Një ditë Aishja i tha Profetit (paqja qoftë mbi të): “O i Dërguar i Allahut, Abdullah ibën Xhud’an në kohën e injorancës (para Islamit) i mbante lidhjet farefisnore dhe ushqente të varfrit. A do t’i vlejë kjo atij?”
Ai i tha: “Jo, nuk do t’i vlejë. Sepse ai nuk ka thënë kurrë: ‘O Zoti im, më fal mëkatin tim Ditën e Gjykimit!’” Muslimi
Një nga sprovat që po kalojnë muslimanët këto ditë është se kur vdes ndonjë jobesimtar i njohur si shpikës i madh, bamirës i njohur apo mjek i mëshirshëm, ata thonë: “Feja është për Allahun, dhe vetëm Ai e di çfarë ka në zemrën e tij. Nëse ai nuk është nga banorët e Xhenetit, kush tjetër mund të jetë?”
E ndoshta shtojnë shprehjen e tyre të zakonshme: “Nëse ka bërë mirë, për vete e ka, e nëse ka bërë keq për vete e ka!”
Por kur vdes një dijetar apo jurist musliman, ata thonë: “A nuk ishte ky ai që dikur dha fetva për këtë apo atë çështje?!”
Kërkojnë për jobesimtarin veprën më të mirë që ka bërë në këtë botë, kurse për muslimanin veprën më të keqe që ka bërë!
Së pari, duhet të sillemi me edukatë ndaj Allahut. Çështja e njerëzve i përket vetëm Allahut: nëse Ai dëshiron i fut në Xhenet nga mëshira e Tij, dhe nëse Ai dëshiron i fut në zjarr nga drejtësia e Tij!
Mirëpo është keqkuptim i thellë të ngatërrosh veprat e mira që i bën një njeri me besimin dhe fenë e tij të prishur!
Është e vërtetë që jo të gjithë jobesimtarët janë njësoj, ashtu siç nuk janë njësoj të gjithë muslimanët. Por të besosh se shpëtimi nga zjarri i xhehenemit vjen nga ndonjë ilaç që shpik një mjek, apo nga një jetimore që hap një i pasur, e të lësh mënjanë fenë duke thënë se “feja është sjellje e mirë”, kjo është banalizim dhe zvogëlim i çështjes së Teuhidit (monoteizmin – besimin në një Zot), për të cilën Allahu krijoi krijesat, dërgoi të dërguarit, zbriti librat dhe krijoi Xhenetin e Xhehennemin!
Po, ne pranojmë dhe e nderojmë mirësinë e jobesimtarit nëse ai ka bërë ndonjë të mirë, dhe lavdërojmë veprat e tij njerëzore – kjo është drejtësi dhe ne jemi urdhëruar për drejtësi. Por të mendojmë se kjo është çmimi për të hyrë në Xhenet – kjo është gabim i madh në besim.
Nëse për vetë muslimanin e e zellshëm fetarisht nuk mund të themi me siguri që është në Xhenet, atëherë si mund ta themi këtë për ndonjë jobesimtar që ka bërë të mira!!!
E mira që bën një jobesimtar është nga natyrshmëria me të cilën Allahu e ka krijuar njeriun. Dhe se Allahu është më i drejtë sesa të dijë se ka ndonjë mirësi në zemrën e një robi të Tij dhe ta lërë të vdesë pa e futur atë në Islam!
Hasan el-Basri tregon:
“Hyra te një zoroastrian (adhurues zjarri) që ishte në grahmat e vdekjes. Shtëpia e tij ishte përballë me timen, dhe ai ishte fqinj i mirë, me sjellje të mirë dhe moral të lartë. Shpresova që Allahu ta udhëzojë në çastet e fundit dhe ta bëjë të vdesë si musliman.
I thashë: ‘Si je? Çfarë ndjen?’
Ai tha: ‘Zemra ime është e sëmurë dhe nuk kam shëndet, trupi është i rraskapitur dhe nuk kam fuqi, varri është i frikshëm dhe nuk kam shoqëri, udhëtimi është i gjatë dhe nuk kam furnizim, ura është e hollë dhe nuk kam leje për të kaluar, zjarri është i nxehtë dhe nuk kam trup që e përballon, Xheneti është i lartë dhe nuk kam punë për të, Zoti është i drejtë, kurse unë nuk kam argument para Tij!’
I thashë: ‘A nuk do të pranosh Islamin që të shpëtosh?’
Tha: ‘O shejh, çelësi është në dorën e Atij që hap (Zoti), ndërsa dryni është këtu!’ – dhe tregoi nga gjoksi. Pastaj ra në gjendje të fikti.
Iu drejtova Allahut dhe thashë: ‘O Zoti im, nëse ky zoroastrian ka ndonjë vepër të mirë tek Ti, shpejtoja atij udhëzimin para se t’i dali shpirti nga kjo botë.’
Ai u kthjell nga alivanosja, hapi sytë dhe tha: ‘O shejh, Gjithëhapësi (El-Fetahu) më dërgoi çelësin! Zgjate dorën tënde! Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut!’
Dhe më pas dha shpirtin.”
Ed-hem Sherkavij
Përktheu: Bekir Halimi
