Arrestimi i gazetares Hayat al-Yamani mbi anijen “Sirus”, pjesë e flotiljes së qëndresës që synonte të arrinte Gazën, nuk ishte vetëm një akt i pushtetit ushtarak kundër një zëri kritik. Ishte një ngjarje e mbushur me mesazh simbolik, të cilin ajo vetë e përgatiti me kujdes.
Në momentin e arrestimit, ajo zgjodhi të vishte një këmishë me vija bardhë e blu – të njëjtat ngjyra dhe dizajn që të kujtojnë uniformën e të burgosurve të kampit famëkeq të përqendrimit Auschwitz. Mbi këmishë kishte shkruar me germa të mëdha: “Gaza = Auschwitz” dhe “Holokausti po përsëritet”.
Ky gjest nuk ishte i rastësishëm. Ai ishte një akt i vetëdijshëm i denoncimit, një “editorial i heshtur” i shkruar mbi trupin e saj, në çastin kur e dinte se do të fotografohej, filmohej dhe shfaqej para botës. Përmes kësaj, ajo krijoi një krahasim të dhimbshëm e të fortë: Gaza sot është kthyer në një kamp shfarosjeje, një laborator vuajtjeje kolektive që sjell në kujtesë hijet e Holokaustit.
Ironia dhe tragjedia që ajo nxori në pah është se populli që dikur ishte viktimë e një gjenocidi është shndërruar sot në autor të një gjenocidi të ri. Viktima e djeshme është bërë xhelati i sotëm. Kjo është një nga paradokset më të errëta të historisë: kujtesa e dhimbjes nuk ka shërbyer për të ndaluar krimin, por është përdorur si justifikim për një krim tjetër.
Ky veprim i al-Yamanit nuk është thjesht protestë individuale; ai është një akt simbolik që i fton opinionet publike ndërkombëtare të përballen me pyetjen e pakëndshme: a po përsëritet Holokausti, por kësaj radhe ndaj palestinezëve? Dhe nëse po, pse bota hesht?
Në fund, mesazhi i saj është i qartë: Gaza nuk është vetëm një qytet i rrethuar apo një vend i shkatërruar nga bombardimet. Gaza është bërë simboli i dytë i Auschwitz-it – një vend ku njerëzimi po vihet sërish në provë, dhe ku historia po përsëritet, tragjikisht, nën sytë tanë, në formën e një gjenocidi të plotë.
