10.6 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Zjarri në qendrën për COVID-19 në Tetovë, Shqipëria dhe Kosova solidarizohen me Maqedoninë e Veriut

Më të lexuarat


Zyrtarët e lartë të Shqipërisë dhe Kosovës kanë reaguar në lidhje me zjarrin në qendrën për COVID-19 në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, që shkaktoi edhe viktima, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në rrjetet sociale ka shkruar se me shqetësim dhe trishtim të thellë po përcjell tragjedinë e ndodhur në spitalin e Tetovës, duke shprehur ngushëllimet për jetët e humbura.

“Një ngjarje tepër e rëndë dhe tronditëse, veçanërisht për numrin e viktimave të raportuara. Shpreh ngushëllimet më të ndjera për jetët e humbura dhe ndaj dhembjen e madhe me familjarët e tyre”, ka shkruar Meta.

Meta thekson se shpreh solidaritetin e plotë me autoritetet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, që sipas tij po bëjnë përpjekje maksimale për të shpëtuar sa më shumë jetë dhe vënë nën kontroll situatën.

Kryeministri Edi Rama në reagimin e tij publikuar në rrjetet sociale shkruan “Lutje për Tetovën”.

Në lidhje me ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, cili në rrjetet sociale shkruan: “Ngushëllimet më të ndjera nga Tirana qytetarëve të Tetovës për jetët e prekura nga shpërthimi i zjarrit ne spitalin modular”.

Porosi ngushëllimi edhe nga zyrtarët kosovarë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për viktimat nga zjarri ka ngushëlluar familjet, presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe kryetaren e Tetovës, Teuta Arifi, duke u shprehur se është “e prekur thellësisht nga aksidenti tragjik në Spitalin COVID të Tetovës”.

“Në këto çaste të dhimbshme bashkëndjejmë me familjet që humbën të afërmit dhe lutemi për shërim të shpejtë të të lënduarve”, thuhet në mesazhin e Presidentes Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shprehu ngushëllime dhe gatishmërinë për ndihmë kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetaren e Komunës së Tetovës për ngjarjen e rëndë. “Kryeministri Kurti i shprehu ngushëllime Kryetares Arifi për këtë tragjedi dhe gatishmërinë për ndihmë, për çfarë Kryetarja Arifi e falënderoi kryeministrin”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Ka reaguar edhe kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili u shpreh “i trishtuar” nga incidenti tragjik.

“Bashkëndjejmë thellë me të gjitha familjet të cilat i humbën më të dashurit e tyre në këtë tragjedi të papërshkrueshme. Kurse të lënduarve ju dëshirojmë të shërohen. Pranoni ngushëllimet e mia dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, theksoi Konjufca

Deri më tani, dhjetë persona janë konfirmuar të vdekur nga zjarri që kaploi qendrën për COVID-19 në Tetovë, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut.

/aa/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit