në ujërat ndërkombëtare që rrezikon jetën e civilëve të pafajshëm.
Vërehet se të martën në mbrëmje, aktivistët kishin raportuar se anijet luftarake izraelite po i afroheshin “në mënyrë agresive” dy anijeve të flotës – Alma, një nga anijet që udhëhiqte flotiljen – dhe Sirius.
“Anijet luftarake pamundësuan komunikimet, rrethuan në mënyrë agresive anijet civile dhe i detyruan kapitenët të bënin manovra të mprehta për të shmangur një përplasje”, thuhej në një deklaratë të lëshuar të mërkurën. “Këto veprime armiqësore i kanë vënë civilët e paarmatosur nga më shumë se 40 vende në rrezik serioz”, vazhdoi deklarata.
Kështu, as flotitja me 40 anije nga 40 vende, nuk mundi të prekë Gazën, pra të ccajë bllokadën izreaelite. /tesheshi.com/
