9.5 C
Pristina
Sunday, April 28, 2024

Zjarri i indinjatës

Më të lexuarat

Nga Hoxha Dorian Balliu

Nuk do të ishte diçka normale që grupi i personave me kapacitete simbolike (intelektualët apo profesorët) siç i quan Prof. Rudian Zekthi në shkrimin e tij “Grupet”, i cili prej kohësh udhëheq shoqërinë tonë, të ushtronte mbi ne (grupin e myslimanëve) ndikim kulturor, por e kundërta do të ishte krejt normale, duke qenë se ne jemi ymet i profecisë, kemi frymëzim hyjnor dhe kontaktojmë me Kuranin, që i përgjigjet sfidave dhe nevojave të shoqërisë në çdo kohë. Fakti që kjo ka ndodhur dhe edhe do të ndodhë është gjithashtu profeci, sepse profeti Muhamed ka thënë: “Do të ndiqni sjelljen e popujve para jush pëllëmbë për pëllëmbë dhe krah pas krahu, saqë po qe se përpiqen të futen në strofkën e hardhucës edhe ju do t’i ndiqni.”
Po përse ndodh kjo? Kjo ndodh sepse ne nuk angazhohemi seriozisht për të nxjerrë më të mirën nga grupi ynë, duke qenë se kemi lënë pas dore profecinë, nuk thellohemi për të nxjerrë prej saj mësime, dhe kemi neglizhuar mesazhin hyjnor. Në këtë pikëpamje ne jemi duke notuar cektinave për mbijetesë, sepse refuzojmë të mësojmë notin nga frika e thellësive. Ne nuk prodhojmë dot asgjë, sepse kultura ka nevojë për thellësi, qartësi, dhe duke qenë se nuk kemi kapacitete të prodhojmë kulturë, art, shkencë, filozofi, përmes së cilave do të mund të sfidojmë grupin që udhëheq shoqërinë, jemi shndërruar në konsumatorë të kulturës së personave me kapacitete simbolike. Në këtë aspekt më i miri prej nesh do të duket kush përmes kulturës së tyre garon brenda kulturës së tyre. Pra në këtë moment shfaqet qartë dorëzimi pa kushte para tyre, dhe askush nuk do ta vërë më në pikëpyetje as vlerën e kësaj kulture, as kolaudimin e saj, dhe aq më pak të bëjë ndonjë përpjekje për ta sfiduar.

Personazhi i vitit që shpallet çdo fundviti prej disa vitesh në Shqipëri, i përzgjedhur nga media, për kontribute shoqërore, është një tregues i qartë sesi myslimanët përvetësojnë pa asnjë lloj filtri çdo sjellje që i ofron grupi i personave me kapacitete simbolike. Mjafton të tingëllojë bukur që ne të mos i rezistojmë dot joshjes, madje garojmë me të gjitha forcat, pa vetëdijen se jemi brenda një sistemi që na pret krahëhapur për sa kohë që ne vetëm sa e shëndoshim atë dhe nuk e vëmë aspak në pikëpyetje kapacitetin dhe autoritetin e tij.
Çfarë është personazhi i vitit? Personazhi i vitit është një burokraci, edhe po të marrim të mirëqenë faktin se përzgjedhja ka qenë e drejtë dhe e pa manipuluar. Është hipokrizi, gjithmonë duke marrë të mirëqenë sinqeritetin e kandidatëve të përzgjedhur. Është eksitim, që në mungesë të substancës shërben si ushqim për zgjedhësit dhe të përzgjedhurit. Është jasht natyrës së besimtarit, sepse ky i fundit ka për mision të veprojë në kënaqësi të Zotit pa nevojën për t’ia ditur kush për nder, njëjtë si profetët: “Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët rob edhe pse vetë janë nevojtarë, duke thënë: ‘Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, nuk duam shpërblim e as falënderim!’”
Po nëse vetë kandidati i përzgjedhur përpiqet të implikojë të tjerët për ta votuar, atëherë çmenduria merr përmasa kozmologjike, në këtë pikë më shuhen gërmat, vdesin fjalët. Një sjellje e tillë është në kundravajtje të drejtperdrejtë me parimet islame, pa cekur faktin se sinqeriteti që është thelbësor për besimin, diskutohet gjithmonë e më pak, a nuk diskutohet fare. Ndërkohë që duhet të jetë në qendër të vëmendjes, ai qëndron në periferi të sjelljes dhe mendimeve tona. Sinqeriteti duhet të jetë shqetësimi ynë i përditshëm, brenga jonë e vazhdueshme. Njerëzit e hershëm refuzonin lëvdata edhe kur i meritonin ato, sot i lypin edhe kur nuk duhet. Më parë kanë pas thënë: “Bota është e vdekur dhe e zhytur në injorancë pa dijen, por edhe dija do të jetë kundra me përjashtim të asaj që zbatohet, vepra s’ka vlerë pa sinqeritet, por edhe sinqeriteti është i rrezikuar deri në vdekje.”

Pikërisht kjo më shqetëson mua, pra fakti që për myslimanët kjo sjellje po shndërrohet në normë, dhe askush nuk e vë në pikëpyetje. Sepse ne edhe kur na jepet shansi të përballemi dhe sfidojmë grupin e personave me kapacitete simbolike refuzojmë, me justifikime periferike, por që në fakt vijnë për shkak të një prej dy arsyeve, që Prof. Rudiani në shkrimin “Grupet” i sqaron kështu: “…ose përtaci për të tejkaluar atë që është sipërfaqësore, ose frikë nga ajo që nuk është sipërfaqësore.”
Përse një besimtar kërkon të votohet personazh i vitit? Ndjehet i paplotësuar apo i pavlerësuar? Cilado qoftë arsyeja, kërkesa në fjalë mund të japë iluzionin e kompensimit të këtij boshllëku por që në fakt vetëm sa e zgjeron atë. Sepse menaxhon ndihmat e njerëzve apo sepse vetë i ndihmon ata? Cilado qoftë arsyeja, ajo është e pajustifikueshme dhe delegjitime, dhe e pamjaftueshme për përmbushjen e misionit të njeriut të Zotit në tokë.
Ndihma më e madhe që një klerik (në këtë rast Hoxha) mund t’i japë shoqërisë është që së pari t’i tregojë të vërtetat e Zotit. Të përpiqet ta largojë nga errësira e mohimit dhe ta orientojë tek drita e besimit. T’i tregojë se pa besim nuk ka lumturi në të dy botët. Pa besim nuk mund të shkosh dot në xhenet. T’i tregojë kush është e mira dhe e keqja. Vetë të mbajë qëndrim ndaj së keqes. Fundja ky është misioni i Hoxhës. Sepse misioni i Hoxhës është kënaqësia e Zotit, kjo është brenga e myslimanit, “O Zot po qe se Ti je i kënaqur me mua, s’ka rëndësi çfarë thonë për mua ata”. Kjo lutje epike duhet ta shoqërojë gjithmonë vetëdijen e çdo besimtari.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit