12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Zhvillimi i bankënimit Islam

Më të lexuarat

Institucioni i parë zyrtar financiar në shoqërinë islame është themeluar nga Omeri (r. a.) 10 vite pas vdekjes së Pejgamberit (a. s.). Ky institucion është quajtur ‘Divan’, është adaptuar nga persianet. Pas zgjerimit të kufijve të shtetit islam, posaçërisht pas fitores kundër dy perandorive të mëdha, bizantine dhe persiane, është bërë një përkrahje financiare për të gjithë të nevojshmit që kanë jetuar në shtetin islam. Me themelimin e këtij institucioni është bërë regjistrimi i gjithë popullsisë dhe gjendja e tij materiale.

Shkruan: Dr. Islam Hasani

Kur diskutohet për ‘bankënimin islam’, mund të mendohet për një sistem bankar i cili përmban të gjitha produktet moderne të bankënimit dhe shërbimeve. Ky është një koncept i ri i bankënimit dhe është një produkt i shoqërisë moderne, në krahasim me konceptin e vjetër, i cili është përdorur në ditët e hershme të Islamit. Prandaj, një model i hershëm i financave islame pati filluar në ditët e hershme të Islamit.

ORIGJINA E FINANCAVE ISLAME

Para ardhjes së Pejgamberit (a. s.) shoqëria arabe ka qenë e ndarë në fise dhe secili fis është qeverisur dhe kontrolluar nga traditat e tyre fisnore. Me ardhjen e Islamit, ato fise janë unifikuar, ku arabët dhe jo-arabët janë bashkuar dhe qeverisur nga një qeveri dhe të gjithë kanë ndjekur një ligj – ligjin islam. Unifikimi i ri, i cili ka ndodhur, e dërgoi atë shoqëri në transformim në dy aspekte: a. aspekti i parë- transformimi nga vlerat fisnore dhe nomade, në vlera universale (vlera islame) dhe b. aspekti i dytë- transformimi në vlera socio-ekonomike. Këto fise u bashkuan dhe u vendosen në një vend pa bërë plane në një jetë nomade, atëherë kjo shtyu për zhvillimin e agrikulturës, industrisë dhe prodhimit pasi kërkesa për to filloi kur shoqëria filloi të urbanizohet. Me zhvillimin e ekonomisë në përgjithësi, filloi të zhvillohet edhe aspekti financiar, ku u paraqit nevoja për transaksione financiare. Gjatë jetës së Pejgamberit (a. s.) ka pasur bankieri dhe aktivitete bankare në funksion para se të ekzistojnë bankat islame. Shpallja e verseteve kuranore që kanë folur rreth aktiviteteve ekonomike në përgjithësi dhe ndalimit të kamatës, i kanë dhënë formën sferës ekonomike duke i përfshirë edhe aspektet e sistemit financiar. Pejgamberi (a. s.) ka qenë i njohur si një tregtar shumë i aftë, sepse ai ka pasur tregtinë si profesion qysh nga fëmijëria.

Ai vetë ka marrë pjesë në ekspedita të karvanëve në udhëtime të gjata. Kur ka qenë vetëm 12 vjeç, xhaxhai i tij e kishte marrë me vete në Sham (takimi me priftin Behira), më vonë ai udhëtoi edhe në vende tjera me karvanë të ndryshëm për arsye tregtie. I dërguari i Allahut ka kryer edhe një shërbim tjetër me karakter ekonomik për njerëzit. Shtëpia e tij ka shërbyer edhe si vend për ruajtjen e kursimeve të njerëzve tjerë deri në kohën kur ka emigruar nga Meka në Medinë. Pas emigrimit, personi i cili e ka zëvendësuar Pejgamberin (a. s.) në veprimin e kursimit ka qenë Zubeir bin AlAvam. Tregohet se në një kohë të caktuar, kursimet e të tjerëve tek ai kanë arritur shumën në 2,200,000 dërhem. Kjo gjë tregon për besueshmërinë që ka ekzistuar ndërmjet njerëzve dhe për traditën ekonomike të asaj shoqërie, por edhe nevojën e një sistemi ku njerëzit mund të kursejnë dhe mund të investojnë, sepse ato kursime janë investuar në projekte të ndryshme ashtu siç do të diskutohet në vijim. Pas shpërnguljes së Muhamedit (a. s.) nga Meka në Medinë, një nga ngjarjet e rëndësishme të cilat kanë ndodhur ka qenë edhe themelimi i institucioneve ekonomike dhe financiare. Pejgamberi (a. s.) si një person i respektueshëm, i besueshëm dhe tregtar me përvojë, i cili pati vizituar vende të ndryshme për qëllime tregtie para pejgamberisë, dhe i cili i pati vuajtur efektet e embargos ekonomike të vendosur kundër tij nga paganët e Mekës, ka qenë shumë i vëmendshëm për rëndësinë e realitetit të pavarësisë socio-ekonomike, e cila shpie në pavarësi politike.

Në aspektin financiar, e themeloi Bejtul mal-in (shtëpinë e thesarit). Financimi i shtetit në atë kohë, në nivel qendror dhe atë lokal është bërë përmes Bejtul mal-it, duke pasur një të tillë në nivel qendror, të vendosur në kryeqendër dhe ngjashëm me të edhe në degët tjera, në provinca të ndryshme për nivelin lokal. Ky vend thesari është mbikëqyrur dhe drejtuar nga një zyrtar, i cili është quajtur hazin al-mal, ndërsa ata të cilët ishin në nivel lokal janë quajtur hazin apo Amin. Ky person, përveç aftësisë menaxhuese, është dashur të jetë i njohur edhe për besnikëri. Këta persona kanë qenë të pavarur nga udhëheqësi i vendit dhe janë konsideruar nga mesi i elitës së popullit. Prej burimeve të Bejtul mal-it ishin Zekati, Sadakaja (lëmosha), Xhizja (taksa për kokë banori për jomyslimanët, të cilët kanë jetuar në shtetin islam), haraçi (taksa për tokë), hums (një e pesta në prenë e luftës) dhe fejj (të ardhurat nga tokat e shtetit). Këto fonde janë shpenzuar në dy kategori shpenzimesh:

1. janë shpenzuar për çka është konsideruar përgjegjësi e shtetit, p.sh. shpenzimet e ushtrisë dhe pagat e zyrtarëve shtetërorë.

2. ka përfshi financimet e aktiviteteve për të mirën e përgjithshme, siç janë: rregullimi i infrastrukturës rrugore, ujësjellësi e të ngjashme. Bejtul mal-i si një institucion shumë i rëndësishëm në aspektin financiar dhe përkrahës për popullatën në aspektin humanitar, nuk është konsideruar vetëm pasuri e myslimanëve, por edhe e jo-myslimanëve. Nga fondet e Bejtul mal-it qeveria ka qenë e obliguar për t’u ndihmuar dhe përkrahur edhe dhimmijet (jomyslimanët brenda shtetit mysliman). Marrëveshja në mes Halid bin Velidit dhe popullit të Hirasë ka qenë që të vjetrit nga dhimmijet do të lirohen nga pagesa e xhizjes dhe gjithashtu atyre do t’u jepet ndihmë financiare përderisa ata jetojnë në shtetin mysliman. Një institucion tjetër me rëndësi të madhe që është themeluar në kohën e Pejgamberit (a. s.), menjëherë pas shpërnguljes, dhe i cili është shumë i njohur në civilizimin islam, është institucioni i vakëfit. Ky institucion shumë i rëndësishëm është themeluar për të përkrahur mirëqenien shoqërore dhe ekziston në çdo vend mysliman edhe sot, por në disa vende nuk është funksional ashtu siç duhet. Organizimi i fondeve te vakëfit dallon prej atyre të bejtul mal-it.

Kur shokët e Pejgamberit (a. s.) kanë ofruar fonde në mënyrë vullnetare për mirëqenien e popullatës, Pejgamberi (a. s.) këto fonde i ka pranuar dhe i ka futur nën emrin e vakëfit. Burimet e vakëfit kanë qenë kryesisht donacionet e jo detyrimet, siç ishte rasti me Bejtul-malin. Ky institucion është zhvilluar edhe më shumë në kohët e mëvonshme dhe sot në shtetet islame ky institucion kontrollon një shumë të madhe të fondeve dhe luan një rol shumë të rëndësishëm për përkrahjen e aktiviteteve dhe zhvillimit të komuniteteve myslimane. Institucioni i parë zyrtar financiar në shoqërinë islame është themeluar nga Omeri (r. a.) 10 vite pas vdekjes së Pejgamberit (a. s.). Ky institucion është quajtur ‘Divan’, është adaptuar nga persianët. Pas zgjerimit të kufijve të shtetit islam, posaçërisht pas fitores kundër dy perandorive të mëdha, bizantine dhe persiane, është bërë një përkrahje financiare për të gjithë të nevojshmit që kanë jetuar në shtetin islam. Me themelimin e këtij institucioni, është bërë regjistrimi i gjithë popullsisë dhe gjendja e tyre materiale. Të gjithë ata që kanë pasur nevojë për ndihmë, janë selektuar përmes këtij institucioni dhe disave u është dhënë një pension i përhershëm dhe disave u është dhënë ndihmë sipas nevojës.

INSTITUCIONET E KREDISË – KREDITIMIT NË DITËT E HERSHME TË ISLAMIT

Fjala kredi (kredit) e ka burimin nga fjala latine ‘Credo’, që do të thotë besim në aftësinë e personit apo institucionit për të paguar. Instrumentet e kredisë-kreditimit janë çeqet, premtimet qeveritare, fletë-transfertat dhe të ngjashme. Instrumentet bazuar në konceptin e financimit në kredit kanë ekzistuar edhe në ditët e hershme të Islamit, por me terminologji të ndryshme. Praktika e këmbimit të valutave të ndryshme ka ekzistuar edhe në kohën e Pejgamberit (a. s.), termi i cili i referohet këtij transaksioni në gjuhën e Sheriatit quhet sarf. Fjala sarf rrjedh nga fjala sajrafah, e cila daton që nga koha e babilonasve. Në ditët e hershme të Islamit filloi të ndihet nevoja për këmbim të dinarëve (prodhuar nga ari) në dërhem (prodhuar nga argjendi) dhe anasjelltas për ta ndihmuar tregtinë ndërkombëtare që vinte nga vendet e ndryshme.

Pejgamberi (a. s.) i mësoi tregtarët e asaj kohe se është e lejuar të praktikojnë këtë lloj biznesi, por pagesa e njërës dhe tjetrës valutë duhet të bëhet menjëherë në dorë për të dy valutat, nuk lejohet që njëra të merret menjëherë e tjetra pas një kohe. Vlera e valutave mund të ndryshojë në çdo moment dhe si rezultat njëra prej palëve do të jetë në humbje. Humbja apo fitimi i njërës palë e bën transaksionin në gjendje të pasigurisë, e cila kategorizohet në mejsir (bixhoz), dhe në anën tjetër përfshin riba (kamatë) – të dyja të ndaluara sipas normave islame. Në civilizimin islam në shekullin e parë hixhri ka qenë e njohur tregtia me përdorimin e letrave komerciale. Ata u jepnin ushtarëve dhe zyrtarëve qeveritarë kupona, si zëvendësim për pagesën, të cilat quheshin sakk. Termi ‘cheque’ (çek), i cili përdoret në bankënimin e sotëm, e ka origjinën nga kjo fjalë arabe (sakk sh. sukuk) dhe konceptit të fjalës persiane suftaxhah, që në origjinë ka kuptimin ‘para letre’ apo ‘letër krediti’. Një tjetër term i cili ka përdorim të përafërt me suftaxha është termi hawalah, i cili rrjedh nga gjuha arabe (al-tahawwul apo al-tahwil), që do të thotë “transferim” apo “ndërrim i lokacionit” nga një person në tjetrin apo nga një institucion në tjetrin. Është një marrëveshje me të cilën borxhliu lirohet nga borxhi duke marrë përsipër dikush tjetër borxhin e tij.

 

Gjithashtu i mundëson një personi të bëjë pagesa në një vend tjetër përmes agjentit. Kontrata e hawalah nuk ka qenë e njohur para ardhjes së Muhamedit (a. s.). Kjo iu ka ndihmuar tregtarëve të transferojnë paratë nga një vend në tjetrin pa i lëvizur paratë e gatshme. Për shkak të vështirësive kur ata udhëtonin me anë të detit apo shkretëtirës, dhe duke ditur edhe rrezikun e udhëtimit me para të gatshme me vete, ata iniciuan përdorimin e asaj që sot njihet si çek (cheque) në transfertat e tyre dhe mënyrat tjera të pagesës. Personi që ka lëshuar çekun e parë ka qenë Sayf Davlah al-Hamdani, që ka arritur vlerën 42 mijë dinarë dhe kjo ka ndodhur në vitin 970. Një institucion tjetër i rëndësishëm i kësaj natyre është edhe përdorimi i xhahbadh, i cili si terminologji është marrë nga fjala persiane kahbadh, që kishte kuptimin këmbimore parash (Money-changer), bankier, apo mbledhës taksash. Kjo ka filluar të përdoret që nga koha e emevitëve, në kohën e Muavijes. Më vonë në kohën e abasidëve është zhvilluar edhe më shumë dhe aktivitet brenda këtij institucioni janë intensifikuar dhe kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm si mbledhës taksash dhe llogaritje në disa provinca. Obligim i këtij institucioni ka qenë të dijë edhe vlerën e valutave të ndryshme dhe të bëj ndërrimin e tyre në mënyre sa më efikase.

Tregtia ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik te perandoritë e ndryshme myslimane që nga fillimi i zhvillimit të shtetit mysliman. Me kalimin e kohës dhe me zgjerimin e kufijve të shtetit mysliman tregtia dhe mjetet e tregtisë gjithmonë kanë qenë në zhvillim, në mënyrë që t’i përgjigjen nevojës së kohës. Kanë ekzistuar grupe dhe kategori të ndryshme të tregtarëve, janë ndarë në grupe dhe nivele të ndryshme, grupe të cilat janë marrë vetëm me tregti ndërkombëtare, import – eksport, shitës me shumicë dhe shitës me pakicë. Krahas këtyre grupeve tregtare, në treg ka pasur edhe agjentë të ndryshëm, të cilët janë marrë me ndërmjetësime. Në vazhdimësi janë formuar grupe tjera, të cilat kanë formuar shoqëri aksionare për të ndërmarrë projekte kolosale si në tregti, ashtu edhe në investime të ndryshme. Këto kompani më vonë janë zgjeruar duke hapur degë në tërë territorin dhe u kanë ngjarë shoqërive aksionare të përbashkëta dhe të kufizuara.

SFIDAT E BANKËNIMIT DHE TË FINANCAVE ISLAME NË SHEKULLIN TONË

Studiues të shumtë të ekonomisë islame kanë theksuar se parimet e financave islame nuk janë një zbulim apo risi e shekullit të njëzetë, por këto janë nxjerrë nga Kurani i shenjtë dhe Hadithi i Pejgamberit (a. s.). Struktura e financave islame bazohet në këto burime, si dhe në interpretimin e këtyre burimeve nga Pejgamberi (a. s.) dhe pasuesit e tij, duke iu përgjigjur nevojave të kohës dhe duke e zhvilluar këtë lëmë, që të jetë konkurrente me kërkesat e kohës, ashtu siç po ndodh edhe tani në kohën bashkëkohore. Bankënimi dhe financat islame, si në aspektin teorik ashtu edhe në atë praktik, kanë bërë një zhvillim të madh në 50 vitet e fundit. Megjithatë, ky sistem nuk kursehet edhe nga kritikat. Shumica e këtyre kritikave janë rreth origjinalitetit dhe elementit fetar, si dhe aspektit praktik të bankënimit dhe financave islame. Në vijim do të diskutohet rreth koncepteve dhe qëllimeve, si dhe do te përmenden disa nga kritikat më të mëdha rreth sistemit financiar islam si tërësi.

PARIMET BAZË NË IMPLEMENTIMIN E BANKËNIMIT ISLAM

Për t’i kuptuar edhe më mirë parimet e bankënimit në Islam, është shumë e rëndësishme dhe vendimtare të kuptohet dallimi në mes asaj që konsiderohet Riba (kamatë) dhe Bej (shitje), ashtu siç është theksuar në mënyrë eksplicite në Kuranin e madhërishëm. Kjo nuk është e tëra; eliminimi i kamatës është një pjesë e parimeve të biznesit në Islam. Aty duhet të shtohen edhe parimet e drejtësisë shoqërore, duke formuar ligje, praktika, procedura dhe mekanizma që ndihmojnë në implementimin dhe mirëmbajtjen e drejtësisë, barazisë dhe korrektësisë. Bankat islame duhet të udhëheqin transaksione për të mirën e të dyja palëve, të bankës dhe klientëve, dhe t’i përmbahen konceptit të drejtësisë. Me aplikimin e këtij koncepti bankat islame duhet të kenë kujdes kur ngarkojnë pagesa te klientët, në caktimin e përqindjes për t’u ndarë në mes të partnerëve, dhe çmimit për shërbimet që ofrojnë. Nga studiues të ndryshëm mund të ketë keqkuptime rreth financave islame, duke iu referuar çështjes kryesore rreth qartësimit se çka konsiderohet kamatë dhe çka jo. Por, një gjë është shumë e qartë, dhe se të gjithë studiuesit pajtohen, pra se kamata sipas normave islame është e ndaluar. Ka dijetarë që mendojnë se kamata të cilën bankat e sotshme e ngarkojnë mbi klientin nuk është e ndaluar, sepse kamata e cila është përmendur në Kuran nuk është e njëjtë me atë të cilën e kërkojnë bankat moderne. Arsyetimi i tyre është se kamata që ka ekzistuar në kohën kur ka jetuar Pejgamberi (a. s.) ka qenë shumë e lartë, duke arritur të dyfishohet dhe të shkojë edhe më lart, dhe kjo ka shtyrë deri te shfrytëzimi i padrejtë i të varfërve nga të pasurit. Islami e ka ndaluar këtë kategori të kamatës, dhe e ka ndaluar atë në formë shumë të prerë. Këto mendime janë shumë të rralla dhe zakonisht bëhen nga ata që nuk i njohin shumë mirë çështjet e ekonomisë dhe të sheriatit në të njëjtën kohë.

Dijetarët ekspertë të kësaj fushe janë të mendimit se edhe kamata të cilën e kërkojnë bankat konvencionale është e ndaluar. Për shembull, Mevdudi e shpjegon me një shembull shumë të thjeshtë dallimin në mes të tregtisë dhe kamatës, në kontekstin e shpërndarjes së barabartë dhe menaxhmentit efikas të rrezikut. Në transaksionet me kamatë rreziku transferohet te kredimarrësi, në mënyrë që i tërë kapitali i kredituar të bartë kamatë dhe të bëhet pa rrezik. Kjo situatë në aspektin shoqëror është e padrejtë dhe ekonomikisht joefikase. Në anën tjetër, biznesi që është në përputhshmëri me normat islame të financave bëhet me ndarje rreziku për pasigurinë natyrale, pra është i drejtë dhe efikas për shkak të ndarjes së fitimit dhe rrezikut nga të dyja palët. Efikasiteti i kësaj forme të financimit shihet edhe në stabilitetin financiar, për shkak të sigurisë në këtë treg, e çmimi mbi produktin e shitur nuk mund të ndryshohet sepse pronësia e asetit të shitur kalon te blerësi, dhe shitësi humb çdo të drejtë për të vendosur çmim tjetër mbi atë të parin.

Te kreditë kamatore, ndërkaq, mbi çdo vonesë ka edhe ndryshim çmimi, pasi që ajo çka është shitur është koha. Ndihma e të varfërve dhe rregullimi i kushteve të tyre shoqërore dhe ekonomike ka një vend të lartë në Islam, por limitimi i urtësisë së ndalesës së kamatës vetëm te ky qëllim është gabim dhe i padrejtë. Gjatë kohës së Pejgamberit (a. s.) shoqëria ishte e organizuar mirë, e për nevojat e të varfërve dhe atyre që ishin të pafat kujdeseshin të pasurit nga shteti i asaj kohe. Prandaj, huazimet ishin bërë nga tregtarë të pasur, prodhues dhe biznesmenë që operonin me kompani të mëdha aksionare, si dhe ata që bënin tregti në distanca të largëta dhe me përmasa të mëdha. Ata i përdornin mjetet dhe kapitalin e të tjerëve duke i bërë ata aksionarë, ashtu siç parashihet nga normat e sheriatit dhe teknikat e financimit. Myslimanët patën mundësi të fitojnë nga kursimet e tyre, të sigurojnë financime për bizneset e tyre, pa e futur në përdorim kamatën, duke i aplikuar teknikat e financimit që janë të aprovuara sipas sheriatit.

QËLLIMET E BANKIMIT ISLAM

Qëllimi i bankave islame në përgjithësi është që të përkrahë dhe zhvillojë shërbimet dhe produktet bankare, dhe t’i aplikojë ato në transaksione dhe biznese të pranuara nga normat e sheriatit. Metodat dhe procedurat e përdorura nga bankat konvencionale, të cilat nuk janë në kundërshtim me principet e sheriatit, mund të përdoren edhe nga bankat islame, mirëpo aty ku ekzistojnë dallime apo ka dyshime për lejueshmërinë e këtyre transaksioneve, atëherë bankat islame duhet të zhvillojnë metodat e veta, për të ndërmarrë aktivitetet bankare. Bankimi islam ka një dimension fetar: një produkt nuk mund të adaptohet përderisa është studiuar dhe vërtetuar nga ekspertët e sheriatit që operojnë brenda bankës, apo ndonjë bord i pavarur, se produkti nuk ka asnjë element që është në kundërshtim me normat e sheriatit, dhe në të njëjtën kohë është fitimprurës. Elementi kryesor për të kuptuar kornizën e bankimit islam është kuptimi i drejtë se si bankat islame kanë mundësi të funksionojnë pa e përdorur kamatën. Bankat islame duhet patjetër të bëjnë profit në mënyrë që të mbijetojnë dhe të zhvillohen në atë shkallë që të jenë konkurrente në treg me produkte dhe shërbime. Profiti i tyre realizohet në tri fusha kryesore të veprimit: tregti, leasing (qira), dhe duke bërë financime në partneritet apo vetëfinancime. Ligji i sheriatit është kundër kamatës por jo kundër fitimit, prandaj bankat islame kanë zhvilluar produkte bankare që mundësojnë përfitime dhe janë në konformitet me normat e sheriatit.

Ekzistojnë shkrime që bankimin islam e përshkruajnë si ‘bankimi pa-kamatë’. Është dallim i madh në mes të këtyre dy termave; bankim islam dhe bankim pa-kamatë. ‘Bankim pa-kamatë’ është një koncept më i ngushtë, duke iu referuar një numri të vogël të produkteve apo shërbimeve që nuk përmbajnë kamatë. Ndërsa bankimi islam i referohet një sistemi të kompletuar dhe që është në harmoni me etikën islame. Bankimi islam duhet që jo vetëm të largohet nga kamata, por gjithashtu edhe investimet dhe biznesi në të cilin investon duhet të jetë hallall, dhe, në të njëjtën kohë, t’i shërbejë qëllimit për arritjen e objektivave të ekonomisë islame. Janë dy metoda kryesore nëpërmjet të citave bashkëpunimi financiar në aspektin islam merr formën e vet. Investim i drejtpërdrejtë dhe me ndërmjetësim. Nga një perspektivë islame, pa marrë parasysh a është investim i drejtpërdrejtë apo me ndërmjetësim, nuk ka mundësi të ketë shumë fikse të paracaktuar mbi kapital apo huazime. Sipas sistemit islam, nuk mohohet e drejta e fitimit, por mohohet fitimi në formë të kamatës dhe që bazohet vetëm në kalimin e kohës e jo në mënyrën se si ka përfunduar projekti për të cilin është bërë huazimi. Fitimi duhet të jetë si përqindje në fitim, mirëpo kjo përqindje mund edhe të mos realizohet. Por, edhe mund të ketë humbje në investimin e bërë, dhe atëherë në mes tyre ndahet edhe humbja. Nëse huadhënësi (banka), ndërkaq, nuk bart aspak rrezik, por e ka të caktuar fitimin edhe nëse huamarrësi humb në investimin e bërë, atëherë kjo është e padrejtë dhe çon drejt asaj që të pasurit t’i bëjë më të pasur, e të varfrit më të varfër.

KARAKTERISTIKAT E BANKËNIMIT ISLAM

Karakteristikë bazë e bankënimit islam është besimi në prezencën hyjnore, e cila është shtytje kryesor për futjen e etikës në aktivitetet ekonomike. Myslimanët besojnë se janë në lidhje direkt me Zotin, l Cili sheh, dëgjon dhe shpërblen për pune të mira, dhe ndëshkon për punë të këqija. Duke i ditur këto fakte, njeriu shpreson në ndihmën dhe bekimin e Zotit në çdo lëvizje të rëndësishme; ndihma ndaj të varfërve, jetimëve, mosngarkimi me kamatë në huadhënie, ruajtja e mjedisit etj. Qasja islame rreth ekonomisë është e bazuar në kornizë etike dhe shoqërore, përveç asaj ekonomike. Ajo prezanton lëvizjen e ekonomisë nga një ekonomi e bazuar në borxh, në një ekonomi të bazuar në partneritet. Ekziston kornizë e hallallit dhe haramit, nëpërmjet të cilave të gjitha aktivitet ekonomike do të praktikoheshin.

Një aktivitet që në ekonominë kapitaliste do të konsiderohej produktiv për arsye se ka kërkesë dhe ka profit në të, si p.sh.: pijet alkoolike, bixhozi etj., është i papranuar në ekonomitë islame, për shkak se është në kundërshtim me rregullat e sheriatit. Qasja islame e biznesit është shumë e ashpër kur vjen në pyetje lejueshmëria dhe legaliteti i biznesit. Dimensioni etik dhe moral janë të pandarë në skemën e aktiviteteve financiare islame, qofshin ato në mënyrë institucíonale apo private. Bankënimi islam është një sistem i financímit në mënyrë aksionare dhe bartje të rrezikut, e jo vetëm në huadhënie dhe huamarrje. Kthimi (fitimi) është bazuar në produktivitetin dhe suksesin e projektit. Ky sistem kërkon që të gjithë aktorët ekonomikë të jenë aktivë, dhe nuk lejon që një kategori të jetojë nga pasuria ku huadhënësi e shfrytëzon huamarrësin. Ky është një dallim i madh nga sistemi kapitalist, ku i tërë sistemi financiar është i bazuar në kamatë, dhe kamata e gjeneruar e ndërton një klasë e cita bëhet barrë në progresin e shoqërisë dhe çon në humbjen e potencialeve produktive, gjë që është shenjë e padrejtësisë ekonomike dhe shoqërore.

NEVOJA PËR FINANCIM

Nevoja për ndihmë financiare lindi për shkak të dallimeve në pasuri dhe aftësi të udhëheqjes së ndonjë investimi. Për shembull, skema e investimit në mudarabah dhe musharakah (partneritet në investim, partneritet pasiv dhe partneritet aktiv) është e nevojshme për shkak se jo çdokush që ka pasuri ka edhe aftësi tregtie, dhe jo secili që ka aftësi tregtie posedon para të mjaftueshme dhe ka mundësi financimi. Prandaj, dallimet në resurse ekonomike së bashku me nevojën e bashkimit të pasurive financiare me ekspertizë apo aftësi menaxhimi dhe investime mund të jenë arsyeja kryesore për të zhvilluar skemat apo produktet financiare. Ky lloj financimi bashkon kapitalin dhe ekspertizën: ata që kanë kursime dhe ata që kanë aftësi financimi apo menaxhimi. Shekuj me radhë myslimanët ishin në gjendje të udhëheqin aktivitete ekonomike ndërkombëtare dhe rajonale, në agrikulturë, industri dhe tregti, pa përdorur kontrata të bazuara në kamatë, pa marrë parasysh sa i madh ka qenë investimi. Në atë kohë tregtia pati arritur edhe vendet e Lindjes dhe të Perëndimit. Ndalimi i kamatës nuk e ka privuar shoqërinë myslimane për të bërë tregti dhe investime duke gjetur mënyra të cilat janë të lejuara dhe fitimprurëse. Pasi që tregtia ishte i vetmi aktivitet ekonomik i arabëve, e në veçanti i kurej- shëve, një numër i madh i karvanëve tregtarë financoheshin nga persona që kishin arritur të bënin pasuri duke dhënë para hua me kamatë, dhe në të njëjtën mënyrë i financonin edhe karvanët që udhëtonin për çështje tregtie. Kurejshët i financonin edhe aktivitetet tjera në të njëjtën mënyrë, për t’u përgatitur për Betejën e Uhudit. Për t’i luftuar myslimanët, ata i përdorën fondet të cilat i kishin akumuluar nga kamata. Ky është vetëm një shembull për të treguar se sa shumë është përdorur kamata në Arabinë e para Islamit. Por, pas ardhjes së Islamit këto aktivitete u anuluan dhe kamata u zëvendësua me tregti dhe me bashkinvestime, dhe në vend filloi të aplikohej një formë e re e kreditimit dhe financimit.

KRITIKAT DHE SFIDAT E BANKËNIMIT ISLAM

Më herët u tha se sistemi financiar islam është zhvilluar shumë në 50 vitet e fundit, si në aspektin teorik, ashtu edhe në atë praktik. Megjithatë, ekzistojnë kritika të drejtuara kah sistemi financiar islam, e në veçanti bankat islame. Por, asnjëherë deri më tani nuk ka pasur ndonjë kritikë rreth parimeve, qëllimeve apo karakteristikave të bankënimit dhe financave islame, por kritikat kanë të bëjnë me tre aspekte: – Origjinaliteti i bankënimit islam (sa është në përputhje teoria dhe praktika e bankënimit islam?); – Praktikuesit e bankënimit islam (sa janë të përgatitur dhe të përkushtuar personeli i bankave islame për implementim të parimeve të sheriatit?), dhe; – Bordi i Sheriatit (emërimi i personave joadekuatë në Bordin e Sheriatit). Ndoshta njëra nga pyetjet dhe kritikat më irrituese për ata që janë në sferën e bankënimit dhe financave islame është rreth dyshimit se a është në përputhje bankënimi islam me parimet e sheriatit. Kritika e cila vazhdon të mbetet sfidë edhe në ditët e sotme është në mes konceptit fillestar dhe praktikës së tanishme. Shfrytëzimi i vetëm disa produkteve bankare që janë me lehte të praktikueshme dhe me një rrezik minimal për institucionin financiar, e që janë më pak të preferuara në sistemin financiar islam, ka bërë që kritikat të adresohen në atë mënyrë, duke thënë se bankat islame kanë ofruar një alternativë në aspektin e kontraktimit, por jo edhe të praktikimit të bankënimit islam.

Gjithashtu, personeli i bankave islame duhet të ketë një përkushtim më të madh rreth parimeve dhe objektivave të Sheriatit. Përveç kritikave për aspektin praktik të bankënimit islam, edhe akademikët dhe praktikuesit e përfshirë në bankënimin islam janë bërë cak studimi/vlerësimi. Kjo bëhet për shkak se pak akademikë janë të përfshirë në bordet mbikëqyrëse të sheriatit institucioneve financiare islame. Sipas studiuesve, kjo bëhet me qëllim legjitimimi apo justifikimi të praktikave dhe produkteve bankare që dalin në treg, duke i favorizuar ato që janë më lehtë të praktikueshme dhe me më pak rrezik për bankën, dhe jo ato që janë me të favorshme për shoqërinë. Anëtarët e Bordit të Sheriatit, të një institucioni financiar, duhet të kenë përgatitje në lëmin e Sheriatit, dhe në të njëjtën kohë të kenë studiuar ekonomi/financa, që të jenë në gjendje t’i kuptojnë transaksionet financiare dhe të mos varen nga shpjegimet e të tjerëve.

PËRFUNDIM DHE REKOMANDIME

Gjatë tërë gjysmëshekullit të kaluar sistemi bankar islam ka zgjuar interesim, si në nivelin e ndërmarrjeve private, ashtu edhe në nivelin publik. Një dëshirë e madhe ekziston për ta kuptuar këtë sistem edhe nga shtresa të ndryshme të popullit. Akademikët, bankierët dhe publiku në përgjithësi kanë dhënë kontributin e tyre në këtë drejtim. Politikëbërësit në sektorët monetarë dhe financiarë të shteteve të ndryshme kanë shfaqur interesim rreth rëndësisë teorike dhe praktike të eliminimit të kamatës nga ekonomitë e brendshme të shteteve, si dhe rreth transformimit të sistemit ekzistues në një sistem pa kamatë. Në disa nga pyetjet që parashtrohen më së shumti pasqyrohet dëshira për të kuptuar konceptet bazë të ekonomisë dhe financave islame. Disa kanë të bëjnë me krijimin e një ambienti të favorshëm përmes reformës makroekonomike dhe adaptimit të strukturave të nevojshme për krijimin e sistemit financiar islam, si dhe vështirësive që paraqiten kur bëhen përpjekjet për transformim, pa e krijuar një ambient të tillë. Modelet islame të financimit, të përshtatura nga bankat dhe institucionet financiare islame, kanë arritur sukses bukur të madh, ndonëse veprimtaria e tyre zhvillohet kryesisht në ambient të ekonomisë konvencionale.

Suksesi i bankave dhe institucioneve financiare islame është arritur me gjithë vështirësitë e caktuara, të shkaktuara nga mungesa e një mekanizmi të përshtatshëm ligjor dhe institucional, i cili do të mbështeste veprimtarinë e këtyre bankave. Nuk ka dyshim se porsa të kompletohet infrastruktura e përshtatshme institucionale, shkalla e suksesit të tyre do të jetë edhe më e madhe. Secili sistem i ka kërkesat e veta institucionale. Në këtë aspekt, bankat dhe financat islame nuk bëjnë përjashtim. Bankat islame kanë nevojë për një numër institucionesh dhe rregullativash mbështetëse, me qëllim të lehtësimit të funksioneve të domosdoshme. Aktualisht pjesa më e madhe e institucioneve bankare islame janë duke vepruar në një ambient konvencional. Ato po mundohen që të përshtaten me kornizat ekzistuese institucionale, të citat janë krijuar për bankat konvencionale. Atyre u mungon mbështetja institucionale, e cila do të merrej me nevojat e tyre. Ndërtimi i një mekanizmi të përshtatshëm institucional për bankat dhe financat islame paraqet një sfidë të madhe.

Një gjë e tillë mund të arrihet në dy mënyra. Njëra do të ishte që ambientit konvencional t’i shtoheshin institucionet dhe marrëveshjet që do të lehtësonin funksionimin e bankave islame. Ndonëse një gjë e tillë nuk është e pamundur, nevojitet kujdes i madh për të siguruar kushtet e domosdoshme për funksionimin në të njëjtën kohë si të bankave islame, ashtu edhe atyre konvencionale. Për shembull, mbikëqyrja bankare mund të rregullohet në atë mënyrë që të ketë përsipër të dyja llojet e bankave, derisa rregullat e tregut të financave mund të përshtaten për të inkuadruar edhe instrumentet financiare islame, të cilat do të vepronin krahas atyre konvencionale. Përderisa ekzistojnë kritika rreth implementimit të bankënimit islam, si në aspektin teorik ashtu edhe në atë praktik, kjo nënkupton që ende duhet të hulumtohet dhe të zhvillohet ky sistem. Dhe, gjithherë duhet të synohen qëllimet e ekonomisë/financave islame, në çdo aktivitet ekonomik. Nëse fitimi i bankës varet nga suksesi i projektit të financuar, kjo siguron që klienti të studiohet mirë para se t’i lejohet financimi dhe mbështetja të mos dështojë në aktivitetet e tij. Kritikat që u përmendën me lart nuk i drejtohen ndonjë vendi apo institucioni të caktuar, por janë kritika të përgjithshme rreth sistemit financiar si tërësi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit